Hulumtimet

“Termini im” pret reformimin

Mjekë dhe pacientë kërkojnë reformimin e reformës “termini im”

Një pacient i moshës gjashtëdhjetë vjeçe ka mbetur me invaliditet dhe ka humbur shikimin si rezultat të një pritjeje që ka vazhduar mbi gjashtë muaj, për t’iu nënshtruar një operacioni në Klinikën e sëmundjeve të syrit në Shkup. Ky pacient gjatë gjithë kohës që ka pritur operacionin ka pasur dhimbje të syrit të majtë, por asnjëri nga mjekët nuk ka pranuar ta operojë, duke u frikësuar nga mundësia e gjobitjes për mosrespektimin e terminit të caktuar paraprakisht.

Siç sqaron pacienti, ai ka mbetur me invaliditet dhe me sy të majtë të verbër për shkak të reformës së Ministrisë së shëndetësisë, reformë kjo që i ka shkatërruar jetën.

Nga ana tjetër në Klinikën e sëmundjeve të syrit sqarojnë se kanë për detyrë të respektojnë orarin e caktuar në mënyrë elektronike dhe se asnjë pacient nuk është lënë të presë, nëse ka pasur nevojë për intervenim emergjent.

Projekti me emrin „Termini im“ funksionon katër vjet, por sipas një pjese të mjekëve dhe pacientëve kjo “reformë” në sektorin e shëndetësisë ka krijuar një kaos absolut. Në qarqet mjekësore mund të dëgjohet se pacientë të ndryshëm kanë mbetur me invaliditet ose kanë ndërruar jetë duke pritur të vijnë në radhë sipas reformës “Termini im”, deklarata këto për të cilat ka edhe indikacione

Praktika e deritanishme tregon se listat e pritjes për një operacion syri me laser ose një operacion tjetër janë të gjata, por me projekti “Termini im” gjendja u përkeqësua akoma më shumë. Në kuadër të këtij projekti, nëse një pacient do të telefonojë për të caktuar metodën “fako” ose operacion me laser për mënjanimin e perdes së syrit (operacion ky që zgjat vetëm 15 minuta), në spitalin “8 Shtatori” ose Klinikën e sëmundjeve të syrit, ai do të bëhet pjesë e listës së pritjes dhe do të pres vitin e ardhshëm, sqarojnë mjekët e angazhuar në dy spitalet e përmendura më sipër.

Ky projekt vite me radhë funksionon në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, siç janë Zvicra, Italia, Suedia dhe Gjermania. Modeli i Maqedonisë është zgjedhur dhe kopjuar sipas sistemit shëndetësor gjerman, pas një vizite të kreut të Ministrisë së shëndetësisë, Nikolla Todorov, në një pjesë të spitaleve gjermane. Ministri u kthye nga Gjermania me shumë ide lidhur me gjetjen e mënyrës me të cilën shëndetësia publike vendase do të funksionojë më mirë. Todorovi pas kthimit nga Gjermania organizoi një konferencë për shtyp gjatë të cilës zbardhi projektet që ai kishte për qëllim t’i implementojë në spitalet vendase. Midis këtyre projekteve u gjet edhe “Termini im”, projekt ky i cili paraprakisht kishte filluar si një projekt pilot.

Pacientët: do rrëfejë ai që do mbijetojë

Në çdo klinikë mund të gjenden pacientë të revoltuar që presin radhë me orë / Foto: Tomisllav Georgiev

Në çdo klinikë mund të gjenden pacientë të revoltuar që presin radhë me orë / Foto: Tomisllav Georgiev

Projekti “Termini im” filloi të zbatohet më 1 janar të vitit 2012, fillimisht si një projekt pilot. Sipas praktikës së deritanishme dhe mënyrës së funksionimit të këtij projekti, mjekët dhe pacientët u ballafaquan me probleme shumë të mëdha. Një pjesë e të sëmurëve ankohen se duhet të presin edhe nga disa javë për të caktuar një kontroll të zakonshëm, ndërsa pritja mund të jetë akoma më e gjatë nëse duhet të caktojnë kolonoskopi të zorrës së trashë, kontroll onkologjik, rezonancë magnetike, tomografi kompjuterike… Në një rast të tillë pacientët detyrohen të presin nga dy deri në tre muaj.

Ankesat e pacientëve ne i vërtetuam me ndihmën e një mjeku, i cili hapi panelin e caktimit elektronik dhe kontrolloi në cilin spital mund të caktohet termini më i shpejtë, për shembull për një rezonancë magnetike. Termini varet nga lloji i grafisë që duhet të bëhet. Nëse pacienti ka nevojë të bëj Magnet të tipit 1 ose Magnet të tipit 2, që sipas sqarimeve të mjekëve janë sekuenca të ndryshme grafie, sipas projektit “Termini im”, për grafinë e parë data të lira kishte nga mesi i muajit, ndërsa për grafinë e dytë data të lira kishte pas tre muajsh.

Ekipi i BIRN vizitoi edhe klinikat e Shkupit për të biseduar me pacientët dhe mjekët dhe për të vërtetuar në terren se si funksionon projekti në fjalë. Ne vizituam pеsë institucione shëndetësore publike në Shkup ose Klinikën e onkologjisë, Klinikën e kardiologjisë, Klinikën e sëmundjeve infektive, Klinikën e kirurgjisë abdominale dhe Klinikën e gastroenterohetapologjisë. Në çdo klinikë takuam pacientë të revoltuar që prisnin me orë ose pacientë të ardhur nga qytetet e tjera, të cilët kishin kaluar nga 300 kilometra dhe kishin shpenzuar para për transport dhe ushqim, por pa mbaruar punë.

„Në spitalin e Koçanit më udhëzuan në Klinikën e sëmundjeve infektive për të bërë analiza. Në Klinikën e sëmundjeve infektive më kthyen duke më sqaruar se duhet të kthehem përsëri në Koçani për të marrë një udhëzim tjetër sepse mjeku im personal më kishte drejtuar në një klinikë të gabuar. Unë kam dhimbje shumë të forta dhe nuk e di ku të shkojë. Harxhova shumë para dhe nuk mbarova punë. Kjo që ndodh nuk është normale. Njeriu mund të vdes duke pritur të caktojë kontroll“, tha 58-vjeçari Kosta A.

Një tjetër pacient kishte dhimbje stomaku dhe mjekja e tij personale i kishte dhënë një udhëzim me prioritet për t’u kontrolluar në Klinikën e gastroenterohepatologjisë. Ai ka gurë në tëmth dhe në janar u paraqit për analiza, megjithëse kishte caktuar termin në dhjetë prill. Ndërkohë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, që e detyroi të drejtohet në një spital privat dhe të paguajë tetë mijë denarë për të bërë analizat e nevojshme.

Nga ana tjetër, sipas një pjese të mjekëve, në rastet emergjente askush nga pacientët nuk është kthyer nga klinikat kirurgjike, megjithëse pacientët mund të kenë qenë pa udhëzimin e mjekut personal.

“Pacienti mund të paraqitet vetëm me kartë identiteti dhe të fitojë numër në sportel, ndërsa specialisti do t’i lëshojë udhëzim spitalor, që do të thotë se pacientët nuk kthehen tek mjekët e tyre për të marrë udhëzime. Megjithatë, në këtë mënyrë rëndohet puna e specialistëve të klinikave sepse ato shpesh ballafaqohen me pacientë që nuk duhen pranuar në kirurgji, të cilët paraqiten për kontroll me vetiniciativë. Në këtë mënyrë bëhet rrëmujë, sidomos në ambulancën e rasteve emergjente, gjatë ditës dhe në veçanti pasdite dhe gjatë natës”, sqarojnë kirurgët.

Të njëjtat burime sqarojnë se një tjetër problem i projektit “Termini im” është fakti që përveç njëzetë pacientëve që kanë caktuar termine me ndihmën e mjekëve të tyre, një kirurg duhet të pranojë edhe njëzetë pacientë të tjerë që vijnë për kontrollin e radhës, për heqjen e penjve dhe për konsultime, të cilat nuk janë në listën e “Terminit tim” dhe në këtë mënyrë bëhet rrëmujë dhe nervozë sepse këto njëzetë pacientë nuk kanë caktuar termin për t’u pranuar nga mjeku. Nuk duhen harruar pacientët me udhëzim me prioritet që i lëshojnë mjekët personalë. Bëhet fjalë për dhjetëra pacientë në ditë, që do të thotë se specialisti nga ora 8:30 deri në orën 14:30 duhet të kontrollojë rreth pesëdhjetë pacientë, të përgatis udhëzime, të caktojë operacione dhe intervenime, të udhëzojë për analiza plotësuese dhe të jetë i përqendruar për ta dëgjuar pacientin, për ta kontrolluar, për t’i caktuar diagnozën, për t’i sqaruar llojin e intervenimit që duhet zhvilluar, për t’i sqaruar analizat që duhen realizuar dhe për t’i caktuar të njëjtat“.

Gjendje kritike në sëmundjet maligne

Mjeku Gjorgji Orovçanec, ish ministër i shëndetësisë, thotë se projekti “Termini im”, sipas mënyrës së sistematizimit dhe organizimit, rrezikon akoma më shumë jetën e pacientëve.

„Institucionet shëndetësore publike nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për një funksionim normal të këtij projekti. Për këtë arsye, pacientët kthehen dhe duhet të presin me muaj për analiza dhe operacione, duke pritur sipas listave të pritjes. Më të rrezikuar janë pacientët me sëmundje maligne, të cilët pas operacioneve presin me muaj për kontroll“ thotë Orovçanec.

Me probleme më të mëdha gjatë caktimit elektronik të terminit ballafaqohen pacientët e onkologjisë / Foto: Tomisllav Georgiev

Me probleme më të mëdha gjatë caktimit elektronik të terminit ballafaqohen pacientët e onkologjisë / Foto: Tomisllav Georgiev

Fjalët e Gjorgji Orovçanec i vërtetojnë edhe rrëfimet e një pjese të mjekëve të tjerë me të cilët kontaktuam ne. Me probleme më të mëdha gjatë caktimit elektronik të termineve ballafaqohen pacientët e onkologjisë, të cilët duhet të pranojnë kimioterapi, terapi me rreze ose që për një kohë sa më të shkurtër duhet të bëjnë analiza që të vërtetohet nëse vuajnë nga kanceri ose jo. Në një situatë të tillë këto pacientë mund të gjejnë shpëtim nëse do të trajtohen si raste emergjente dhe t kontrollohen në momentin e caktimit të kontrollit.

Mjeku personal ka mundësi të lëshojë udhëzim me prioritet sipas vlerësimit të tij. Udhëzimi me prioritet vlen shtatë ditë dhe gjatë kësaj periudhe pacienti duhet kontrolluar patjetër. Udhëzim me prioritet mund të përgatisin edhe specialistët e klinikave publike. Mjekët personale megjithatë ballafaqohen edhe me një sërë pengesash kur bëhet fjalë për udhëzimet me prioritet.

Ekipi i BIRN bisedoi me një mjeke personale, e cila në detaje sqaroi pikat e dobëta të caktimit elektronik të termineve.

„Në përgjithësi, nëse unë dua të lëshojë një udhëzim me prioritet, mund ta lëshojë të njëjtin, por nëse klinika në të cilën do ta dërgojë pacientin është e mbingarkuar me punë, ajo me automatizëm do të bllokojë udhëzimet me prioritet. Unë përditë grindem me punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë sepse për të pranuar një fëmijë të sëmurë, për të cilin ka indikacione se mund të jetë prekur nga një sëmundje maligne, duhet pritur një muaj“.

Kjo mjeke gjithashtu ka sqaruar se mjekët personalë ballafaqohen me shumë probleme në rastet kur pacientët nuk paraqiten për kontroll në terminin e caktuar.

„Kjo është një çmenduri tjetër e projektit. Në një rast të tillë, mjeku pret vetë brenda ordinancës dhe nuk ka të drejtë të pranojë pacientin e radhës, pa ardhur koha e terminit të tij“, sqaron mjekja.

Gjoba prej 5.000 euro për mjekët personalë

Profesori Millço Panovski sqaron se projekti “Termini im” është një ide e mirë, por një realizim i keq / Foto: Tomisllav Georgiev

Profesori Millço Panovski sqaron se projekti “Termini im” është një ide e mirë, por një realizim i keq / Foto: Tomisllav Georgiev

Një pjesë e mjekëve specialistë sqarojnë se mjekët personalë janë vënë në një pozicion për të rrezikuar shëndetin e pacientëve vetëm për të shpëtuar nga gjobat.

Profesori Millço Panovski, kirurg abdominal i angazhuar në Klinikën e kirurgjisë digjestive në Shkup, thotë se projekti “Termini im” është një ide e mirë por një realizim i keq.

„Të sëmurët presin me muaj për të caktuar një kontroll ose analiza, ndërsa mjekët personal nuk u lëshojnë udhëzime me prioritet sepse kanë frikë se ministri i shëndetësisë do t’i gjobisë me 5.000 euro“, thotë profesori Panovski.

Ai gjithashtu sqaron se pacientët nuk kanë të drejtë të zgjedhin as mjekun dhe mjekohen tek mjeku i cili ka termine të lira.

Një qëndrim të ngjashëm ka edhe mjeku Dejan Stavriq. Sipas tij, me projektin “Termini im” u pezullua e drejta elementare e pacientëve që është paraparë me ligj ose e drejta për të zgjedhur mjekun.

Problemet e pacientëve për të zgjedhur mjekun i vërtetoi edhe një pacient i Klinikës së kardiologjisë:

„Mua më kanë implantuar dy stente dhe për këtë arsye më duhet të bëj kontrolle të rregullta disa herë në ditë. Dy-tre kardiologët më të mirë, midis të cilëve gjenden edhe mjekët e mi, nuk kanë termine të lira me muaj. Ndërkaq, kardiologët e tjerë të të njëjtës klinikë kanë termine të lira. Meqenëse unë nuk jam një rast emergjent pres dhe i caktoj kontrollet siç dua unë. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, i cili nuk e di si mund të zgjidhet me projektin “Termini im” sepse nëse do të punojnë më shumë në ambulancë, do të punojnë më pak në sallën e intervenimeve”, thotë pacienti i Klinikës së kardiologjisë.

Pacientët vdesin, shifrat fshihen

Ne u përpoqëm të kontrollojmë nëse ekziston një lidhje midis projektit “Termini im” dhe shkallës së mortalitetit të pacientëve sepse deklarata të tilla arritëm të dëgjojmë nga mjekët dhe vetë pacientët.

Mjekja me të cilën biseduam ne, në kushte anonimiteti, nuk e përjashton mundësinë e këtillë, duke theksuar se megjithëse mjekët i kërkojnë shifrat lidhur me numrin e pacientëve të vdekur gjatë viteve të fundit, Ministria e shëndetësisë i fsheh këto të dhëna.

Tre viteve të fundit, me ndihmën e “Termini im” janë formuar mbi 1.835.000 dosje mjekësore nga të cilat plotë 15% gjenden në mjekësinë interne ose 1. 765.000 udhëzime, në vend të dytë gjendet oftalmologjia me 853.000 udhëzime, ndërsa në vend të tretë gjendet diagnostikimi me rentgen, me 786.000 udhëzime elektronike

I fshehin shifrat zyrtare sepse të njëjtat janë fatale“, sqaron mjekja me të cilën biseduam ne.

Një pacient i moshës shtatëdhjetë e tre vjeçe, i cili ndërroi jetë para një viti, në nëntor të vitit të kaluar është kërkuar sipas orarit të caktuar me “Termini im” për një kolonoskopi (analizë e mukozës së zorrës së trashë, në klinikën e gastroenterohepatologjisë në Shkup), njoftojnë burime spitalore. Sipas mjekëve që punojnë në këtë klinikë, pacienti u paraqit për kontroll katër muaj para vdekjes, por duke pritur terminin e tij, ai ndërroi jetë, ndërsa sistemi nuk i njeh pacientët që ndërrojnë jetë. Ndoshta për këtë rast nuk është fajtor projekti në fjalë, por edhe në rastin konkret detektohet një problem që lidhet me të.

„Telefonoi infermierja, si çdo ditë tjetër, për të përkujtuar pacientin se ka caktuar termin për kolonoskopi. Infermierja nuk dinte si të reagojë kur bashkëshortja e pacientit filloi të bërtas duke i treguar se ai kishte ndërruar jetë para dy muajsh, ndërsa vdekja e tij e kishte prekur shumë. Nëse duan të bëhen kontrolle sipas këtij projekti, atëherë dhe ta rregullojnë sistemin si duhet”, reagon një pjesë e mjekëve të Klinikës së gastroenterohepatologjisë.

Ky është vetëm një nga rastet kur një pacient ka ndërruar jetë duke pritur të bëj analizat e nevojshme. Ky rast ka nxjerr në pah të gjitha veprimet kontroverse dhe dyshimet lidhur me projektin “Termini im”, sidomos thashethemet se projekti mund të ketë një lidhje direkte me rritjen e normës së mortalitetit të pacientëve.

Deklaratat e këtij lloji nuk mund të vërtetohen me siguri sepse nuk ekzistojnë të dhëna statistikore zyrtare lidhur me numrin e pacientëve të vdekur nëpër spitalet vendase dhe nëse projekti në fjalë ka rritur ose ulur normën e mortalitetit, megjithëse vetë projekti funksionon mbi katër vjet. Të dhënat e vetme që mund të gjenden lidhur me këtë projekt janë kontrollet ose kontrollimi i mbi një milionë pacientëve nga dita e fillimit të realizimit të projektit.

Dr. Stavriq: Humbja e kohës së pacientëve në kërkim të asaj që i nevojitet më së shumti – mjekimit është evidente

Dr. Stavriq: Humbja e kohës së pacientëve në kërkim të asaj që i nevojitet më së shumti – mjekimit është evidente

Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës, në Maqedoni numri i të vdekurve gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 është rritur për 3,8%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, një korelacion direkt me projektin “Termini im” nuk mund të bëhet sepse nëse do të merren parasysh katër vitet e fundit, regjistrohet një rritje e vogël e normës së mortalitetit, por lidhur me këtë rritje duhet të deklarohen ekspertët. Në vitin 2015 janë regjistruar 20.461 të vdekur, në vitin 2014 janë evidentuar 19.718 vdekje, në vitin 2013 janë regjistruar 19.208 vdekje, ndërsa në vitin 2012 është evidentuar vdekja e 20.134 personave.

Një pjesë e mjekëve nuk përjashtojnë lidhjen me reformën në sektorin e shëndetësisë, para së gjithash si rezultat të “përkeqësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore si rezultat të projektit”, siç shprehet mjeku Stavriq. Ai sqaron se është evidente humbja e kohës së pacientëve gjatë kërkimit të asaj për të cilën kanë më së shumti nevojë – mjekimit.

„Për të gjitha këto arsye ka gjasa të jetë rritur norma e mortalitetit të sëmurëve sepse nuk është njësoj nëse një karcinomë (kancer)  do të kalojë tek kirurgu në fazën e parë, të dytë ose në fazën terminale të zhvillimit!“ thekson mjeku Stavriq.

Ai gjithashtu ka vërtetuar se përveç Ministrisë së shëndetësisë, askush tjetër nuk ka akses tek të dhënat e sakta që do të mundësonin një pamje të drejtë lidhur me situatat tragjike dhe numrin e pacientëve të vdekur nëpër institucionet shëndetësore publike.