Hulumtimet

„Kërpudha“ në Shën Nikollë „u kalb“ para kohe

Investitori holandez Teodorus Van Kampen, i cili bashkë me kryeministrin Nikolla Gruevski para dy vitesh hodhi gurëthemelin e ndërtimit të fabrikës së kërpudhave në Shën Nikollë, në vendin e tij të lindjes është akuzuar për fshehje tatimesh, ndërsa institucionet kompetente i konfiskuan një pjesë të pasurisë së tij. E gjithë kjo ka ndodhur gjatë kohës kur investitori holandez ka kontraktuar investimin në Maqedoni

Vetëm gjashtë kilometra larg qytetit të Shën Nikollës, në rajonin e Ovçepolisë, në një lokacion të braktisur dhe të izoluar, mbeti jashtë përdorimit konstruksioni gjigand i punuar me hekur. Ky konstruksion mbeti i rrethuar me një rrethojë dhe i mbyllur me dry pothuajse dy vjet ose që nga data 2 shkurt 2014, kur me një solemnitet u hodh gurëthemeli i fabrikës së prodhimit të kërpudhave. Vendi ku është ndërtuar objekti përkatës duket si një vend ideal për prodhimin e ushqimeve të shëndetshme. Në një largësi prej rreth pesëqind metra kalon rruga rajonale Veles – Shtip, ndërsa në afërsi kalon edhe një linjë hekurudhore.

Kjo pjesë e rajonit të Ovçepolisë ofron mundësi të shumta, por krijohet përshtypja se nuk ka fat për të tërhequr një investitor serioz. Sipas rrëfimeve të banorëve të zonës për këtë pjesë jepen vetëm premtime boshe dhe premtohen projekte të rrema, ndërsa zhvillimi i premtuar ekonomik zhduket si një flluskë sapuni në momentin e prezantimit të investitorit. Banorët e qytetit të Shën Nikollës vazhdojnë të flasin me mllef për mashtrimin e madh me biznesmenin indian Subrata Roj pas të cilit u paraqit një investitor i ri, i cili u promovua nga ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe nga kryetari i Shën Nikollës, Zoran Tasev.

Holandezi Teodorus van Kampen zgjoi shpresat e banorëve të Shën Nikollës, duke premtuar një investim në shumë prej 25 milionë euro për hapjen e një fabrike moderne për prodhimin e kërpudhave, ndërsa kryeministri Gruevski premtoi se do hapen 450 vende të reja pune. Siç na informoi kryetari i komunës, duke pasur parasysh shumën e investimit të huaj komuna e Shën Nikollës morri një vendim me të cilin liroi investitorin plotësisht nga detyrimet për të paguar tatime komunale.

Investitori akuzohet të ketë qenë shef i një grupi të organizuar kriminal

Kundrejt të gjitha premtimeve për ndërtimin e fabrikës, konstruksioni i hekurt që u ngrit gjashtë kilometra larg Shën Nikollës është dëshmia më e mirë se në këtë vend një kohë më të gjatë nuk investon askush / Foto: S. Mitreska

Kundrejt të gjitha premtimeve për ndërtimin e fabrikës, konstruksioni i hekurt që u ngrit gjashtë kilometra larg Shën Nikollës është dëshmia më e mirë se në këtë vend një kohë më të gjatë nuk investon askush / Foto: S. Mitreska

Në Shën Nikollë, ku punësim presin 450 individë, asnjëri nga personat kompetentë nuk ka informatë përse u stopua ndërtimi i fabrikës së kërpudhave. Gjithashtu, nuk dihet nëse investitori holandez ndërroi mendje lidhur me investimin në Maqedoni. Një përgjigje të qartë nuk morëm as nga institucionet e pushtetit qendror, as nga ato të pushtetit lokal dhe as nga investitori me të cilin u përpoqëm të kontaktojmë direkt.

Sipas shkrimeve të gazetarëve holandezë, problemi mund të jetë në ngritjen e akuzave të rënda kundër Teodorus Van Kampen në vendin e tij të lindjes. Ai është akuzuar për mashtrime tatimore në shumë prej rreth 10 milionë euro. Në vendin e tij të lindjes shteti i ka sekuestruar fabrika, objekte dhe avionin privat. Sipas raporteve të mediave, institucionet tatimore në Holandë kanë arritur të kthejnë rreth një milion euro me pasurinë e bllokuar.

„Teo К. (63 vjeç) është i akuzuari i parë me mega-hetimet e prokurorisë që janë ngritur lidhur me mashtrimet tatimore me që kapin shumën e të paktën 10 milionë eurove. Pasuria e tij është duke u konfiskuar“, thuhet në raportet e ueb faqes holandeze „Follow the money“.

Sipas raporteve të mediave, Teo Van Kampen ka qenë një nga anëtarët kryesorë të grupit të organizuar kriminal që është marrë me prodhimin e kërpudhave në Holandë. Sipas të dhënave të organeve hetimore, grupi i organizuar i kryesuar nga Kampen, kërpudhat që i ka ofruar në tregun vendas i ka prodhuar në Poloni, në vend që t’i prodhonte në Holandë, ndërsa për prodhimin e tyre a angazhuar fuqi të lirë punëtore ose punëtorë nga Bullgaria që kanë punuar ilegalisht.
Me investigimin tonë siguruam të dhënat se Van Kampen ka pasur firmë edhe në Poloni, por edhe në Britaninë e Madhe, të cilën e ka hapur në vitin 2008 dhe e ka mbyllur në vitin 2009. Përveç fshehjes së tatimeve, organet hetimore holandeze e kanë akuzuar Kampen edhe për keqpërdorime me bursat studentore.
Stefan Vermulen, një gazetar holandez që ka ndjekur rastin, në shkrimin e publikuar në ueb faqen „Follow the money“, me të cilin transmeton informatat e gjykimit të grupit të organizuar të kryesuar nga Kampen, thotë se në sallën gjyqësore kanë qenë të pranishëm edhe një pjesë e studentëve të dëmtuar. Kolegu ynë, Vermulen, në një deklaratë të dhënë për BIRN, thotë se kompania e Teo Van Kampen, që u hap në Holandë, është inkriminuar thellë në biznesin ilegal me kërpudhat:
„Teo Van Kampen dhe kompania e tij EFT ishin të dyshuarit kryesorë nga ana e prokurorëve publikë holandezë, të cilët i akuzuan për mashtrime të mëdha me biznesin evropian me kërpudha. Gjatë verës së vitit 2009 ai u arrestua bashkë me disa të akuzuar të tjerë, ndërsa Ministria e Drejtësisë konfiskoi një pjesë të pasurisë së tij private, përfshirë edhe avionin e tij privat. Deri në fund të vitit 2009 institucionet kompetente e akuzuan atë për fshehje tatimesh në shumë prej 10 milionë euro. Ndërkaq, mashtrimi tatimor mund të jetë akoma më i madh duke e pasur parasysh faktin që kërkesa prej 10 milionë euro ka të bëj vetëm me aktivitetet e tij që janë zhvilluar gjatë periudhës së viteve 2003 – 2005“ – thotë Vermulen.
Ai ka shtruar se ekziston mundësia që Van Kampen të ketë braktisur vendin sepse ai nuk u arrestua, të paktën jo pas vitit 2011.

„Në vitin 2011, kur unë e publikova skorien time, Van Kampen nuk ishte në burg dhe rasti kundër tij akoma nuk kishte kaluar në Gjykatë. Askush, përfshirë edhe institucionet holandeze, nuk e dinin ku gjendej atëherë Van Kampen. Burime të ndryshme dyshonin se ai mund të kishte shkuar në Poloni, por unë nuk e di nëse këto dyshime kanë qenë të sakta. Që atëherë Van Kampen nuk u burgos, ndërsa kërkesa lidhur me mashtrimin tatimor mund të ketë mbetur e hapur“, thotë Vermulen për BIRN.

Kontratat me Gruevskin janë lidhur që në 2011-ën

„Z. kryeministër, para tre vitesh, në zyrën tuaj ju premtova dhe sot mund të them se e mbajta premtimin“, deklaroi investitori Teodorus van Kampen gjatë solemnitetit të hedhjes së gurë themelit të fabrikës së kërpudhave, më 2 shkurt 2014”. / Foto: Qeveria e RM

„Z. kryeministër, para tre vitesh, në zyrën tuaj ju premtova dhe sot mund të them se e mbajta premtimin“, deklaroi investitori Teodorus van Kampen gjatë solemnitetit të hedhjes së gurë themelit të fabrikës së kërpudhave, më 2 shkurt 2014”. / Foto: Qeveria e RM

Periudha (viti 2011), gjatë të cilës Van Kampen ka qenë i pakapshëm për organet holandeze përputhet me qëndrimin e tij në Maqedoni dhe me kontratat fillestare lidhur me investimin në Maqedoni, që janë lidhur në kabinetin e kryeministrit Nikolla Gruevski:

„Z. kryeministër, para tre vitesh, në zyrën tuaj ju premtova dhe sot mund të them se e mbajta premtimin“, deklaroi investitori Teodorus van Kampen gjatë solemnitetit të hedhjes së gurë themelit të fabrikës së kërpudhave, më 2 shkurt 2014. Holandezi fillimisht kishte planifikuar të investojë 3,5 milionë euro, ndërsa gjatë pesë viteve në vazhdim kishte planifikuar të investonte rreth 20 milionë euro të tjera.

Gjatë aktit solemn me lopatat mori pjesë edhe kryeministri Nikolla Gruevski, i cili informoi për hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij fillimisht do të punësoheshin rreth 30 persona, ndërsa brenda disa viteve do të siguroheshin vende pune për plotë 450 persona të papunë të Komunës së Shën Nikollës.

„Ky investim do të gjallërojë rajonin dhe me të do të përfitojnë personat që do të punësohen dhe familjet e tyre, por edhe kompanitë në Maqedoni që do të bashkëpunojnë me fabrikën e re. Republika e Maqedonisë me klimën e saj të përgjithshme të biznesit dhe me aktivitetet e ndërmarra gjatë periudhës së kaluar është duke u shndërruar në një vend më tërheqës dhe më atraktiv për investitorët e huaj“, tha Gruevski.

Askush nuk e di përse dështon investimi i premtuar në shumë prej 25 milionë euro

Investitori holandez Teodorus van Kampen në biznesin “e madh” në Maqedoni (25 milionë euro të premtuara) u fut legalisht me ndihmën e dy kompanive të regjistruara me seli në Tetovë.

Me një kapital në shumë prej 5.000 euro, Van Kampen hapi firmën „I dhe D Ballkan SHPKNJP Tetovë”, tre vjet para hedhjes së gurëthemelit të fabrikës së kërpudhave. Të njëjtën ditë ai hapi edhe një tjetër firmë në të njëjtën adresë në Tetovë – „Shoqëria tregtare Instituti evropian i çertifikimit“. Sipas të dhënave të vërtetimit të Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë, kompania I dhe D Ballkan SHPKNJP nuk ka aktivitet prioritar prodhimin, por tregtinë me shumicë. Siç thotë gazetari Vermulen, e gjithë kjo ka ndodhur gjatë periudhës kur Van Kampen “u zhduk” nga vendlindja e tij..

Më vonë, ai ka blerë truallin në Shën Nikollë, për të cilin kryetari i komunës, z.Tasev, pohoi se ai ka paguar me kohë çmimin e truallit dhe se ndaj shtetit ai nuk detyrohet asnjë denar. Sipas deklaratës së Tasevit, investitori holandez u interesua seriozisht për biznesin që e filloi, por siç thamë edhe më sipër, nuk ka një përgjigje konkrete përse punët nuk kanë lëvizur nga pika fillestare rreth dy vjet:
„Unë nuk kam informata çfarë ka ndodhur me investitorin. Sa e di unë, ai ka mosmarrëveshje të caktuara në vendlindjen e tij dhe që kanë të bëjnë me qëllimin e tij për të transferuar kapitalin në një vend tjetër. Ai nuk ka detyrime ndaj komunës, që do të thotë se truallin mbi të cilën filloi të ndërtohet kërpudha është paguar plotësisht. Investitori holandez bile bleu edhe toka të tjera“, deklaroi kryetari Tasev, duke shtruar se tani për tani nuk janë dhënë informata lidhur me tërheqjen e investitorit holandez nga Maqedonia. Kryetari i komunës ka mbështetur mendimin e tij në faktin që në qytetin e Shën Nikollës vazhdon të funksionojë zyra e firmës së Van Kampen.
Ne ndërkohë bëmë përpjekje që me ndihmën e firmës së tij të sigurojmë informata plotësuese lidhur me problemet, por personat e angazhuar në firmën përkatëse deklaruar se nuk janë kompetentë për të dhënë informata.
„Unë nuk jam kompetente të jap informata. Do të njoftojë pronarin në Holandë lidhur me interesimin tuaj dhe pyetjet gazetareske“, tha shkurtimisht Biljana Kraleva Soltirova, punonjëse e I dhe D Ballkan SHPKNJP Tetovë, e pyetur për arsyet e bllokimit të punimeve për ndërtimin e kërpudhës dhe realizimin e investimit.
Disa ditë pasi kontaktuam me punonjësen e kompanisë, gjatë një bisede të shkurtër me telefon kuptuam se ajo kishte njoftuar pronarin me e-mail, por nuk ka fituar një përgjigje prej tij.

Dy javë më vonë ne bëmë një përpjekje tjetër për të vërtetuar nëse investitori ka kthyer një përgjigje lidhur me bllokimin e investimit, por personi tjetër i angazhuar në firmën përkatëse na sqaroi se Soltirova nuk do të jetë në punë gjatë 40 ditëve në vazhdim de se do të njoftohet me telefonatën tonë. Ndërkohë, ne nuk fituam një përgjigje nga firma I dhe D Ballkan SHPKNJP Tetovë.

Qeveria thotë të pyesim Komunën

Ne pyetëm edhe përgjegjësit e Agjencisë së investimeve të huaja përse është bllokuar investimi holandez që u promovua nga kryeministri Nikolla Gruevski, por ato sqaruan se një informatë të tillë duhet të fitojmë nga Komuna e Shën Nikollës sepse në projektin “Investoni në Maqedoni” nuk është përfshirë vetëm Agjencia, por edhe pushteti lokal.

Kundrejt të gjitha premtimeve për ndërtimin e fabrikës, konstruksioni i hekurt që u ngrit gjashtë kilometra larg Shën Nikollës është dëshmia më e mirë se në këtë vend një kohë më të gjatë nuk investon askush.

Në fakt, krijohet përshtypja se deklarata e Kryetarit të Komunës, Tasevit, e dhënë gjatë solemnitetit me të cilin u hodh gurë themeli i fabrikës, fshihet e gjithë ironia e investimit të dështuar holandez:

„Ky është një tjetër shembull për punën e Qeverisë së kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, me të cilën krijohen kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Pushteti lokal ka kontributin e vet për këtë që ndodh sot këtu“ (Zoran Tasev, 2 Shkurt 2014).

Tasevi: Na tha se pasuria e tij është ngrirë!

I pyetur nëse është i njohur me akuzat e ngritura kundër investitorit holandez Van Kampen në vendlindjen e tij dhe me sekuestrimin e pasurisë si rezultat të fshehjes së tatimeve, kryetari Tasev tha se: „Frozen”, këtë fjalë e përdori investitori, që do të thotë se pasuria e tij është ngrirë dhe nuk është konfiskuar. Nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë “.

Deklarata e Tasevit pa dyshim vërteton se pushteti lokal dhe logjikisht edhe pushteti qendror ose Qeveria të kenë ditur se investitori ka probleme me ligjin në vendlindjen e tij.

Tasevi megjithatë beson se fabrika e kërpudhave nuk do të jetë një investim i dështuar. Ai merr për bazë kontratën e shitblerjes që u lidh me Van Kampen, me të cilën është paraparë një klauzolë që i jep të drejtë pushtetit lokal të kërkojë investitori të paguajë taksat komunale (300 denarë për një metër katror), taksa këto nga të cilat investitori u lirua paraprakisht.

„Ne nuk kemi të drejtë t’i sekuestrojmë truallin në asnjë mënyrë. Megjithatë, kemi të drejtë të aktivizojmë aktvendimin e arkëtimit të taksës komunale në rastet e mosrealizimit të investimit. Sido që të jetë, afati i fundit i ndërtimit të kërpudhës është viti 2016“, tha kryetari Tasev.

Megjithatë, arkëtimi i mundshëm me forcë i taksës komunale nuk mund të vlerësohet si një dëmshpërblim i dështimit të investimit dhe nuk mund të jetë një lloj arsyetimi për qindra familjet që shpresuan se do të fitojnë të ardhura të sigurta me punësimin e të afërmve të tyre në fabrikën e kërpudhave.

„A nuk mjaftoi Subrata Roj”?

Bum investimesh. Punësime. Rilindje të Shën Nikollës. Këto tre parulla magjike, që ishin pjesë e arsenalit parazgjedhor të partisë VMRO – DPMNE gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur edhe u dhanë premtimet e ndërtimit të fabrikës së madhe të kërpudhave, të cilat nuk u shndërruan në vepra, për banorët e Shën Nikollës janë një “film” që e njohin mjaft mirë.

Këtë gjë e konfirmoi edhe dega lokale e partisë opozitare LSDM, këshilltarët e të cilës disa herë me radhë janë interesuar për rastin në fjalë.

„Punëdhënësi kryesor në Komunën e Shën Nikollës mbetet vetë komuna, më saktësisht partia në pushtet“ – thotë Zoran Nakov, kryetari i organizatës komunale të partisë LSDM, duke shtuar se “Komuna e Shën Nikollës pas dy mashtrimeve të mëdha, me të cilat u humbën shpresat, është në një gjendje mjaft të rëndë”.

Megjithatë, krijohet përshtypja se më të prekur janë banorët e Crnilishtes, fshati që gjendet 4 kilometra larg karabinës së hekurt të fabrikës së premtuar të kërpudhave sepse ato ndihen dyfish të gënjyer.

„A nuk mjaftoi Subrata Roj? I dhënë shumë tokë, një pjesë e të cilës gjendet afër fshatit Crnilishte“, thotë me mllef dhe gjeste nervozizmi Bllazhe Jovanov (45 vjet), një banor i fshatit Crnilishte dhe babai i dy fëmijëve.

Jovanovi është pa punë, njësoj si bashkëshortja e tij. Ai, njësoj si bashkëfshatarët e tjerë, është lënë në mëshirën e Zotit – „Nëse do Zoti do të kemi një vit të mbarë dhe pak denarë, sa për bukë“.

„Unë nuk e besoja se do të ndërtohet fabrika e kërpudhave. Premtimi për ndërtimin e kësaj fabrike erdhi pas dështimit me Subrata Roj dhe unë nuk e besoja se rajonit tonë do t’i ndodhte diçka e mirë, megjithëse deshën të më bindin se do të punësohem në fabrikën e kërpudhave“, tha Jovanovi.

Besimi dhe shpresat e humbura, varfëria dhe papunësia zakonisht janë arsyeja e vetme për të cilën popullata vendore braktis vendlindjen. Me këtë problem ballafaqohet i gjithë vendi.