Intervistat

Ajet Rexhepi nga komuna e Gazi Babës: makth për institucionet

„Unë jam i vetmi dhe askush tjetër nuk ka guxim të kërkojë një të drejtë me parashtrimin e një ankese“, thotë Ajet Rexhepi

„Unë jam i vetmi dhe askush tjetër nuk ka guxim të kërkojë një të drejtë me parashtrimin e një ankese“, thotë Ajet Rexhepi

Ai ishte kandidat i pazgjedhur për anëtarë në ad hoc komisionin për mbikëqyrjen e mediumeve me predispozita për të qenë lider sindikal, i cili nuk duron padrejtësinë. Ai reagon kundër diskriminimit gjinor. Reagon përse meshkujt diskriminohen për festën e 8-të marsit. Reagon përse komuna blen dhurata më të shtrenjta për punonjëset e angazhuara në kohë të pacaktuar, krahasuar me punonjëset e angazhuara me kohë të caktuar, por edhe kundër avancimeve joligjore dhe kundër diskriminimit.

Këmbëngulës, parimor dhe i palodhur është Ajet Rexhepi, i angazhuar në detyrën e këshilltarit të ekonomisë lokale në Komunën e Gazi Babës, i cili reagon ndaj çdo padrejtësie dhe në këtë mënyrë ai është një makth i vërtetë për drejtuesit e tij.

Ai i njeh mirë ligjet dhe i ndjek me kujdes të gjitha ndryshimet. I ka studiuar me kujdes të gjitha rregullativat lidhur me të drejtat e punëtorit, rregullisht parashtron ankesa pranë Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi dhe pranë zyrës së Avokatit të Popullit dhe është i gatshëm për të shfrytëzuar të gjitha mekanizmat e mundshme institucionale për ta vërtetuar padrejtësinë.

Ankesa e fundit e Ajet Rexhepit, një nga ankesat e tij të shumta, është parashtruar pranë Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, kundër drejtueses së Sektorit të çështjeve financiare pranë Komunës së Gazi Babës për diskriminim gjuhësor.

“Mua më thirri një koleg të bartim tavolinën e tij nga një zyre në tjetrën sepse komuna ia kishte caktuar të punojë në një zyre tjetër. Duke rregulluar tavolinën ne flisnim në gjuhën shqipe se si ta vendosim më mirë dhe për një moment kolegia, e cila duhej të punonte me kolegun tim, filloi të bërtas dhe të na qortoj pse flasim në gjuhën shqipe dhe ndoshta ne e ofendojmë atë sepse ajo nuk na kupton. Më pas ajo na paraqiti te drejtuesja e Sektorit, Marika Zafirovska. Kjo e fundit gjithashtu duke u thirrur në praktikën e zakonshme, kërkoi që në prezencë të personit të tretë të flitet në gjuhën maqedonase dhe se gjuhë zyrtare brenda hapësirave të komunës është gjuha maqedonase, qoftë edhe në komunikimin joformal”, sqaron Ajet Rexhepi.

“Unë mbeta i shtangur dhe vendosa ta paraqes rastin në Komision për mbrojtje nga diskriminimi”.

Komisioni fillimisht e refuzoi ankesën, por ankesa e dytë e Ajet Rexepit për të njëjtin rast është në procedurë shqyrtimi dhe ai pret që e njëjta të pranohet nga ana e Komisionit përkatës.

“Është e palogjikshme në komunikim joformal, për shembull kur bisedoj me bashkëshorten time në telefon, të flas në gjuhën maqedonase, qoftë edhe në rastet kur në zyrë gjendet një person i përkatësisë etnike maqedonase”, thotë Ajet Rexhepi.

Ai insiston të mos e kuptojnë gabimisht sepse siç thotë ai nuk bëhet fjalë për nacionalizëm.

“Unë gruan e kam të përkatësisë etnike turke. Ajo fëmijëve u flet në gjuhën turke, ndërsa unë në gjuhën shqipe. Fëmijët e mi në kopsht flasin në gjuhën maqedonase, në shkollë mësojnë gjuhën angleze dhe e kuptojnë gjuhën serbo-kroate. Më saktësisht, në shtëpinë time fliten 5 gjuhë”.

Ajet Rexhepi është një 42-vjeçar, i cili ka mbaruar Fakultetin ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në vitin 2008, ndërsa studimet e magjistraturës i ka mbaruar pas fitimit të një burse të pjesshme nga ana e Universitetit FON, po në këtë universitet, në Fakultetin ekonomik, në vitin 2015.

Para se të punësohet në komunë Ajet Rexhepi ka pasur edhe përvojë gazetareske, të cilën e ka fituar me angazhimin e tij në gazetën ditore “FAKTI” dhe me angazhimin në detyrën e redaktorit të një emisioni informativ në TV TOSKA. Si kuadër i partisë politike “Demokracia e Re”, në vitin 2006 Ajet Rexhepi ka qenë kandidat për postin e kryetarit të komunës së Gazi Babës, por në zgjedhjet përkatëse emri i tij u pozicionua në vendin e tretë, pas kandidatëve të partive VMRO DPMNE dhe LSDM, me 2600 vota.

Karakteristika e tij kryesore, që e dallon atë në rrethin ku vepron, është fakti që ai asnjëherë nuk ka hezituar të parashtrojë ankesa edhe për padrejtësinë më të vogël që i është shkaktuar tetë viteve të fundit brenda komunës, ku ai punon që nga viti 2005, në detyrën e këshilltarit të ekonomisë lokale.

Gjatë një interviste të dhënë për BIRN Ajet Rexhepi me plotë energji ka renditur një nga një të gjitha rastet kur ai ka dorëzuar parashtresa kundër komunës ose kundër drejtuesve të tij. Megjithëse ai ka dorëzuar një numër të madh parashtresash, të njëjtat pothuajse gjithmonë janë zgjidhur në favor të tij.

Siç sqaron ai, institucionet pranë të cilave është ankuar, siç janë Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, Avokati i Popullit dhe Inspektorati shtetëror administrativ, i kanë vërtetuar konstatimet lidhur me ushtrimin e diskriminimit etnik (gjuhësor), gjinor dhe formave të tjera të diskriminimit kundër tij.

Ajet Rexhepi për herë të parë ka dorëzuar një ankesë në vitin 2008, kur ka kërkuar të avancohet nga ana e kryetarit të komunës ose t’i njihet arsimi i lartë dhe të ngrihet në detyrë pa sistematizim, siç kishte ndodhur edhe me kolegët e tjerë.

Kërkesa e tij në fillim nuk u morr parasysh nga ana e kryetarit të atëhershëm të komunës së Gazi Babës, Koce Trajanovski. Dy vite më vonë, në zgjedhjet lokale, në detyrën e kryetarit të komunës u zgjodh Toni Trajkovski, i cili hapi një konkurs për sistematizimin e vendeve të punës, me të cilin Ajet Rexhepi dhe një kolegu i tij u ngritën në detyrë dhe u angazhuan në vendin e punës këshilltarë për ekonominë lokale brenda komunës.

Si rezultat të insistimit se rregullat nuk mund të përdoren ose zbatohen në mënyrë selektive, Ajet Rexhepi që në vitin 2008 ka prishur raportet me një pjesë të kolegëve të tij, pa marrë parasysh se si rezultat të procedurave të tij ato kanë pasur përfitime direkte.

Ai ka bërë përpjekje për rritjen e rrogave në përgjithësi, por ka ngritur zërin kur kjo e drejtë ka filluar të zbatohet në mënyrë selektive. Detyrimi ligjor për rritjen e rrogave të nëpunësve shtetëror nënkuptoi rritjen e rrogave të të gjithë kolegëve të tij për 5 për qind.

„Nuk fitova as edhe një çokollatë në shenjë falënderimi”, thotë me shaka Ajet Rexhepi, duke mbyllur historinë e tij lidhur me përpjekjet për 5 përqindëshin e rrogës.

Ai rrëfen një tjetër rast me të cilin ka shkaktuar mllef tek kolegët e tij. Legjislacioni vendas ka paraparë që të gjithë nëpunësit shtetëror që kanë mbaruar nivelin master të fitojnë shtesë rroge  në shumë prej një mijë e pesëqind denarë.

Kjo dispozitë ligjore u tërhoq në mars, vitin kur Ajet Rexhepi u bë magjistër shkencash, gradë të cilën e fitoi në maj të të njëjtit vit. Megjithëse ka qenë i vetëdijshëm për shfuqizimin e dispozitës ligjore përkatëse, por edhe për faktin që kolegët e tij kanë vazhduar të marrin shtesën e rrogës, Ajeti ka kërkuar që edhe ai të marrë shtesë rroge, por kërkesa e tij është refuzuar.

I njeh ligjet, megjithëse nuk është jurist.

„I ndjek që në kohën e zhvillimit të debatit publik, i lexoj dhe shpesh i komentoj ligjet në rrjetet sociale“.

Ajet Rexhepi ka vërejtje serioze për Ligjin e ri të nëpunësve shtetëror, për të cilin thotë se ndryshohet shumë shpesh. Sipas tij, elementi më kontestues i ligjit është mënyra e angazhimit në shërbimin e shtetit.

„Për shembull kërkojnë testimin e integritetit, testim ky që paguhet, kërkojnë dokumente që nuk duhet të jenë më të vjetra se gjashtë muaj, diplomë të vërtetuar në noter e të tjera, dokument këto që për personat pa punë nënkuptojnë shpenzime. Më saktësisht, një person i papunë detyrohet të bëj shpenzime, por pa qenë i sigurt nëse do të punësohet apo jo”, sqaron Ajet Rexhepi.

Me këtë rast ai ka parashtruar një ankesë pranë Inspektoratit shtetëror administrativ, me të cilën inspektorati ka vendosur që nëpunësit shtetëror të mos marrin më shtesa rroge, duke i detyruar ato të kthejnë paratë e marra pas shfuqizimit të dispozitës ligjore që ka rregulluar këtë çështje.

“Që nga ai moment kolegët që i kisha edhe shok filluan të mos flasin me mua dhe më fshinë nga listat e miqve të tyre në Facebook, duke menduar se unë jam arsyeja për të cilën ua mbajtën paratë dhe i detyruan të kthejnë paratë që i kishin fituar në mënyrë kundërligjore. Unë nuk kam pasur për qëllim t’i dëmtoj”.

Ajet Rexhepi është ankuar edhe kundër diskriminimit gjinor me rastin e festës së 8 Marsit. Pasi komuna ka refuzuar të paguaj rrogën e trembëdhjetë, me sqarimin se nuk ka mjete të mjaftueshme në buxhet, shënimi i festës së 8 Marsit ka aktivizuar alarmin e tij.

Më saktësisht, pa një vendim të Këshillit është vendosur që femrat e punësuara në komunë të festojnë 8 Marsin në një restorant dhe secila prej tyre të fitojë dhuratë vauçer, por me shuma të ndryshme.

“Në rasti konkret kemi të bëjmë me dy lloje diskriminimi“, sqaron Ajet Rexhepi.

„Së pari parashtrohet pyetja përse të shpërblehen vetëm femrat me paratë e buxhetit të komunës dhe së dyti pse ato që janë punësuar me vendime pune fituan kuponë me nga tre mijë denarë, ndërsa femrat që janë punësuar me kontratë në vepër fituan kuponë me nga një mijë e pesëqind denarë. Ky lloj shpërblimi paraqet diskriminim edhe në bazë të vendit të punës“.

Ai gjithashtu shprehet i kënaqur që konstatimet e tij lidhur me diskriminimin i ka vërtetuar edhe Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe zyra e Avokatit të Popullit.

Ajet Rexhepi thotë se qi nuk ka për qëllim të ngrejë padi dhe të parashtrojë ankesa. Ai gjithmonë preferon të merret vesh me organet kompetente dhe t’u tregojë atyre gabimet, me qëllim që gjërat të funksionojnë më mirë Megjithatë ai në asnjë rast nuk pranon thënien “hesht dhe duro”. Dhe ka mbetur i vetëm kundër kësaj thënieje.

„Unë jam i vetmi dhe askush tjetër nuk ka guxim të kërkojë një të drejtë me parashtrimin e një ankese“, thotë Ajet Rexhepi, duke shprehur në një moment keqardhje që gjërat funksionojnë në një mënyrë të tillë.

“Jam shumë i lodhur, por dua të ketë drejtësi për të gjithë, pa marrë parasysh dallimet. Unë nuk pendohem dhe do të vazhdoj edhe më tej të vepron në të njëjtën mënyrë, sidomos tani që jam në rrjedhë dhe me kondicion të mirë”, ka shtuar Ajet Rexhepi.

Mbështetjen më të madhe në këtë lloj misioni ai e fiton nga bashkëshortja.

“Ajo është e vetëdijshme se unë i njoh mirë ligjet ose të paktën ligjet lidhur me administratën dhe e di që jam një person i përgjegjshëm që nuk lejon padrejtësinë”, thotë në fund të bisedës Ajeti, i cili vazhdon të ushtrojë detyrën e këshilltarit në komunën e Gazi Babës.