Hulumtimet

Ulja e papunësisë na kushton rreth 60 milionë euro

Për 7 vjet institucionet kompetente harxhuan 57 milionë euro për programet me të cilat u punësuan 47.000 persona të papunë. Ekspertët janë të mendimit se efekte mbi lehtësimin e problemit të papunësisë janë të vogla

Sipas të dhënave të Agjencisë së punësimit, për shtatë vjet ose nga viti 2008 deri në fund të qershorit të vitit të kaluar numri i të papunëve u ul për 124.188.

Në fund të korrikut të vitit 2015 në Agjencinë e punësimit janë regjistruar gjithsej 219.175 persona të papunë. Që nga viti 2007 është duke u realizuar Plani operativ i punësimit me të cilin sipas drejtorit të Agjencisë, z.Vlatko Popovski, janë hapur 47.000 vende të reja pune.

„Shteti siguron mjete buxhetore për lloje të ndryshme programesh me të cilat duhet të hapen vende të reja pune. Të gjitha modelet janë përfshirë me dy kanale, më saktësisht me kreditim ose mundësim të kredive me kushte të favorshme, por të kushtëzuara dhe me mundësimin e granteve në formën e ndihmës financiare për personat që duan të fillojnë një biznes. Me këto forma janë hapur 47.000 vende të reja pune. Bëhet fjalë për punësime që janë realizuar si rezultat të programeve tona të subvencionimit, trajnimeve, praktikës, edukimeve TI dhe granteve“, thotë z.Vlatko Popovski, Drejtori i Agjencisë së Punësimit.

Në Agjencinë përkatëse sqarojnë se kryesore janë dy modelet e vetëpunësimit, më saktësisht modeli i vetëpunësimit me ndihmë që nuk duhet kthyer dhe modeli i dytë i punësimit me kredi, modele këto që kanë një qëllim ose hapjen e vendeve të reja të punës.

Modeli i vetëpunësimit filloi të realizohet për herë të parë gjatë mandatit të ish drejtores së Agjencisë së punësimit, znj. Biljana Jovanovska. Nga kjo distancë kohore ajo thotë se ndoshta nuk është vështirë të jesh pjesë e listës së programeve të këtij lloji dhe të marrësh kredi për të filluar një biznes, por parashtrohet pyetja si të vazhdohet pas periudhës së subvencionimit dhe a kanë mbetur në punë personat që u angazhuan në firmat e hapura me subvencionimet përkatëse.

„Ideja fillestare ishte të motivohen dhe të mbështeten financiarisht personat e papunë, ndërsa qëllimi kryesor ishte që këto persona të bëhen pjesë e familjes së biznesit privat. Megjithatë, kjo ide në vitin 2010 u shndërrua në një strategji marketingu që kishte për qëllim kryesor uljen me çdo kusht të numrit të papunëve. Më vonë ideja dhe synimi morën një drejtim tjetër, ndërsa nga viti 2010 gjëja më e rëndësishme është ulja me çdo çmim e numrit të të papunëve. Jepu para dhe lëri të mundohen. Shteti mu mundëson 3.000 euro dhe shpëton 10.000 euro sepse shteti nuk ka më për detyrë të paguaj për këto individë sigurime shëndetësore, të holla ose kontribute të tjera financiare sociale dhe njëkohësisht këto persona detyrohen të paguajnë taksa në forma të ndryshme“, thotë ish drejtorja e Agjencisë së punësimit, znj. Biljana Jovanovska.

Një nga këto masa shfrytëzoi edhe një banor i Shkupit, i moshës 30-vjeçe, i cili duke kërkuar zgjidhjen e problemit ekzistencial për vetveten dhe për familjen e tij të re vendosi të shfrytëzojë ofertën e marrjes së një kredie shtetërore me normë të lirë interesi.

„Në kërkim të një zgjidhjeje u paraqita në një nga konkurset me të cilat ofrohej ndihma shtetërore. Morëm kredi me një nga masat e ofruara dhe unë fillova biznesin e vogël. Fillimi ishte i vështirë, punë administrative, dokumente, detyrime dhe tatime. Megjithatë, unë isha i vendosur të vazhdojë më tej. Pas një periudhe më të gjatë minusi i llogarive filloi të mbulohet. Kur mendova se më në fund do të vijnë ditë më të mira vijoi goditja. I ballafaquar me kontrollet e vazhdueshme, pagesa dhe gjoba, punët brenda disa javëve morën drejtimin e kundërt“, thotë banori i Shkupit, i cili tani është një person i papunë.

Në Agjencinë e punësimit pranojnë ka biznese që shuhen dhe vende pune që mbyllen, por thonë se shkalla e shuarjes së firmave të reja nuk është alarmuese.

„Analizat tona tregojnë se shkalla e shuarjes së bizneseve të reja varion nga 25% deri në 30%, që do të thotë se deri më tani kanë vazhduar të funksionojnë nga 71% deri në 75% të firmave të reja, që për mendimin tim është një nivel i mirë“, thotë drejtori Popovski.

Nga viti 2008 deri në qershor të vitit 2015 nga listat e personave të papunë, në të gjitha format, janë fshirë plotë 784.195 persona. Agjencia e punësimit bën përmbledhjen e të dhënave në nivel mujor lidhur me uljen e numrit të të papunëve, ndërsa analizimi i të dhënave në nivel vjetor zbardh të dhëna shqetësuese sipas të cilave për vetëm tetë vjet me masën “Lidhja e kontratave të punës” nga listat e personave të papunë janë fshirë 343.931 persona, ndërsa 440.264 persona janë fshirë me masa ose shkaqe të tjera, siç janë paraqitja jo e rregullt në Agjenci ose dalja në pension.

Çmim i shtrenjtë për uljen e nivelit të varfërisë – a ka efekte?

Në kohën kur Agjencia e punësimit në fund të qershorit 2015 në Maqedoni evidentoi 219.175 persona të papunë, sipas Entit të Statistikës të njëjtën periudhë në Maqedoni janë evidentuar 256.596 persona të papunë, që do të thotë se është regjistruar një shkallë papunësie prej 26,8%.
„Ulja e papunësisë nga 38% në 26,8% ose për një të tretën është rezultati më i mirë i Qeverisë që është arritur gjatë 9 viteve të fundit dhe është siguruar me shumë punë dhe me zbatimin e shumë reformave. Qëllimi i fundit është deri në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018 papunësia të ulet nën 22%“, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i financave Zoran Stavreski, duke vlerësuar indikatorët e kuartalit të dytë ekonomik të këtij viti.

Statistika zyrtare tregon se viteve të kaluara është ulur shkalla e papunësisë dhe sipas vlerësimeve të deritanishme të Qeverisë kjo ulje para së gjithash është rezultat i programeve aktive të punësimit dhe vetëpunësimit.

Shuma e mbështetjes buxhetore të vendeve të reja të punës është duke u rritur nga viti në vit. Analiza e detajuar e të dhënave të fituara me analizën e buxhetit të Agjencisë së punësimit zbardh se nëntë viteve të fundit për programet e punësimit janë shpenzuar 57 milionë euro, me dinamikën në vazhdim:

budzetska-poddrska

Në kohën kur në nivel vjetor janë duke u shpenzuar miliona euro për uljen e shkallës së papunësisë, një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se masat e shtrenjta të këtij lloji tani për tani më shumë kanë dimensione populistike sesa ekonomike. Sipas profesores universitare Maja Gerovska-Mitev, e cila ka marrë pjesë në shumë hulumtime lidhur me politikat sociale dhe aktive të punësimit, masat e deritanishme qeveritare për punësim nuk janë një zgjidhje për problemin e papunësisë së strukturuar.

„Punësimi me subvencionime nuk mund të përmirësojë vetvetiu kualifikimet e personave të papunë dhe nuk mund të garantojë se punëtori do të mbetet pjesë e tregut të punës pas skadimit të kushteve të punësimit me subvencione. Gjithashtu, një tjetër arsye është fakti që nuk ka një ofertë për aktivizimin e personave të papunë që kërkojnë punë për një kohë më të gjatë ose atyre që janë pa arsim ose me arsim të nivelit të ulët. Nuk lejohet që në kushtet e një norme të lartë papunësie afatgjate kjo kategori personash të mos ketë një ofertë adekuate dhe mbështetje për punësim“, thotë profesorja Gerovska-Mitev.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së punësimit zbardhin të dhëna alarmuese lidhur me strukturën e personave të papunë, pikërisht sipas nivelit të arsimit. Sipas këtyre të dhënave, në fund të kuartalit të dytë të vitit 2015, në listën e të papunëve aktivë janë evidentuar 122.257 persona. Po sipas këtyre të dhënave 47.135 ose 38,5% kanë qenë pa arsim, një grup-qëllimor i cili sipas profesores Gerovska-Mitev është grupi më problematik i cili kërkon një zgjidhje strukturore.

Sipas ekonomistëve pa e zgjidhur çështjen e përgatitjes profesionale dhe mungesën e kualifikimeve punuese, nuk mund të sigurohen as zgjidhje për papunësinë e madhe.

Analisti ekonomik Branimir Jovanoviq, i cili është anëtar i lëvizjes majtiste “Solidariteti” vlerëson se masat e punësimeve me subvencionime do të kenë efekte afatshkurtra që do të përfundojnë pas mbylljes së programit ose pas ndalimit të masave të subvencionimit.

Duke marrë për bazë statistikën zyrtare, analisti Jovanoviq vlerëson se masat e punësimit kanë ulur nivelin e papunësisë nga 36%, sa ka qenë në vitin 2006, në 28% në vitin 2014, ndërsa shkalla e punësimit u rrit për 110.000 të punësuar. Megjithatë, ai thotë se të dhënat nuk mund të analizohen të izoluara nga niveli i lartë i ekonomisë së zezë.

„Sipas një hulumtimi që e kam zhvilluar unë, 70.000 nga 110.000 punësimet e reja në fakt janë vetëm një kalim nga ekonomia e zezë. Kjo nuk do të thotë se nuk është rritur niveli i punësimit dhe do të thotë se kemi të bëjmë me një rritje shumë më të vogël se ajo që zbardhet me të dhënat zyrtare, më saktësisht kemi të bëjmë me rreth 40.000 punësime. Pjesa më e madhe e këtyre 40.000 personave të punësuar janë angazhuar në sektorin publik. Arsyeja kryesore qëndron në faktin që pothuajse të gjitha masat e punësimit që janë marrë nga kjo qeveri kanë të bëjnë me uljen e shpenzimeve të punës (me uljen e tatimeve dhe kontributeve) dhe jo me detektimin e problemeve strukturore“, thotë ekonomisti Jovanoviq.

Sipas Planit operativ vjetor të punësimit, duhen hapur 16.226 vende të reja pune. Gjithashtu, Qeveria në prill promovoi edhe projektin “Maqedonia punëson”, me të cilin deri në shkurt 2016 janë punësuar 13.000 persona.

„Ky projekt jep rezultate dhe do të vazhdojë të realizohet deri në fund të prillit. Me këtë projekt kompanitë kursejnë shumë, më saktësisht 1.500 deri në 2.000 euro për çdo vend pune që do të hapet“, deklaroi zëvendësministri i punës dhe politikës sociale, z. Dime Spasov.

A mund të jenë vetëm kreditë shtetërore dhe ndihma e pakthyeshme zgjidhja e problemit të papunësisë?

Masat e punësimit dhe vetëpunësimit u pritën në mënyra të ndryshme nga bashkësia e biznesit për të cilën qeveria ofron lehtësime plotësuese, por edhe detyrime, në rastet e shfrytëzimit të masave për hapjen e vendeve të reja të punës.

Në Lidhjen e dhomave ekonomike të Maqedonisë thonë se efektet e masave qeveritare lidhur me punësimin duhet të japin rezultate gjatë këtij viti.

„Ne e dimë se një pjesë e madhe e shpenzimeve të kompanive janë për rrogat e punonjësve. Masat e punësimit të të rinjve dhe kompleti i ri i masave të Projektit “Maqedonia punëson”, si dhe subvencionimi i punësimeve direkte në kompanitë dhe trajnimet për punonjësit e rinj janë më shumë se të mirëseardhura për kompanitë që kanë plane për zgjerimin e aktiviteteve të tyre dhe kanë nevojë për punësime të reja”, thonë në Lidhjen e dhomave ekonomike të Maqedonisë.

Një pjesë e biznesmenëve thonë se masat qeveritare janë populiste dhe nuk janë një zgjidhje afatgjate për uljen e nivelit të papunësisë

Një pjesë e biznesmenëve thonë se masat qeveritare janë populiste dhe nuk janë një zgjidhje afatgjate për uljen e nivelit të papunësisë.

„Unë nuk i kam shfrytëzuar masat qeveritare dhe mendoj se bëhet fjalë për masa populiste, të cilat në një afat më të gjatë nuk do të japin rezultate lidhur me uljen e numrit të të papunëve dhe rritjen e shkallës së punësimit. Nevojiten masa dhe strategji afatgjate. Nga ana tjetër, nuk duhet menduar se paratë ose subvencionet që i jep qeveria për punësime kompanitë nuk do t’i kthejnë në çfarëdo lloj forme, me rritjen e tatimeve, taksave etj.”, thotë biznesmeni Menderes Kuçi.

Në Dhomën ekonomike të Maqedonisë thonë se një pjesë e anëtareve të tyre shfrytëzojnë subvencionet për punësime dhe vlerësojnë se ato janë pozitive. Megjithatë, duhet theksuar se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të ulur shkallën e papunësisë në vend.

„Sipas njohurive tona, në firmat anëtare të Dhomës, që shfrytëzojnë këto masa, janë punësuar gjithsej 206 persona, 106 nga të cilat janë angazhuar në industrinë e tekstilit, një pjesë në firmat e ndërtimit, një pjesë në industrinë e punimit të mbathjeve, në industrinë ushqimore dhe në veprimtarinë botuese. Sipas qëndrimeve të anëtareve tona, nuk është reale të pritet se të gjithë personat e punësuar do të mbeten në vendet e tyre të punës sepse vazhdimi i angazhimit të tyre do të varet edhe nga gatishmëria e tyre për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat që vijojnë me angazhimin në punë. Për sa u përket firmave anëtare të Dhomës, më shumë se gjysma e personave të punësuar kanë mbetur në vendet e tyre të punës. Këto masa janë të mira, por nuk janë të mjaftueshme sepse papunësia në vendin tonë është një problem strukturor dhe shumëvjeçar “, thonë në Dhomën ekonomike të Maqedonisë.

Ministria e punës dhe politikës sociale, e cila ka fituar një nga buxhetet më të mëdha sepse është ministria kompetente për mbështetjen e personave të papunë, nuk dha përgjigje lidhur me efektet e pritura nga masat e punësimit, sa nga bizneset e hapura funksionojnë me sukses dhe përse krahas masave shtetërore për rritjen e shkallës së punësimit Maqedonia vazhdon të ketë një nga shkallët më të larta të papunësisë në Evropë.
Me një nga analizat e fundit vjetore të Komisionit Evropian, shkalla e lartë e papunësisë vazhdoi të trajtohet si problemi kryesor që shoqërohet me një sërë vërejtjesh.

„Sipas të dhënave të fundit të Anketës së fuqisë punëtore (2014), shkalla e papunësisë shumëvjeçare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është jashtëzakonisht e lartë dhe në vitin 2013 ka qenë 23,9%. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shkallë papunësie katërfish më të lartë, krahasuar me shkallën mesatare evropiane dhe me shkallën më të lartë shumëvjeçare të papunësisë në vendet anëtare të BE-së (Greqia me 18,5% në vitin 2013)“, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Në vend të strategjisë populiste për papunësinë nevojitet një strategji stabile

Ekonomistët thonë se zgjidhjet duhen kërkuar shumë më thellë dhe në një mënyrë sistematike.
„Nuk mund të presim ulje të shkallës së papunësisë me qasje parciale, siç është projekti më i ri i quajtur “Maqedonia punëson”, me të cilin efekti kryesor lidhur me hapjen e vendeve të punës pritet nga lirimi i punëdhënësve nga detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme sociale. Kjo qasje është fatale, si për shtetin social, ashtu edhe për fondet e saj, por edhe për subjektet që paguajnë rregullisht kontributet sociale dhe për vetëdijen lidhur me të drejtat sociale”, vlerëson profesorja Gerovska-Mitev.

Problemi i efekteve të dobëta të masave të punësimit analisti Jovanoviq e gjen edhe në mungesën e reformave reale në sektorin publik.

„Sfida kryesore është reforma e sektorit publik. Duhet përmirësuar funksionimi i sektorit publik, më saktësisht sigurimi i të mirave dhe shërbimeve publike. Në sektorin publik problemet burojnë nga partizimi, më saktësisht nga mendimi se ato të cilët në një mënyrë të caktuar kanë dhënë kontribut për partinë duhen shpërblyer për kontributin e dhënë me punësimin e tyre në sektorin publik. Kjo praktikë duhet të ndalojë. Njëherë e përgjithmonë duhet implementuar praktika e punësimit objektiv dhe profesional dhe për këtë gjë duhet vullnet politik, i cili në Maqedoni ka munguar deri më tani“, thotë ekonomisti Jovanoviq.

Dyzetë e shtatë mijë vendet e reja të punës, që u hapën brenda nëntë viteve, i kushtuan shtetit 57 milionë euro ose 1.213 euro për një vend pune, shumë kjo e përafërt me dy e gjysmë rroga mesatare bruto. Midis personave që provuan masat qeveritare, por pa pasur sukses, është edhe banori i Shkupit, i cili duhet të kthejë kredinë me kamatë që e mori për të filluar biznesin.

„Mbylla firmën dhe shtetit duhet t’i kthej dyfishin e mjeteve me të cilat më ndihmoi“, thotë ai.

Personat e përfshirë me Planin operativ të punësimit, që nuk arritën suksese në biznes, fshihen nga lista e personave të papunë.

„Rreth 12% të kredive të lëshuara janë kredi problematike, që për mendimin tim nuk është një nivel i lartë. Ka persona që nuk i kthejnë kreditë me kohë dhe ballafaqohen me probleme“, thotë Vlatko Popovski, Drejtori i Agjencisë së punësimit.

Një status të tillë për momentin ka edhe banori i Shkupit, i cili provoi masat qeveritare dhe u bë një person i papunë dhe një person që humbi të drejtën e evidentimit në listën e të papunëve që kërkojnë punë në mënyrë aktive, të cilët kanë të drejtë të shfrytëzojnë programet e ndihmave dhe mbështetjes së punësimit.