Hulumtimet

Klasat të ftohta – administrata “e fryrë”

Arsimi vendas çdo vit rrëfen të njëjtën histori. Ditëve të para me temperatura të ulëta mediat transmetuan me të madhe deklaratat e prindërve dhe nxënësve që mësojnë në shkolla të ndryshme në të gjithë vendin, të cilët ankohen se mësojnë në klasa të ftohta, për arsye se një pjesë e shkollave nuk kanë siguruar ngrohje

Një pjesë e shkollave vendase nuk kanë siguruar ngrohje, megjithëse sezoni i ngrohjes tashmë ka filluar. Në rrethana të tilla parashtrohen pyetet përse ky problem që duket banal nuk mund të zgjidhet me vite dhe a zbulon paaftësia e komunave dhe pushtetit për të siguruar ngrohje dobësi serioze në sistemin e arsimit, që kanë të bëjnë me mungesën e parave që nevojiten për një funksionim normal të shkollave vendase.

Të dhënat me karakter publik tregojnë që 80% të mjeteve financiare që pushteti i derdh në llogaritë e komunave për nevojat arsimit fillor harxhohen për rrogat e punonjësve të këtyre shkollave. Për sa i përket arsimit të mesëm, për rrogat e punonjësve harxhohen 70% të mjeteve që i fitojnë komunat nga buxheti i shtetit, ndërsa përllogaritjet zbardhin se arsimit në nivel vjetor i mungojnë 60 milionë euro për një funksionim normal.

Terr shtatori për nxënësit, shkollat me llogari të bllokuara

Në qershor të këtij viti, si rezultat të mospagimit të faturave të energjisë elektrike, shkollës fillore “Vëllezërit Milladinovci”, në Strugë, iu ndërpre furnizimi me energji elektrike. Tre muaj më vonë, pa energji elektrike nisi edhe viti i ri shkollor 2015/2016. Kjo shkollë është një nga nëntë shkollat fillore të Strugës, të cilat këtë vit shkollor e nisën me xhirollogari të bllokuara. Në Strugë nëntë nga gjithsej 11 shkolla filluan vitin e ri shkollor me xhirollogari të bllokuara, ndërsa në shtatë prej tyre nxënësit u ulën në bankat e shkollave në terr, për arsye se objektet e shkollave në fillim të vitit shkollor ishin pa energji elektrike.

Një pjesë e prindërve të nxënëse nga Struga thonë se nuk e mbajnë mend që gjendja e shkollave të ketë qenë kaq e rëndë. Dimçe Shipinkaroski, prindër i një nxënësi të shkollës “Vëllezërit Milladinovci”, sqaron se gjendja e shkollës është larg të qenit normale.

„Në shekullin 21 nxënësit të gjithë shtatorin ndoqën mësimin pa energji elektrike, e cila u ndërpre më 18 qershor. Parashtrohet pyetja përse deri më sot nuk u gjet zgjidhje për problemin në fjalë. Sipas të dhënave që i ka siguruar Këshilli i prindërve, shkolla për energji elektrike ka një borxh prej nëntë mijë euro. Ne kemi edhe një problem tjetër. Nuk kemi transport për fëmijët që jetojnë mbi dy kilometra larg objektit shkollor, megjithëse këtyre fëmijëve me ligj u është garantuar e drejta e transportit“, thotë Dimçe Shipinkaroski, prindër i një nxënësi të shkollës “Vëllezërit Milladinovci” dhe anëtar i Këshillit të prindërve.

Në komunën e Strugës sqarojnë se deri në shtator borxhi i nëntë shkollave fillore për faturat e papaguara të energjisë elektrike ka qenë 102.439 euro, borxh ky i cili në shtator i la shkollat me xhirollogari të bllokuara dhe pa energji elektrike. Megjithatë, ndërkohë u krijua një tjetër borxh që kap shumën e dy milionë denarëve ose 32.520 euro, shumë kjo që tashmë ka arritur për t’u paguar. Komuna e Strugës ndërkohë u obligua të paguaj edhe këtë borxh me mjetet e komunës.

Sipas kryetarit të komunës së Strugës, problemi në fjalë është shumë më e thellë dhe më serioz.

„Plotë 90% të mjeteve financiare që i fitojmë në formën e dotacioneve bllok për nevojat e arsimit shpenzohen për rrogat e punonjësve, ndërsa për shpenzimet korrente mbeten vetëm 10% të mjeteve, që nuk mjaftojnë për mbulimin e shpenzimeve përkatëse. Nga ana tjetër, kriteri kryesor për ndarjen e mjeteve financiare është numri i nxënësve. Në këtë rajon numri i nxënësve është duke u ulur, ndërsa shpenzimet mbeten të njëjta ose shënojnë rritje. Në rrethana të tilla zgjidhja duhet kërkuar në uljen e numrit të kuadrove mësimore, që të kemi më shumë mjete për funksionimin korrent të shkollave. Megjithatë, problemi nuk janë vetëm paratë e ngrohjes, por edhe transporti i nxënësve. Ne në nivel ditor kemi shpenzime që kapin shumën e tre mijë eurove për transportin e nxënësve. Për të gjitha këto shpenzime dhe probleme ne tashmë kemi njoftuar Bashkësinë e njësive të vetëqeverisjes lokale“, sqaroi kryetari Sela.
Në maj të këtij viti prindër nga Manastiri para medieve u ankuan se shkollat në të cilat mësojnë fëmijët e tyre nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për të mbuluar nevojat ditore, gjendje kjo që i ka detyruar ato vetë të blejnë materiale për nevojat e procesit arsimor. Sipas burimeve të komunës së Manastirit, të njëjtën periudhë dhjetë nga gjithsej 17 shkollat komunale kanë punuar me xhirollogari të bllokuara, ndërsa borxhi i përgjithshëm i shkollave të Manastirit arriti shumë e dy milionë eurove, borxh ky i krijuar për transportin e nxënësve, për energji elektrike, ujë, ngrohje dhe pagesa komunale.

Vasko Kovaçevski, deputet i partisë LSDM nga Manastiri, thotë se problemi me përllogaritjen e borxheve qëndron tek mungesa e transparencës dhe përpjekja e pushtetit lokal të fshihen shumat e borxheve.

„Është fakt që pjesa më e madhe e drejtorëve në llogaritë përfundimtare të shkollave i fshehin borxhet e shkollave të tyre, ndërsa një pjesë e tyre, siç është rasti me Shkollën fillore “Taki Daskallo”, llogaritë përfundimtare nuk i publikojnë në dërrasën e shpalljeve, megjithëse kemi të bëjmë me një detyrim ligjor, duke sqaruar se llogaritë e shkollës janë një sekret afarist i vetë shkollës“, thotë Kovaçevski.

Sipas tij, Komisioni i arsimit, pranë Kuvendit të komunës së Manastirit, ka vërtetuar se borxhet e përgjithshme të shkollave fillore dhe të mesme për momentin kapin shumën e rreth 50 milionë eurove. Megjithatë, sipas deputetit Kovaçevski, borxhet e përgjithshme të shkollave kapin shumën e 80 milionë eurove, ndërsa debitorë më të mëdhenj janë shkollat “Taki Daskallo” dhe ajo e mjekësisë “Dr.Jovan Kallauzi”.

Sipas një pjese të këshilltarëve lokal të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, shkollat janë futur në borxhe si rezultat të një mase, me të cilën ishte dashur të lehtësohen dhe përmirësohen kushtet e përgjithshme të nxënësve.
„Ky problem ka zanafillën e vetë në vitin 2008, me fillimin e transportit falas të nxënësve. Si çdo tjetër projekt i ri, ashtu edhe ky projekt, me implementimin e tij filluan të shfaqen problemet, por nuk mund të jem dakord me konstatimin se nuk janë duke u marrë masa për tejkalimin e problemeve financiare të shkollave“, tha Sonja Karapashovska, këshilltare e partisë VMRO-DPMNE.

Borxhet e Strugës dhe Manastirit, „imazhi“ i gjendjes së të gjithë vendit

Sipas të dhënave të fundit të Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, në fund të vitit 2014 borxhi i përgjithshëm i të gjitha shkollave, për faturat e energjisë elektrike, taksat komunale dhe për transporti e nxënësve, ka arritur në 16,2 milionë euro. Ndërkaq, zyrtarët e BNJLV kanë sqaruar se bashkësia nuk mban më evidenca lidhur me borxhet e shkollave, ndërsa për të dhëna konkrete lidhur me këtë çështje na kanë drejtuar në Qeveri.
„BNJVL nuk ka të dhëna për borxhet e përgjithshme të komunave, borxhe këto që mund të jenë krijuar për arsye të ndryshme. Borxhet janë një kategori variabile dhe për evidentimin e tyre kujdeset Ministria e Financave, por edhe vetë njësitë e pushtetit lokal në veçanti“, sqaruan zyrtarët e BNJLV.

Një nga komisionet në kuadër të BNJLV, ai i arsimit dhe sportit, i cili merret me trajtimin e problemeve në nivel lokal, në një nga seancat e tij konstatoi se problem më nuk janë vetëm borxhet e vjetra, por edhe pamundësia e shkollave për të paguar faturat e reja.

“Në arsim borxhet shënojnë një rritje të vazhdueshme. Nuk paguhen as borxhet e vjetra, për të cilat rriten edhe shumat e kamatave. Si rezultat të kësaj gjendjeje një numër i madh shkollash kanë mbetur me xhirollogari të bllokuara dhe nuk janë në gjendje të sigurojnë ngrohje dhe transport për nxënësit. Gjendja më alarmuese regjistrohet në komunën e Strugës dhe në atë të Kërçovës, ku për një kohë të shkurtër u bojkotua edhe mësimi, si rezultat të pamundësisë të sigurohet ngrohje“, vlerësoi Komisioni i arsimit.

Plotë 80% të parave të arsimit shpenzohen për rroga

Me procesin e decentralizimit komunat fituan një lloj pavarësie financiare, por me këtë proces atyre nuk iu falën borxhet e vjetra, ndërsa të ardhurat e ulëta të njësive të vetëqeverisjes lokale rezultuan me krijimin e borxheve të reja.

Mjetet financiare të pushtetit qendror në llogaritë e njësive të vetëqeverisjes lokale derdhen në formën e dotacioneve bllok, që përfshijnë dotacionet për nevojat e arsimit, kulturës, mbrojtjes sociale dhe dotacionet qëllimore.

Sipas të dhënave të llogarisë përfundimtare të buxhetit, katër viteve të fundit me pikën “dotacionet e përgjithshme bllok”, në emër të komunave, për të gjitha shpenzimet e tyre, janë derdhur 1,1 miliardë euro. Mbi 90% prej tyre kanë qenë dotacione qëllimore për nevojat e arsimit, të ndara nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe të derdhura në llogaritë e komunave, të cilat më vonë ua ndajnë shkollave.

“Modelin e transferim të mjeteve financiare nga niveli qendror në nivel lokal, që pastaj të derdhen në llogaritë e shkollave, mund ta përshkruajmë me shprehjen ‘paratë që ju mungojnë gjejini vetë’ ose kërkoni projekte dhe donacione. Nga ana tjetër shkollat nuk mund të sigurojnë kushtet elementare të punës“, thotë profesori universitar Nenad Novkovski, ish ministër i arsimit dhe shkencës.

Me shqyrtimin e të dhënave të buxhetit mund të konstatohet se pjesa më e madhe e mjeteve financiare që ndahen për nevojat e arsimit shpenzohen për rrogat e punonjësve. Enti shtetëror i revizionit, me raportin e tij të fundit, zbardhi se 80% të mjeteve financiare që i fitojnë komunat shpenzohen për rrogat e punonjësve të tyre.
„Dotacionet bllok për arsimin e mesëm dhe fillor, që u ndahen komunave nuk i plotësojnë nevojat e tyre. Me ndihmën e analizës së të dhënave të komunave vërtetuam se 80% të mjeteve financiare që i fitojnë ato harxhohen për rrogat e punonjësve të shkollave, ndërsa 10 deri në 20% të këtyre mjeteve kalojnë për mbulimin e shpenzimeve materiale të arsimit fillor. Për sa i përket arsimit të mesëm, 65-70% të dotacioneve bllok kalojnë për rrogat e punonjësve, ndërsa 30-35% shpenzohen për mbulimin e harxhimeve materiale “, thuhet në raportin e Entit shtetëror të revizionit, që ka të bëj me procesin e zbatimit të decentralizimit.

Të dhënat në fjalë i konfirmoi edhe Komisioni i arsimit dhe sportit, pranë Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale.

„Nga shuma e përgjithshme e dotacioneve bllok për nevojat e arsimit komunat për rrogat e punonjësve të shkollave shpenzojnë 67%, ndërsa në raste të caktuara kjo përqindje arrin në 96%“, njoftoi Komisioni i arsimit dhe sportit, gjatë një takimi të BNJVL, që u zhvillua pikërisht lidhur me problemet financiare të shkollave.

Zyrtarët e BNJVL sqarojnë se tema e borxheve të komunave, që këto të fundit i kanë në fushën e arsimit, është një temë që diskutohet shpesh në mbledhjet e Këshillit drejtues të bashkësisë përkatëse, për edhe një temë që diskutohet shpesh edhe gjatë mbledhjeve të Kuvendit të përgjithshëm. Duke ditur që problemi daton që nga fundi i vitit 2009 janë përgatitur disa analiza, janë organizuar takime me ministritë kompetente dhe është kërkuar të ndryshohet tarifa e pagimit të ngrohjes dhe energjisë elektrike. Analizat e BNJVL tregojnë se problemi i borxheve në fushën arsimit mund të tejkalohet në disa mënyra.

Një nga këto mënyra parasheh rritjen e shumës së dotacioneve bllok për nevojat e komunave, por si faktorë plotësues mund të shfaqen edhe ulja e numrit të punonjësve të shkollave, mbyllja e një pjese të shkollave, etj. Një indikator pozitiv për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme është numri i madh i shkollave të meremetuara, të cilave me ndihmën e projekteve për efikasitetin energjetik iu ulën shpenzimet në një masë të madhe. Një pjesë e shkollave filluan të ngrohen me gaz, që gjithashtu rezultoi me uljen e shpenzimeve të tyre. Ndërkohë, një pjesë e shkollave blenë furgona për të organizuar transportin e nxënësve. Në këtë kontekst, Qeveria komunave me borxhe më të mëdha disa herë u ndau naftë nga rezervat e shtetit, për të anashkaluar bllokimin e xhirollogarive të tyre”, sqaruan zyrtarët e Bashkësisë e njësive të vetëqeverisjes lokale.

Sipas Elena Ivanovska, drejtuese e Sektorit të arsimit fillor dhe të mesëm, pranë Ministrisë së Arsimit, fajtorë për një pjesë të problemeve me financat janë vetë komunat, të cilat duhet t‘i sigurojnë ministrisë me kohë të dhënat e duhura.
„Deri në fund të qershorit planifikohet buxheti i ministrisë, i cili i dorëzohet Ministrisë së Financave. Për dotacionet bllok merret për bazë numri i nxënësve dhe për këtë arsye duhet treguar një seriozitet më i madh lidhur me racionalizimin e rrjetit të shkollave sepse janë konstatuar një numër i madh paralelesh të tepërta, që shkakton një nivel të lartë shfrytëzimi të mjeteve të dotacioneve bllok për rrogat e mësimdhënësve. Në këtë mënyrë shkollave u mbeten më pak mjete financiare që duhen shpenzuar për zbatimin e procesit arsimor”, sqaroi Ivanovska.

Nga ana tjetër, profesori Nenad Novkovski problemin në fjalë e trajton si një tërësi dhe vlerëson se me shumat e mëdha që shpenzohen për rrogat e punonjësve, modeli i tanishëm i financimit të arsimit në nivel lokal vë në pikëpyetje të gjithë sistemin e arsimit.

„Me modelin e tanishëm të financimit të arsimit në nivel lokal rrezikohet plotësisht funksionimi i shkollave. Nga njëra anë ne shohim se si Qeveria promovon libra falas, por nga ana tjetër shkollat nuk kanë para për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike ose ngrohjes, pra nuk kanë mjete financiare për të mbuluar nevojat elementare“, shtoi profesori Nenad Novkovski.

Zyrtarët e BNJVL gjithashtu sqarojnë se komunat ballafaqohen edhe me problemin e vonesës së transferimit të mjeteve financiare, por edhe me transferimin jo të plotë të shumave që është paraparë ti fitojnë komunat.

„Viteve të fundit kemi pasur raste kur komunat janë ankuar se nuk i kanë fituar dotacionet bllok. NBe menjëherë pas pranimit të ankesave u drejtohemi ministrive përkatëse, duke kërkuar që dotacionet përkatëse të paguhen sa më shpejtë të jetë e mundur. Pra kemi pasur edhe raste të tilla. Një vit komunat mbetën pa këstin e fundit, të dymbëdhjetin, të dotacioneve bllok. Më saktësisht, ato fituan të holla vetëm për punonjësit, por jo edhe për mbulimin e shpenzimeve materiale“, sqaruan në BNJVL.

Pushteti qendror dhe lokal akuzojnë njeri-tjetrin, problemi do thellohet

Arsimi vendas çdo dimër rrëfen të njëjtën histori / Foto: 24 Vesti

Arsimi vendas çdo dimër rrëfen të njëjtën histori / Foto: 24 Vesti

Praktika tregon se modeli i tanishëm i financimit të arsimit fillor dhe të mesëm në nivel lokal jo vetëm që nuk siguron kushte pune elementare, por gjendja e tanishme ka tendenca përkeqësimi.
Sipas Dekreteve mbi metodologjinë e definimit të kritereve për shpërndarjen e dotacioneve bllok në arsimin fillor dhe të mesëm për vitin 2016, mjetet financiare do të ndahen sipas kritereve në vazhdim: shuma fillestare sipas komunave, numri i nxënësve sipas komunave, numri i nxënësve që ndjekin mësimin, numri i nxënësve me nevoja të veçanta, numri i popullatës, etj.

Sipas të dhënave që janë konstatuar me kontrollet e Entit shtetëror të revizionit, tre viteve të fundit nuk kanë ndryshuar kriteret e ndarjes së dotacioneve bllok për arsimin fillor dhe të mesëm, megjithëse Komisioni i kontrollimit të zhvillimit të sistemit të financimit të komunave ka dhënë rekomandime mbi nevojën e realizimit të ndryshimeve.

Komisioni ka propozuar që shuma e dotacioneve bllok për arsimin të harmonizohet me rritjen e shpenzimeve të jetës dhe me normën e inflacionit, të përmirësohet rrjeti i tanishëm i shkollave, në aspektin e racionalizimit të shpenzimeve dhe uljes së shpenzimeve të transportit të nxënësve, në mbështetje të ndryshimit të ligjit mbi arsimin e mesëm.

„Me kontrollimin e dokumentacionit të komunave dhe sipas të dhënave të fituara nga ministritë kompetente, ne konstatuam se shuma e dotacioneve bllok vite me radhë ka mbetur e pandryshuar (2012, 2013 dhe 2014), që ka imponuar nevojën e mjeteve plotësuese nga buxheti kryesor i komunave, ndërsa nga ana tjetër bie në sy rritja e shumës së detyrimeve të pashlyera të një pjese të komunave”, thuhet në raportin e revizorit të shtetit.
Ish ministri i Arsimit, Nenad Novkovski, është i mendimit se mënyra e tanishme e ndarjes së mjeteve financiare dhe pamundësia e komunave, një pjesë e të cilave janë “zhytur” në borxh, për të mbuluar mungesën e mjeteve financiare vë në pikëpyetje funksionimin e sistemit të arsimit.

„Vetë raporti i shpenzimit të mjeteve financiare për nevojat e arsimit është alarmues. Nëse rreth një dekadë më parë 90% e mjeteve financiare shpenzoheshin për rrogat e punonjësve dhe për mbulimin e shpenzimeve korrente të arsimit, sot 90% të këtyre mjeteve shpenzohen vetëm për rrogat e punonjësve të arsimit. Në rrethana të tilla është e qartë se pjesa më e madhe e komunave kanë probleme financiare serioze dhe nuk janë në gjendje të financojnë arsimin nga kasa komunale, ndërsa vetë shkollat kanë vështirësi për të siguruar donacione ose të ardhura“, thotë Novkovski.

Ndërkaq, burimet e BNJVL sqarojnë se sipas analizave të papublikuara të vetë bashkësisë, Qeveria transferon 30% më pak të mjeteve financiare për nevojat e arsimit, në nivel lokal. Më konkretisht nevojitet që shuma në fjalë të rritet për një të tretën e shumës që e fitojnë komunat nga buxheti i shtetit, që nxënësit të mësojnë në kushte normale. Nga ana tjetër komunat duhet të bëjnë racionalizim dhe ndarje më të mirë të klasave, që të sigurojnë numër optimal nxënësish, me resurset që i kanë në dispozicion. E gjithë kjo nënkupton të anashkalohet mësimi me pak ose me numër shumë të madh nxënësish në një shkollë ose klasë dhe të bëhet një organizim më i mirë. Në këtë mënyrë mund të ulen shpenzimet e shkollave, para së gjithash shpenzimet lidhur me energjinë elektrike, ngrohjen, transportin e nxënësve, por edhe shpenzimet e mësuesve dhe profesorëve.

Në 56 komuna, nga gjithsej 80 komunat vendase, plus Qyteti i Shkupit, funksionojnë shkolla fillore dhe të mesme, ndërsa në 44 komuna ka vetëm shkolla fillore. Për sa u përket borxheve, përveç atyre të Strugës, Kërçovës dhe Manastirit, borxhe të mëdha kanë edhe shkollat e Tetovës dhe Kumanovës, ndërsa më kritike është gjendja në komunat në të cilat është duke u ulur numri i nxënësve, duke u rritur paralelisht edhe shpenzimet.

Katër viteve të fundit për arsimin në nivel lokal nga buxheti i Ministrisë së Arsimit janë paguar një miliard euro. Sipas vlerësimeve të kryetarëve të komunave, ekspertëve dhe përfaqësuesve të Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, për një funksionim normal të procesit arsimor kjo shumë nevojitet të rritet për 30% për qind. Më saktësisht, në nivel vjetor mungojnë rreth 60 milionë euro, mjete këto që nevojiten për të siguruar zhvillimin e papenguar të procesit arsimor.