Hulumtimet

Televizionet rajonale “jetojnë” me paratë e komunave

Televizionet e reja rajonale, që konsiderohen të afërta me pushtetin, përveç me reklamat qeveritare që tashmë nuk janë më në lojë, financohen edhe me paratë e komunave. BIRN zbulon se, megjithëse në aspektin e shikueshmërisë janë në fundin e listës, disa nga televizionet kanë nënshkruar kontrata milionëshe për “shërbime televizive, informim dhe reklamim”, kontrata këto të lidhura për nevojat e komunave

Shikueshmëria e televizioneve rajonale nuk është me rëndësi në rastet kur komunat zgjedhin mediat në të cilat do të promovohen, zbardh krahasimi i të ardhurave me rejtingun e medieve në fjalë. Hulumtimi i BIRN zbardh se një pjesë e komunave me paratë e buxhetit reklamohen në televizionet pa audiencë, të cilat në raste të caktuara nuk kanë as pajisje.

Në këtë mënyrë televizione të caktuara rajonale janë dhjetë herë më fitimprurëse, krahasuar me televizionet e tjera, duke krijuar konkurrencë jolojale dhe duke shkelur rregullat e tregut.

Televizioni i Shtipit „Kanali plus“ dhe ai i Manastirit me emrin „HD TV Mega“, megjithëse sipas analizave të Agjencisë shtetërore të mediave kanë një audiencë shumë të vogël, fitojnë këste mujore nga buxhetet e komunave për të informuar dhe reklamuar. Kontrata të ngjashme kanë edhe televizionet „Telekanali А1“ me komunën e Vallandovës, një kontratë kjo që kushton 295.000 denarë në vit dhe televizioni „К tre“, i cili ka lidhur kontratë me Komunën e Kriva Pallankës dhe siç qëndron në kontratë ajo bën prezantimin e komunës për një shumë prej 24.560 denarë në muaj. Ndërkaq, televizioni i Ohrit me emrin „О2“, ka lidhur dy kontrata me pushtetin lokal.

Mediat në fjalë janë pjesë e grupit të televizioneve me brende të reja, të cilat brenda një dite në vitin 2013 u blenë nga tre firma të reja me seli në Shkup. Për një vit audienca e tyre mbeti e ulët, por njëkohësisht u rritën në mënyrë drastike të ardhurat e këtyre televizioneve. Nëse 27 televizionet rajonale vjet regjistruan të ardhura në shumë prej 4,9 milionë euro, vetëm 6 televizionet në fjalë arritën të fitojnë 2,7 milionë ose më shumë se gjysmën e shumës së përgjithshme që e fituan të gjitha televizionet.

Një lloj ilustrimi ofrojnë të dhënat e analizës së Agjencisë së mediave që u realizua në vitin 2014, e cila vërtetoi se krahasuar me vitin 2013 të ardhurat e televizioneve rajonale u rritën në të gjitha rajonet radiodfuzive për plotë 59,15 për qind. Rajoni i Shkupit, megjithëse ka pasur fitim më të madh, nuk është rritur krahasuar me vitet e mëparshme.

Me „audiencë zero“, por me kontratë dy herë më të shtrenjtë

Televizioni i ri rajonal i Shtipit me emrin „Kanali plus“ fitoi më shumë të holla nga komuna, megjithëse sipas vlerësimeve të Agjencisë së mediave ky televizion ka një shikueshmëri prej zero për qind

Televizioni i ri rajonal i Shtipit me emrin „Kanali plus“ fitoi më shumë të holla nga komuna, megjithëse sipas vlerësimeve të Agjencisë së mediave ky televizion ka një shikueshmëri prej zero për qind

Nuk dihet saktë sa marrin pjesë në të ardhurat e televizioneve rajonale paratë e qytetarëve që ndahen nga buxhetet e komunave, por duke u nisur nga shumat e kontratave të cilat i kanë lidhur disa nga komunat me televizionet rajonale relativisht të reja, mund konstatohet se shumat e të hollave përkatëse nuk janë të vogla. Ndërkaq, për komunat nuk ka qenë me rëndësi audienca ose sa janë të kapshme për publikun programet e këtyre televizioneve.

Televizioni i ri rajonal i Shtipit me emrin „Kanali plus“ ka fituar shumën më të madhe të të hollave nga komuna përkatëse, megjithëse sipas vlerësimeve të Agjencisë së medieve ky televizion ka një shikueshmëri prej zero për qind. Kryetari i komunës së Shtipit dhe shumica e këshilltarëve vijnë nga radhët e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Televizioni me emrin „Kanali plus“ ka lidhur një kontratë me vlerë një milion e dyqind mijë denarë pa TVSH për shërbime televizive për nevojat e komunës. Sa për krahasim, televizioni më i shikuar në Shtip, „Iris“, sipas analizës përkatëse të Agjencisë së medieve, ka lidhur një kontratë vjetore me komunën e Shtipit me vlerë 496.000 denarë me TVSH. Për këtë qëllim komuna ka fituar një zbritje prej 10% nga televizioni „Iris“, në rast se gjysma e parë e shumës së kontratës do të paguhet në formë avance gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Thënë më ndryshe, televizioni më i shikuar, „TV Iris“, rezulton të jetë tre herë më i lirë se televizioni „Kanali Plus“.

Me një shikueshmëri prej zero për qind është televizioni me brend të ri i Manastirit, „HD TV Mega“, i cili njësoj si ai i Shtipit ka lidhur një kontratë informimi dhe reklamimi me komunën e Manastirit, në territorin e të cilës funksionon.

Në mbështetje të Ligjit për qasje tek informatat me karakter publik BIRN arriti të sigurojë kontratën e lidhur midis Televizionit „HD TV Mega“ dhe administratës së komunës së Manastirit. Megjithatë, kontrata e firmosur nga kryetari i komunës Vlladimir Taleski dhe drejtori i televizionit, Marjan Neçak, pa u saktësuar shuma e saj. Pjesë e kontratës është çmimorja e detajuar e televizionit, por jo edhe çmimi që e paguan komuna me paratë e qytetarëve për „blerjen, zhvillimin dhe riprodhimin e programeve“.

Televizioni i Ohrit „О2“ ka lidhur dy kontrata me komunën e Ohrit „për blerjen e termineve për prezantim televiziv dhe transmetim“. Me përgjigjen me shkrim të komunës se nuk i fituam kontratat në fjalë, megjithëse i kërkuam të njëjtat me kërkesën përkatëse drejtuar komunës. Komuna me përgjigjen e saj ka sqaruar se ka lidhur dy kontrata dhe se secila prej tyre nuk mund të jetë më e shtrenjtë se 30.000 denarë në muaj.

Nuk kanë pajisje, por transmetojnë seancat

Paratë e komunave mbeten një alternativë e sigurt për financimin e televizioneve rajonale, pasi që Qeveria ndaloi reklamimin nën presionin e opinionit, si rezultat të negociatave politike dhe pas insistimeve të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas Raportit për reklamat qeveritare, gjashtë televizione rajonale paraprakisht ishin kanalet kryesore të transmetimit të fushatave qeveritare.

Një lloj „vegle“ për financimin e televizioneve rajonale me paratë e komunave janë edhe kontratat për transmetimin e seancave të këshillave të komunave. Komuna e Velesit që para katër muajsh ka lidhur një kontratë me televizionin TV „К1“, i cili nga qyteti i Kavadarit u transferua në Veles. Para pak kohësh edhe ky televizion fitoi pronar nga Shkupi. Pronar i këtij televizioni u bë redaktori i ueb faqes „Kurir“, Sashe Stojanovski. Zëdhënësi i komunës së Velesit, Martin Majstorov, për BIRN deklaroi se televizioni në fjalë do të transmetoj pa pagesë seancat e këshillit të komunës, por ai nuk na e siguroi kontratën e lidhur me TV „К1“.

„Komuna e Velesit nuk mund të lëshoj asnjë dokument ose informatë që mund të dëmtojë interesat komerciale dhe ekonomike, si dhe interesat e tjera të ofruesit të shërbimeve“, sqaroi zëdhënësi i komunës së Velesit. Zyrtarët e kësaj komune gjithashtu sqaruan se oferta e TV „К1“ për transmetimin e seancave të këshillit të komunës është zgjedhur me furnizime publike me kontraktim të drejtpërdrejt.

Nga ana tjetër Angel Zdravkin, pronari i televizionit „Zdravkin“, i cili me vite merret me transmetimin e seancave të këshillit të komunës thotë se furnizime publike për qëllimin në fjalë nuk ka pasur asnjëherë.

„Televizioni K1“ ka lidhur kontratë megjithëse nuk ka pajisje për të filmuar dhe transmetuar. Ky televizion është duke i përdorur shërbimet e një tjetër televizioni nga Velesi. Asnjëherë nuk ka pasur furnizime publike dhe gjithçka është zhvilluar kokë më kokë“, tha Zdravkin për BIRN.

Tani për tani pa një konfirmim mbetet informata sipas të cilës televizionet rajonale në të njëjtën mënyrë do të lidhin kontrata me komunat e tjera, për transmetimin e seancave të tyre.

Transmetimi televiziv i seancave nuk është diçka e re. Komuna e Strumicës që para disa vitesh ka lidhur kontratë për transmetim të mëvonshëm të seancave të këshillit të saj me televizionin „Vis“. Kryetari komunës, Zoran Zaev, gjatë shtjellimit të buxhetit të vitit 2015 tha se për shërbimet televizive komuna e drejtuar prej tij do të ndajë një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë denarë.

Sipas zëdhënësit Lupço Aleksovski, komuna e Gjevgjelisë nga buxheti i saj paguan nga 55.000 denarë në muaj në llogarinë e televizionit „Nova“, i cili fitoi tenderin e transmetimit të seancave të këshillit të komunës.

Televizioni i Shtipit „Kanali plus“ ka lidhur edhe një tjetër kontratë me komunën e Dellçevës. Megjithëse pushteti lokal i Dellçevës ka një borxh të përgjithshëm që kap shumën e mbi tre milionë eurove, çdo muaj nga buxheti i komunës paguhen nga 22.000 denarë për shërbime televizive për nevojat e komunës.

Të afërta me pushtetin, anashkalojnë tatimet

Pothuajse identike janë kontratat që i kanë lidhur me komunat televizionet e tjera rajonale që posedohen nga tre kompanitë e Shkupit, të cilat brenda një dite blenë gjashtë televizione. Ligji jep të drejtë që një kompani të posedojë dy televizione në dy rajone të ndryshme. Në mbështetje të ligjit përkatës kompania nga Shkupi „GM Trejd“ është pronare e televizioneve „HD TV Mega“ nga manastiri dhe „Kanali plus“ nga Shtipi. „DMT Prodakshën“, gjithashtu me seli në Shkup, është kompani pronare e televizionit „Ultra“ nga Tetova dhe televizionit „О2“ nga Ohri, ndërsa firma e tretë nga Shkupi, „Emperijan vizion“, është pronare e dy televizioneve nga Dibra dhe Strumica – „Kanali tre“ dhe „Telekanali А1“

Gjashtë nga gjithsej 27 televizionet e regjistruara rajonale u takojnë këtyre tre kompanive me seli në Shkup, të cilat me një manovrim dhe blerjen e televizioneve rajonale mbuluan me sinjal të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të Shkupit.

Tre pronarët e kompanive në fjalë, Goran Mitev, Dragan Mitovski dhe Emil Parnaxhiski, brenda një dite të vetme i regjistruan firmat, ndërsa dhjetë ditë më vonë i blenë televizionet rajonale. Sipas hulumtimit të Mediapedia, të tre pronarët e përmendur lidhen drejtpërdrejt me partinë në pushtet VMRO-DPMNE.

Të tre pronarët e rinj të televizioneve shfrytëzuan momentin e fillimit të procesit të digjitalizimit të medieve, kur u ripërtërin lejet e punës së radiodifuzerëve. Ndërkaq, fitimi i lejes për hapjen e një televizioni të ri kërkon shumë kohë dhe shumë dokumente, por me blerjen dhe riregjistrimin tre pronarët e sipërpërmendur transformuan me shpejtësi pronësinë e televizioneve rajonale përkatëse.

Tre kompanitë me seli në Shkup, të cilat brenda një dite paguan 110.000 euro për blerjen e gjashtë televizioneve rajonale, sipas të ardhurave të paraqitura ose të deklaruara, kthyen dhjetëfishin e mjeteve të investuara. Të gjashtë televizionet rajonale kanë deklaruar se në vitin 2014 kanë fituar 2,7 milionë euro.

Më tipik është rasti i televizionit më fitimprurës, TV „Ultra“ nga Tetova, i cili nga reklamimi ka fituar 30,11 milionë denarë, ndërsa në vend të dytë në aspektin e të ardhurave të fituara me reklamat, por me një shumë shumë më të ulët, gjendet TV „Koha“, me 9,11 milionë, televizion ky që vepron në të njëjtin rajon.

Pas televizionit „Ultra“, i cili gjendet në majën e listës së ta ardhurave të siguruara me reklamat, sipas analizës së Agjencisë së medieve, shuma relativisht të larta kanë deklaruar edhe televizionet „HD TV Mega“ nga Manastiri – 24,65 milionë denarë, „Telekanali A1“ nga Strumica – 24,53 milionë denarë, TV „Kanali 1“ nga Velesi – 23,9 milionë denarë, TV „О2“ nga Ohri – 22,65 milionë denarë, TV „K tre“ nga Kumanova – 20,14 milionë denarë dhe TV „Kanali tre“ nga Dibra – 20,79 milionë denarë. (Analiza e tregut 2014, burimi Agjencia e mediave).

Pronare e televizionit “K tre”, me seli në Kumanovë, është firma NVSP nga Shkupi, e cila ushtron aktivitetin e saj edhe në biznesin me radiot. Kjo firmë është pronare e Radio Maqedonia e lirë. Brenda një viti kjo radio arriti të pozicionohet në vendin e dytë në aspektin e të ardhurave, krahasuar me radiot e tjera në nivel nacional, duke fituar 22,69 milionë denarë nga reklamat.

Megjithëse kanë siguruar të ardhura të mëdha, një pjesë e këtyre mediave nuk duan të heqin dorë nga fitimi dhe të paguajnë tatimet ndaj shtetit.

Televizioni më i pasur TV „Ultra“ nga Tetova detyrohet ndaj shtetit me një milion e dyqind e gjashtëdhjetë e dy denarë për TVSH. Erdhe televizioni nga Ohri, „О2“, detyrohet ndaj shtetit me 581.000 denarë për TVSH. Këto të dhëna janë marrë nga Lista e turpit, listë kjo që përgatitet nga Drejtoria e të hyrave publike, e muajit maj të këtij viti. Ndërkaq, pronari i dy televizioneve rajonale, Dragan Mitkovski, është edhe pronar i firmës së kontabilitetit „Mitkovski ММ“ dhe kryetar i Dhomës së kontabilistëve, pranë Lidhjes së dhomave ekonomike.

Jemi në prag zgjedhjesh dhe mënyra e ndjekjes së zgjedhjeve do ta konfirmojë rolin e televizioneve rajonale me pronarë të rinj dhe arsyet për të cilat janë blerë atë. Më saktësisht do të vërtetojë nëse televizionet janë blerë për qëllime biznesi ose për qëllime politike.