Hulumtimet

Komunat me xhirollogari të bllokuara shkelin ligjin dhe krijojnë borxhe të reja

Gjykatat vendase çdo vit bllokojnë xhirollogaritë e rreth një të tretës së komunave. Borxhi i përgjithshëm i komunave me xhirollogari të bllokuara vlerësohet në të paktën 50 milionë euro. Komunat me xhirollogari të bllokuara krijojnë borxhe të reja dhe në raste të caktuara funksionojnë duke shkelur ligjin

Duke u nisur nga borxhet e komunave dhe numri i banorëve të tyre, mund të konstatojmë se kryesia e tanishme e komunës së Shtipit çdo banorin e saj e ka futur në një borxh prej 40 euro, ndërsa ajo e Karposhit banorët e saj i ka futur në një borxh prej 137 euro secilin prej tyre. Rekordere për shumën e borxhit është komuna e Ohrit, e cila secilin nga banorët e saj e ka futur në një borxh mbi 600 euro. Duke marrë për bazë shumën e borxhit, e cila vlerësohet në rreth 30 milionë euro, komunës së Ohrit i duhen plotë gjashtë vjet për ta kthyer borxhin, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos bëj asnjë lloj shpenzimi tjetër.

Edhe shumë komuna të tjera vendase, pa dallim të numrit të banorëve dhe përkatësisë partiake të kryetarëve të tyre, ndodhen në gjendje të rëndë financiare, për daljen nga e cila janë duke pritur ndihmën e Qeverisë. Në rast se borxhet nuk janë një problem i madh për komunat që drejtohen nga kryetarët e partive në pushtet, ato janë problem për komunat që drejtohen nga opozita. Ndërkaq, funksionimi në formën e njësive të veçanta të vetëqeverisjes lokale i shumë komunave të vogla dhe rurale pothuajse varet plotësisht nga mëshira e Qeverisë.

BNJVL:

„Analiza e fundit, që e përgatitëm në vitin 2008, zbuloi se një e treta e komunave kanë qenë me xhirollogari të bllokuara, ndërsa borxhi i tyre i përgjithshëm ka qenë rreth 50 milionë euro. Që atëherë nuk kemi zhvilluar një analizë të re, por kryetarët e komunave vazhdimisht ankohen se u mungojnë mjete financiare, kështu që nuk besojmë që ndërkohë të kenë ndodhur ndryshime të mëdha“.

Një tjetër problem më i madh se borxhet dhe shuma e tyre dhe gjendja e xhirollogarive të komunave është ekzistimi i indikacioneve serioze për funksionim kundërligjor të shumë administratave komunale, për të cilat edhe institucionet kompetente shtetërore kanë konstatuar se janë duke shkelur një sërë ligjesh që kanë të bëjnë me punën financiare, por edhe ligjet e vetëqeverisjes lokale.

„Analiza e fundit, që e përgatitëm në vitin 2008, zbuloi se një e treta e komunave kanë qenë me xhirollogari të bllokuara, ndërsa borxhi i tyre i përgjithshëm ka qenë rreth 50 milionë euro. Që atëherë nuk kemi zhvilluar një analizë të re, por kryetarët e komunave vazhdimisht ankohen se u mungojnë mjete financiare, kështu që nuk besojmë që ndërkohë të kenë ndodhur ndryshime të mëdha“, thonë punonjësit e Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale (BNJVL).

Po të merret parasysh se 80 komunat vendase kanë një buxhet të përgjithshëm që kalon mbi 500 milionë euro, mund të konstatohet se borxhi i tyre i përgjithshëm është sa dhjetë përqindëshi i buxhetit të përgjithshëm të komunave, kuptohet nëse do të pranohet vlerësimi sipas të cilit komunat kanë një borxh të përgjithshëm prej rreth 50 milionë euro.

Megjithëse Qeveria i ka të gjitha të dhënat, ajo nuk e zbulon borxhin e përgjithshëm të komunave, por ofron vetëm të dhëna parciale dhe njëkohësisht nuk i publikon as të dhënat lidhur me komunat që funksionojnë me xhirollogari të bllokuara, duke u bazuar në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me konfidencialitetin e këtyre të dhënave, edhe pse një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se dispozitat në fjalë janë në kundërshtim me ligjet e tjera dhe para së gjithash me Kushtetutën e vendit.

Llogaritë e komunave si një sekret

Sipas ish guvernatorit Petar Goshev, zgjidhjet ligjore lidhur me konfidencialitetin e llogarive janë në kundërshtim me ligjet e tjera dhe para së gjithash janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe prandaj duhen pezulluar / Foto: Tomisllav Georgiev

Sipas ish guvernatorit Petar Goshev, zgjidhjet ligjore lidhur me konfidencialitetin e llogarive janë në kundërshtim me ligjet e tjera dhe para së gjithash janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe prandaj duhen pezulluar / Foto: Tomisllav Georgiev

Një përgjigje lidhur me numrin e komunave me xhirollogari të bllokuara dhe shumën e borxheve të tyre gjatë tre viteve të fundit, nuk dha as Ministria e pushtetit lokal dhe as Ministria e Financave, megjithëse pyetjet atyre ua dërguam në mbështetje të Ligjit mbi qasjen në informatat me karakter publik.

Ministria e pushtetit lokal dha një përgjigje identike për të dy pyetjet e parashtruara, duke sqaruar se ajo nuk ka të dhëna të azhurnuara sepse ato ndryshojnë nga dita në ditë, megjithëse ne i kërkuam të dhënat e fundit që i ka siguruar kjo ministri, pa dallim të datës së azhurnimit të tyre. Zyrtarët e ministrisë në fjalë ndërkohë na drejtuan në Ministrinë e Financave sepse komunat dhe kryetarët e tyre kanë një detyrim ligjor në këtë ministri të dorëzojnë të gjitha kontratat e qirasë, raportet me shtjellimet përkatëse lidhur me realizimin e buxheteve, planet financiare dhe të paraqesin detyrimet e arritura, por të papaguara.

Përgjigjja e Ministrisë së pushtetit lokal lidhur me kërkesën e parashtruar në mbështetje të Ligjit mbi qasjen në informatat me karakter publik, për shumën e borxhit dhe gjendjen e xhirollogarive të komunave mund ta gjeni në linqet në vazhdim 1 dhe 2.

Edhe kjo ministri dha një përgjigje negative, duke sqaruar se Sektori i trezorit, pranë Ministrisë së Financave, është një bartës më vete i qarkullimit pagesor për përdoruesit e buxhetit dhe ka për detyrë të mbaj sekret të dhënat lidhur me gjendjen e llogarive transaksione, në mbështetje të Ligjit të qarkullimit pagesor dhe Udhëzimit lidhur me mënyrën e punës së trezorit .

Nga ana tjetër ligjet që rregullojnë funksionimin e administratës së shtetit ndalojnë dhënien e informatave që mund të rrezikojnë vetë shtetin dhe sigurinë kombëtare, si dhe të dhënat personale të qytetarëve, por jo edhe të dhënat lidhur me punën financiare të institucioneve, ndërsa Ligji mbi buxhetin thekson parimin e transparencës gjatë planifikimit dhe harxhimit të parave publike .

„Bëhet fjalë për institucione puna e të cilave duhet të bazohet në parimin e transparencës, sidomos duke ditur që kemi të bëjmë me institucione që janë formuar nga vetë populli, i cili gëzon sovranitetin, ndërsa pushteti është vetëm një ndërmjetësues. Zgjidhjet ligjore që kanë të bëjnë me konfidencialitetin e xhirollogarive bien ndesh me ligjet e tjera, por edhe me vetë Kushtetutën e vendit dhe për këtë arsye duhen pezulluar“, thotë Petar Goshev, ish ministri i financave dhe ish guvernatori i Bankës Popullore.

Dihet vetëm borxhi i pjesshëm i komunave

Qeveria publikon borxhet e komunave për të cilat ajo u ka lëshuar garanci bankave dhe kreditorëve të tjerë, por jo edhe borxhet ndaj furnizuesve. Burimi: Ministria e Financave, Banka Popullore e RM, Enti shtetëror i statistikës

Qeveria publikon borxhet e komunave për të cilat ajo u ka lëshuar garanci bankave dhe kreditorëve të tjerë, por jo edhe borxhet ndaj furnizuesve. Burimi: Ministria e Financave, Banka Popullore e RM, Enti shtetëror i statistikës

Lidhur me kërkesën mbi shumën e borxhit të komunave, në Ministrinë e Financave sqaruan se të dhënat vjetore, që kanë të bëjnë me detyrimet e komunave si bartës të borxhit publik, janë publikuar në ueb faqen e saj. Sipas të dhënave të raportit të publikuar në ueb faqen e ministrisë lidhur me borxhin publik, në fund të vitit 2014 komunat kanë pasur një borxh të përgjithshëm prej 16.100.000 euro, por kjo shumë nuk e përfshin borxhin e plotë të komunave.

„Qeveria i publikon vetëm borxhet e komunave, për të cilat ajo u ka dhënë garanci bankave dhe kreditorëve të tjerë. Megjithatë, borxhet që i kanë komunat për energji elektrike, naftë dhe furnizime të ndryshme nuk janë paraqitur me shifrat zyrtare lidhur me borxhin publik dhe shtetëror“, thotë analisti ekonomik Kire Naumov, i cili njëkohësisht ushtron detyrën e kryetarit të Komisionit ekonomik të partisë opozitare LSDM.

Komuna e Ohrit ka një borxh të përgjithshëm që është sa dyfishi i borxhit të komunave të tjera, që është publikuar nga ana e Ministrisë së Financave. Kjo tregon që komunat pjesën më të madhe të borxheve nuk e kanë ndaj kreditorëve, por ndaj furnizuesve.

Komisioni i mbrojtjes së të drejtës së qasjes së lirë tek informatat me karakter publik pranoi ankesën kundër vendimit të Ministrisë së Financave sepse vetë vendimi është në kundërshtim me Ligjin mbi qasjen e lirë tek informatat me karakter publik. Komisioni ka vlerësuar se ministria përkatëse nuk e ka siguruar informacionin e kërkuar lidhur me borxhin e përgjithshëm të komunave dhe borxhet e tyre në veçanti, duke i sugjeruar subjektit të interesuar të kërkoj të dhënat e nevojshme në ueb faqen zyrtare, ku nuk është postuar informacioni i kërkuar, megjithëse vetë ministria e posedon këtë informacion.

Vendimet e Komisionit të mbrojtjes së të drejtës së qasjes së lirë tek informatat me karakter publik 1 dhe 2.

Për një menaxhim më të mirë të mjeteve financiare të buxheteve të komunave Ministria e Financave ka hapur një llogari trezori në Bankën Popullore, si bartëse e qarkullimit pagesor, por as vetë Banka Qendrore nuk ka mundur të sigurojë informacionin e kërkuar pa lejen ose autorizimin e institucionit kompetent, Ministrisë së Financave.

Njësoj si në rastin e Ministrisë e vetëqeverisjes lokale, e cila ka sugjeruar që informatat të kërkohen në Ministrinë e Financave, duke theksuar se ajo nga ministria në fjalë i siguron të gjitha të dhënat e nevojshme, në Ministrinë e Financave kanë sugjeruar t’u drejtohemi komunave sepse pikërisht komunat “e furnizojnë” ministrinë me informata dhe të dhënat e nevojshme.

Ndërkaq, kërkimin e të dhënave nga vetë komunat ose nga çdo komunë në veçanti e vështirëson fakti që pjesë më e madhe e tyre nuk e përmbush detyrimin ligjor për publikimin e të dhënave që kanë të bëjnë me gjendjen financiare dhe punën financiare, ndërsa pjesa më e madhe e komunave injoron pyetjet e gazetarëve, që kanë të bëjnë me financat dhe borxhet e tyre.

„Të dhëna të pjesshme lidhur me borxhin mund të gjenden në dokumentet mbi buxhetin, të cilat institucionet e pushtetit lokal duhet t’i publikojnë në fletoret zyrtare dhe në ueb faqet e tyre, por një gjë e tillë ndodh shumë rrallë“, thotë Sllagjan Panev nga Forumi Qendra e hulumtimeve strategjike, qendër kjo e cila bashkë me dhjetë organizata të tjera civile është duke realizuar projektin për monitorimin e buxhetit të komunave.

Realizojnë projekte, në vend që të kthejnë borxhet

Në rastet kur komunat duan të realizojnë një projekt të caktuar, por nuk janë në gjendje të mirë financiare për një gjë të tillë, ato kanë të drejtë të kërkojnë kredi nga një kreditor vendas ose të huaj, me kusht që Qeveria të garantojë kthimin e mjeteve financiare. Të dhënat zyrtare tregojnë se një numër i madh komunash shfrytëzojnë kreditë e kreditorëve të ndryshëm për të realizuar projekte të ndryshme, zakonisht me ndihmën e garancisë së Qeverisë, ndërsa midis këtyre komunave mund të përmenden ato të Velesit, Prilepit, Gostivarit, etj.

Njëra nga komunat që kanë marrë kredi, ajo e Shtipit, është duke kthyer tre kredi të marra nga një kreditor i huaj, kësti mujor i të cilave, siç mund të konstatohet me ndihmën e bilancit të shpenzimeve, arrin në 65 mijë euro. Kjo komunë, po sipas të dhënave zyrtare, ka një borxh të përgjithshëm prej 2.000.000 euro.

„Ne si komunë kemi marrë tre kredi nga institucionet e huaja. Bëhet fjalë për tre kredi të marra nga Banka Botërore, banka evropiane e mbështetjes së zhvillimit dhe Agjencia japoneze. Kreditë që nuk i kanë kthyer të tjerët tani i kthejmë ne“, thotë kryetari i komunës së Shtipit, Illço Zahariev.

Përveç detyrimeve për kreditë, në shumën e përgjithshme të borxhit përfshihen detyrimet ndaj furnizuesve, për mallrat e siguruara dhe detyrimet për shërbimet e ofruara dhe punët e realizuara. Pra, detyrimet e këtij lloji nënkuptojnë mjetet financiare që parashihen me kontratat afariste ose faturat.

Komuna e Karposhit ka një borxh të përgjithshëm prej 8.000.000 euro, nga të cilat, siç mund të konstatohet me ndihmën e llogarisë përfundimtare, 3.000.000 janë detyrime që kanë dalë nga faturat e papaguara të faturuara nga furnizuesit.

„Me ndihmën e të dhënave zyrtare mund të konstatojmë se pjesa më e madhe e detyrimeve të komunës së Kaposhit kanë ndodhur deri në vitin 2009, gjatë kohës së administrimit të komunës nga partia LSDM. Bëhet fjalë për një borxh prej rreth 8 milionë euro“, thonë zyrtarët e komunës së Karposhit.

Pa dallim nëse fajtor për borxhet është kryesia e tanishme ose kryesia e mëparshme e një komune, në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kompanitë ngrenë padi kundër komunave, llogaritë e të cilave mund të bllokohen me një aktvendim gjykate, deri në arkëtimin e detyrimeve nga ana e kreditorit.

Megjithatë, edhe pse mund të jenë me xhirollogari të bllokuara, komunat mund të funksionojnë sepse gjykatat u lejojnë një limit mjetesh që mund t’i harxhojnë në mbështetje të nenit 211 të Ligjit të përmbarimit, i cili parasheh që përmbarimi i mjeteve financiare nga llogaritë e njësive të vetëqeverisjes lokale “nuk mund të lejohet nëse mjetet që duhen përmbaruar janë të nevojshme për përmbushjen e nevojave të tyre elementare”.

„Kjo do të thotë që komunat me xhirollogari të bllokuara mund të bëjnë shpenzime vetëm për të nevojat korrente, si për shembull për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe ujit dhe për rrogat e punonjësve ose mund të bëjnë shpenzime për funksionimin e administratës, por nuk mund të bëjnë shpenzime për të realizuar projekte, siç është rasti me shumë komuna vendase, sepse nuk kanë shlyer detyrimet ndaj kreditorëve, të cilët ndërkohë mund të bankrotojnë“, thotë Ace Kocevski, ekspert i çështjeve të pushtetit lokal dhe ish kryetar i komunës së Velesit.

Ndërkaq, të dhënat e Sistemit elektronik të furnizimeve publike (123456) zbardhin se komuna me më shumë borxhe, e cila me vite funksionon me xhirollogari të bllokuar, është ajo e Ohrit, komunë ko e cila vetëm për kompletimin e objektit administrativ, dy viteve të fundit, ka lidhur disa kontrata me vlerë të përgjithshme prej 130.000 euro. Njëkohësisht kjo komunë ka realizuar edhe një sërë furnizimesh publike për ndërtimin e infrastrukturës komunale, si për shembull për ndërtimin e rrugëve, rrugicave të ndryshme, etj.

Rriten borxhet, anashkalohet përgjegjësia

Komuna e Ohrit, një nga destinacionet turistike më atraktive, e cila gëzon mbrojtjen e UNESCO-s, me xhirollogari të bllokuar funksionon që nga viti 2002, ndërsa nga viti 2005 xhirollogaria e saj nuk është debllokuar për asnjë moment. Kjo komunë, me një buxhet prej 8 milionë euro, pa i llogaritur transfertat qeveritare për financimet që janë paraparë me Ligjin e pushtetit lokal, mjete këto që kryesisht ndahen për nevojat e arsimit, për momentin ka një borxh shuma e përgjithshme e të cilit arrin në 30 milionë euro, borxh që është krijuar me kalimin e viteve, gjatë kohës kur kjo komunë është drejtuar nga dy partitë politike më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM.

„Pas ndërrimit të pushtetit komunal në vitin 20113 komuna evidentoi një borxh të përgjithshëm prej 36 milionë euro. Që atëherë shuma e borxhit nuk është rritur, bile është ulur. Ndërkohë kundër komunës janë duke u zhvilluar pesëqind procese gjyqësore, që do të thotë se shuma e përgjithshme e borxhit mund të rritet“, sqarojnë në komunën e Ohrit.

Nga ana tjetër kryetari i organizatës partiake të LSDM-së në qytetin e Ohrit, Tomisllav Tunev, në kohën kur Aleksandar Petreski, kuadër i kësaj partie, morri detyrën e kryetarit të komunës së Ohrit, në vitin 2005, flitej për një borxh që kapte shumën e 15 milionë eurove. Nëse kjo e dhënë është e saktë, i bie që gjatë kohës së dy mandateve të Petreskit borxhi komunës të jetë dyfishuar.

„Ne kërkuam një specifikim, për të vërtetuar kur dhe si janë krijuar borxhet. Nuk themi që gjatë dy mandateve të kaluara nuk është rritur shuma e borxhit, por duam të vërtetojmë që një pjesë e madhe e detyrimeve janë krijuar me proceset gjyqësore që kanë nisur 20 vite më parë, lidhur me ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të ndryshme“, thotë Tunev.

Menjëherë pas humbjes së garës zgjedhore të ciklit të fundit të zgjedhjeve lokale, para dy vitesh, ish kryetari Petrevski, bashkë me ish bashkëpunëtorët e tij të komunës, u arrestua nën akuzën e keqpërdorimeve financiare nga kasa komunale, në shumë prej dy milionë euro.

Arrestimet ndodhën pas humbjes së zgjedhjeve lokale dhe disfatës së partisë nga radhët e të cilës vinte Aleksandar Petreski, por edhe plotë tre vjet pas dyshimeve të Entit shtetëror të revizionit, në vitin 2011, lidhur me objektivitetin e raporteve financiare të komunës së Ohrit.

Sipas raporteve të revizorëve, në vitin 2012 rreth 40 për qind të të ardhurave të komunës së Ohrot janë realizuar me kontrata me përllogaritje ose me kompensime, cesion dhe asignacion, që do të thotë se mjetet në fjalë nuk kanë kaluar në qarkullimin pagesor të sistemit të trezorit.

Sipas konstatimeve të revizorëve, kjo mënyrë veprimi është në kundërshtim me Ligjin mbi qarkullimin pagesor, i cili parasheh se pjesëmarrësi i qarkullimit pagesor me xhirollogari të bllokuar nuk mund të bëj pagesa me përllogaritje, por edhe në kundërshtim me Ligjin e kontabilitetit të buxheteve dhe përdoruesve buxhetor, ligj ky që imponon si një imperativ parimin e kontabilitetit, për paraqitjen e të ardhurave në formën e parasë.

Revizorët e shtetit edhe në raportin e punës financiare të komunës Bogdanci, i publikuar në sivjet, gjithashtu kanë konstatuar se kjo komunë një pjesë të transaksioneve i ka realizuar në mënyrë kundërligjore (36 për qind të të ardhurave të përgjithshme), me përllogaritjet e vitit 2013, gjatë kohës kur ka qenë me xhirollogari të bllokuar. Megjithëse edhe në këtë rast revizorët kanë konstatuar veprime kundërligjore, asnjë zyrtar i kësaj komune, e cila drejtohet nga kuadrot e partisë VMRO-DPMNE dhe koalicionit të saj, dy mandateve të fundit nuk ka mbajtur përgjegjësi për shkeljen e ligjit. Zyrtarët e komunës së Bogdancit refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të parashtruara lidhur me çështjen në fjalë.

Në aspektin e shkeljes së ligjit gjatë funksionimit të komunave, revizorët konstatuan edhe disa raste të keqmenaxhimit të parave të komunave, duke dështuar me projeksionet e buxhetit në pjesën e të ardhurave dhe nuk i korrigjuan vlerësimet e gabuara me ndihmën e rebalancit, siç është paraparë me Ligjin e financimit të njësive të vetëqeverisjes lokale.

Një rast i tillë është konstatuar me komunën e Kërçovës, e cila në vitin 2013 ka realizuar vetëm 75 për qind të të ardhurave të planifikuara, por nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të bërë rebalanc buxheti, në rastet e mosrealizimit të të ardhurave të planifikuara në masën e planifikuar.

„Komuna e Kërçovës është duke u ballafaquar me probleme të mëdha financiare, që kanë të bëjnë me borxhet që kanë ndodhur me kalimin e viteve, gjatë periudhës kur unë nuk e kam ushtruar detyrën e kryetarit“, thotë kryetari i tanishëm i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Mbështeten “të afërmit”, bojkot për komunat e tjera

Në këtë kontekst , evident është ndryshimi i raportit ose sjelljes së Qeverisë me komunën e Ohrit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, kur Nikolla Bakraçeski u zgjodh në detyrën e kryetarit të komunës, nga radhët e partisë VMRO-DPMNE.

Në mbështetje të kësaj teze shkon edhe deklarata e ministrit të financave, Zoran Stavrevskit, i cili tha se në Ohër do të realizohen dhjetëra projekte kapitale në shumë prej 4 milionë euro, me ndihmën e Qeverisë, ndërsa vetë komuna për të njëjtin qëllim siguroi një kredi të favorshme në shumë prej dy milionë euro, pikërisht me ndihmën e Ministrisë së Financave.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, ankohet se Qeveria injoron dhe bojkoton komunën që e drejton ai, vetëm për shkak se ai vjen nga radhët e opozitës. Në nga komunat e rralla me kryetar që vjen nga radhët e opozitës, e cila ka 100.000 banorë, mbi dy vjet funksionon me xhirollogari të bllokuar, ndërsa arsyeja e bllokimit, siç sqaron Damjanovski, janë tre aktgjykime të çuditshme për denacionalizim trualli, aktgjykime këto me një vlerë të përgjithshme prej rreth tre milionë euro.

„Në Kumanovë pushteti qendror nuk ka realizuar asnjë investim kapital. Për nëntë vjet nuk u ndërtua asnjë kopsht fëmijësh ose shkollë, nuk u hapën zona ekonomike, siç u hap për shembull në komunën Rankovce, nuk u ndërtua asnjë autostradë, rrugë rajonale ose hekurudhë, megjithëse komuna jonë përbën 7 për qind të popullatës së Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu, pesë viteve të fundit nuk kemi fituar pëlqimin e Ministrisë së Financave për të marrë kredi“, thotë Damjanovski.

Nga ana tjetër të dhënat e Ministrisë së Financave zbardhin se nga viti 2010 deri në vitin 2014 kjo ministri u ka lëshuar garanci disa komunave, që ato të marrin kredi. Qytetit të Shkupit i është lëshuar një garanci në shumë prej 8.500.000, që ai të marrë kredi për ndërtimin e dy garazheve e kate. Ndërkohë, garanci të ngjashme kanë fituar komuna e Ilindenit, për të marrë një kredi në shumë prej 570.000 uro dhe ato të Dellçevës dhe Nagoriçanes së Vjetër, të tre të drejtuara nga kryetarë që vijnë nga radhët e partive në pushtet.

Interesant është fakti që të njëjtën periudhë dy herë garanci ka fituar komuna e Qendrës, që ajo të marrë kredi në shumë prej 5.500.000 euro, por garancitë janë lëshuar para ndërrimit të kryetarit të komunës në vitin 2013, në kohën kur kjo komunë është drejtuar nga kuadrot e partisë VMRO-DPMNE.

Rrezikohet ekzistenca

Komunat më të mëdha dhe njëkohësisht më të pasura mund të funksionojnë më lehtë me xhirollogari të bllokuara, për arsye se gjykatat u lejojnë limite financiare më të mëdha, megjithëse kryetarët e tyre ankohen se mjete e lejuara nga gjykatat nuk u lejojnë të realizojnë programet e tyre zhvillimore, por u mjaftojnë për funksionimin e administratës së komunave. Për dallim nga këto komuna, më të voglat, kryesisht komunat rurale, ankohen se e kanë shumë të vështirë të përballojnë situatën e krijuar.

Një shembull klasik i këtij lloji është komuna e Pllasnicës, e cila është një nga komunat më të vogla dhe njëkohësisht një nga komunat më të varfra, bashkë me Llozovën, Rankovcin, Rosomanin, Haraçinën, etj. Me një buxhet vjetor prej 230.000 euro dhe 6.500 banorë, Pllasnica pesë vitet e fundit funksionon me xhirollogari të bllokuar, për shkak të borxhit që kap shumën e gjysmë milion eurove.

„Ne gjatë gjithë kohës duhet të shlyejmë kamatat dhe nuk mund të shpëtojmë nga borxhi pa ndihmën e Qeverisë. Nëse nuk do të merren masa konkrete, ne do vazhdojmë të funksionojmë formalisht dhe formalisht do quhemi komunë“, thotë Ismail Jahoski, i cili për herë të katërt u zgjodh në detyrën e kryetarit të komunës, nga radhët e partisë BDI.

„Komunat duhet të bëjnë përpjekje për të pasur stabilitet financiar, pa xhirollogari të bllokuara dhe rebalanc, sepse pikërisht stabiliteti financiar formon rejtingun e tyre financiar“, thotë Aleksandra Maksimovska – Veljanovska, profesore e Fakultetit juridik në Shkup, e cila merr pjesë në shumë projekte që kanë të bëjnë me pushtetin lokal.