Hulumtimet

Eksodi: Nga Maqedonia largohet çdo i treti me arsim të lartë

Maqedonia ballafaqohet me të ashtuquajturën “murtaja e bardhë”, e cila është e pandalshme dhe me përmasa shqetësuese

„Bëra përpjekje maksimale që unë dhe familja ime të mbetemi në Maqedoni. Duke menduar se fakulteti do më ndihmonte, unë u regjistrova dhe mbarova studimet e sigurisë. Megjithatë, studimet nuk ndryshuan asgjë. Me bashkëshortin morëm vendim për t’u larguar nga Maqedonia. Fillimisht u largua ai dhe pastaj unë me dy fëmijët. Jeta në qytetet më të vogla u bë shumë e vështirë, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në aspektin social“, thotë V. Trajkovska, e cila që në vitin 2004 jeton në Belgjikë.

Me diplomën dhe njohuritë e gjuhës angleze ajo arriti të punësohet në Belgjikë. Atje punon edhe bashkëshorti i saj. Ato nuk e kanë në plan të kthehen në Maqedoni, me përjashtim të pushimeve të verës.

80% të studentëve të fakulteteve teknike kanë ndërmend ose planifikojnë të largohen pas diplomimit. „Murtaja e bardhë“ do ta godas ekonominë në përgjithësi

Maqedonia ballafaqohet me të ashtuquajturën „murtaja e bardhë“, e cila është e pandalshme dhe me përmasa shqetësuese. Ekonomistët paralajmërojnë se midis personave që braktisin vendin dominojnë të rinjtë pa punë, që mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e përgjithshme të tregut të punës.

„Shpërngulja viteve të fundit ka një trend rritjeje dhe kjo nuk është një sekret, megjithëse Qeveria nuk e pranon këtë gjë. Ajo të njëjtën kohë nuk e demanton këtë rritje. Njerëzit nisen në kërkim të një jete më të mirë dhe nuk mund t’i kritikojmë për veprimin e tillë“, thotë profesori universitar Marjan Petreski.

Për gjendjen alarmuese të shpërnguljes së të rinjve të arsimuar flet dokumenti qeveritar që mban emrin “Strategjia nacionale e lidhjes në rrjet, bashkëpunimit dhe uljes së shpërnguljes së kuadrove me arsim sipëror dhe kuadrove profesionale për periudhën e viteve 2013-2020”. „Rreth 30% të kuadrove me arsim të lartë të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa rreth 80% të studentëve të viteve të fundit që studiojnë në fakultetet teknike mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia. Numri i përgjithshëm i bashkëqytetarëve tanë që sot jetojnë jashtë vendit është i madh dhe mund të vlerësohet se mbi 447.000 individë, që përbëjnë rreth 22% të popullatës së përgjithshme në vitin 2010, sipas vlerësimit të Bankës Botërore jetojnë dhe punojnë jashtë Maqedonisë dhe përbëjnë 29% të individëve me arsim të lartë“, thuhet në strategjinë përkatëse.

Brenda një viti numri i të rinjve me aftësi pune është ulur për 12.548

Migracioni i mundshëm me trend rritjeje – gjithnjë e më shumë të rinj me arsim të lartë dhe studentë të viteve të fundit mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia / Foto: Robert Atanasovski

Migracioni i mundshëm me trend rritjeje – gjithnjë e më shumë të rinj me arsim të lartë dhe studentë të viteve të fundit mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia / Foto: Robert Atanasovski

Modeli qeveritar i studimeve të disperzuara nëpër qytetet e vogla rriti në një masë të madhe mundësitë dhe shanset për të fituar statusin e “qytetarit akademik”, por ky koncept rriti edhe numrin e individëve që presin punë me diplomë në dorë.

Gjatë periudhës së viteve 2010 – 2015, shkalla e papunësisë së individëve me arsim të lartë regjistron një rritje me rritëm shumë të shpejtë, në raport me shkallën e punësimit. Brenda këtyre gjashtë viteve regjistrohen 4.772 të punësuar me arsim të lartë dhe njëkohësisht regjistrohen 39.126 kuadro me arsim të lartë, me statusin „të papunë“.

Numri i të papunëve dhe të punësuarve me arsim të lartë
vrabotenmi-nevrabotenial

Në Entin e statistikës sqarojnë se sipas metodologjisë së tyre në kategorinë e individëve me arsim të lartë evidentohen individët me arsim të lartë, magjistrat dhe doktorët e shkencave. Një analizë e detajuar e të dhënave zbardh se vetëm gjatë periudhës së analizuar, titullin “magjistër” dhe “doktor shkencash” e kanë fituar 9.842 individë, që do të thotë se numri i këtij profili arsimor është në rritje.

„Krahasimi i shifrave lidhur me të rinjtë e punësuar dhe të rinjtë e papunë zbardh një diferencë të llahtarshme“, thotë Sonja Stojadinoviq – politikologe

„Krahasimi i shifrave lidhur me të rinjtë e punësuar dhe të rinjtë e papunë zbardh një diferencë të llahtarshme“, thotë Sonja Stojadinoviq – politikologe

„Krahasimi i shifrave lidhur me të rinjtë e punësuar dhe të rinjtë e papunë zbardh një diferencë të llahtarshme. Nëse do të vazhdojë ky rritëm i dobët punësimi, pas tridhjetë vitesh ne do të kemi një armatë qytetarësh pa pension dhe që jeton me ndihmë sociale. Gjithashtu, me të njëjtin rritëm prodhohen edhe kuadro që eksportohen dhe jo vetëm kuadro me arsim të lartë, por edhe kuadro për punë fizike, që vazhdojnë të kërkohen në vendet perëndimore. Ne, me një hap të përshpejtuar, arritëm nivelin e Bullgarisë fqinje, e cila u bë një vend pensionistësh, i prekur rëndë nga “murtaja e bardhë“, thotë politikologu Sonja Stojadinoviq.

Sipas ekonomistëve, një indikator që tregon shpërnguljen është ulja e fuqisë punëtore, sidomos tek individët e moshës 15-24 vjeçe dhe ato të moshës 25-49 vjeçe.

Sipas të dhënave statistikore të sublimuara për vitin 2015, numri i personave me aftësi pune të moshës 15 – 24 vjet u ul për 2.412, ndërsa numri i personave me aftësi pune të moshës 25 – 49 u ul për 10.136, që do të thotë se vetëm brenda një viti oferta e fuqisë punëtore në tregun e punës u zvogëlua për 12.548 persona vetëm në këto dy kategori grup-moshe.

„Nëse të rinjtë që shpërngulen janë kryesisht pa punë, që unë besoj se janë kategori dominuese, në një rast të tillë, në kuptimin absolut ne do të kemi më pak të papunë, më pak persona me aftësi pune dhe popullsia do të ulet në përgjithësi. Megjithatë, në kuptimin relativ, norma e papunësisë nuk do të pësojë ndryshime drastike si rezultat të shpërnguljes sepse kemi të bëjmë me një raport midis numrit të të papunëve dhe numrit të individëve aktivë, të cilët në fakt përfshijnë të dy kategoritë, të papunët dhe të punësuarit. Më konkretisht, një person i papunë që do të largohet nga Maqedonia, do të ul numrin e të papunëve dhe të individëve aktivë, kështu që raporti i këtyre dy kategorive ose norma e papunësisë do të ulet, por jo në një mënyrë drastike. Sido që të jetë, efektet e shpërnguljes së të rinjve mbi papunësinë në Maqedoni nuk mund të shprehen me lehtësi për shkak të mungesës së vlerësimeve zyrtare“, thotë profesori Petreski.

Largohen doktorët, inxhinierët, shkencëtarët, studentët…

Profesioni i mjekut është një nga më të prekurit me shpërnguljen e kuadrove të arsimuara, zbardhin të dhënat e një hulumtimi rajonal lidhur me migracionin e personalit shëndetësor, që u zhvillua në Maqedoni, Shqipëri, Serbi dhe Kosovë nga ana e “Heltgruper”.

Faktet e shpërnguljes:

• Dekadën e fundit të shekullit të kaluar 5 milionë individë me arsim të lartë kanë migruar nga vendet me zhvillim të dobët në vendet e zhvilluara;
• Shkencëtarët dhe talentet zakonisht emigrojnë në vendet e zhvilluara me ndihmën e ciklit të dytë dhe të tretë të arsimit terciar;
• Në vitin 2007 plotë 18% të fuqisë punëtore me arsim universitar në fushën e shkencave natyrore dhe inxhinierisë në SHBA-të kanë qenë emigrantë;
• Rreth 30% të bizneseve të filluara në Luginën e silikonit gjatë periudhës së viteve 1995 – 1998 janë hapur nga emigrantë nga Kina dhe India; dhe së fundi
• SHBA-të tërheqin pjesën më të madhe të emigrantëve ekspertë dhe profesionistë ose 32% të numrit të përgjithshëm studentëve të huaj në vendet e OECD.
(Burimi: Strategjia nacionale për lidhje në rrjet, bashkëpunim dhe ulje nivelit të shpërnguljes së kuadrove me arsim të lartë dhe kuadrove profesionale 2013-2020.)

Siç sqaron ai, vetëm tre viteve të fundit mbi 1.780 mjekë nga këto katër vende janë shpërngulur për të punuar jashtë vendit. Trendi i këtij lloji është në rritje të vazhdueshme, sidomos tek gjeneratat më të reja të mjekëve. Ndërkaq dy faktorët kryesor që ndikojnë në shpërnguljen e mjekëve janë dëshira e tyre për zhvillim të mëtejshëm profesional dhe të ardhurat më të mira. Fakti që këto dy faktorë janë me rëndësi gjatë marrjes së vendimit për të shpërngulur jashtë vendlindjes vërtetohet nga 80% të të anketuarve në Maqedoni. Sa u përket arsyeve të tjera, midis tyre theksohen gjendja politike, kontrollimi dhe partizimi.

Përveç largimit të kuadrove të edukuara dhe të arsimuara, Maqedonia ballafaqohet edhe me fenomenin e të ashtuquajturit migracion i mundshëm, i cili sipas të dhënave të Ministrisë së arsimit dhe shkencës dekadën e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Më konkretisht, gjithnjë e më shumë të rinj me arsim sipëror, por edhe studentë të viteve të fundit, kanë ndërmend ose planifikojnë të shpërngulen jashtë vendit.

Me Strategjinë e re nacionale të të rinjve 2016-2025,  e përgatitur nga ana e Ministrisë së arsimit dhe shkencës theksohet se një nga problemet kryesore me të cilin ballafaqohen të rinjtë në Maqedoni është norma e lartë e të ashtuquajturës papunësi e të rinjve, e cila në vitin 2015, tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe, arriti 48,2%. Sipas të dhënave të Ministrisë së arsimit, ky problem ka një lidhje të ngushtë me gjendjen financiare dhe ka ndikim mbi një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës. Sipas të dhënave të strategjisë përkatëse, shqetëson përqindja e të rinjve që nuk janë përfshirë në procesin e arsimit, në punë ose trajnimet, e cila në vitin 2013 ka arritur rreth 30%.

Në fakultetet kuadrot e të cilave zakonisht shpërngulen për të punuar jashtë vendit sqarojnë se një pjesë e madhe e studentëve të tyre gjejnë punë gjatë muajve të parë pas diplomimit, por për të qëndruar në vendin përkatës të punës me rëndësi janë kushtet që u ofrohen atyre.

„Sipas të dhënave jozyrtare edhe të rinjtë që arrijnë të gjejnë punë gjatë vitit të parë pas diplomimit shpesh mendojnë të shpërngulen dhe një pjesë e madhe e tyre arrijnë të gjejnë punë në një vend tjetër“, thotë Vlladimir Trajanoviq, prodekani i Fakultetit të shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike (FSHIIK).

Kjo gjendje është evidentuar edhe me Strategjinë nacionale që ka të bëj me shpërnguljen e kuadrove me arsim të lartë.

„Edhe të rinjtë që arrijnë të gjejnë punë gjatë vitit të parë pas diplomimit shpesh mendojnë të shpërngulen“, thotë prodekani i FSHIIK, Vladimir Trajanoviq

„Edhe të rinjtë që arrijnë të gjejnë punë gjatë vitit të parë pas diplomimit shpesh mendojnë të shpërngulen“, thotë prodekani i FSHIIK, Vladimir Trajanoviq

„Për momentin duket vërtetë shqetësues fakti që rreth 80% të studentëve të viteve të fundit, që studiojnë në fakultetet teknike (që vlerësohen si fakultete më atraktive për t’u larguar jashtë vendit pas mbarimit të studimeve), mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia. Nëse nuk do të zhvillohen aktivitete gjithpërfshirëse, kjo shifër do të rezultojë me një ulje serioze të potencialit të zhvillimit ekonomik dhe demografik dhe në një afat më të gjatë do të ketë implikacione negative serioze për Republikën e Maqedonisë“, paralajmëron dokumenti strategjik përkatës. Me këtë dokument, ndër të tjera, theksohet nevoja e uljes së numrit të individëve që largohen me përmirësimin e atraktivitetit të Maqedonisë si një vend në të cilin do të angazhohen dhe punësohen të rinjtë me arsim sipëror, kalim nga shpërngulja e të rinjve të arsimuar në tërheqje të të rinjve të arsimuar nëpërmjet rritjes së nivelit dhe numrit të individëve të arsimuar me origjinë nga Maqedonia dhe zhvillimin e institucioneve dhe kompanive kërkimore brenda vendit.

Një grup studentësh të FSHIIK, i cili është një nga fakultetet më atraktive në aspektin e të rinjve që braktisin vendin, zhvilloi një hulumtim lidhur me shpërnguljen e të rinjve. Në kuadër të anketës me të cilën u përfshinë 302 studentë të këtij fakulteti, plotë 251 studentë (83%) janë shprehur se do të largoheshin për të studiuar jashtë vendit nëse do të kishin një mundësi të tillë, ndërsa 51 studentë (17%) janë shprehur se do të mbeten në Maqedoni.

Sipas studentëve të anketuar të FSHIIK, mungesa e perspektivës është një nga arsyet kryesore për braktisjen e Maqedonisë.

Çfarë mendoni, cila është arsyeja kryesore e largimit të një numri të madh të studentëve nga Maqedonia jashtë vendit?

anketaal

Ndërkaq, profesorët dhe firmat që veprojnë në Maqedoni, me studimin qeveritar përkatës, arsyet më të shpeshta që kanë të bëjnë me largimin e studentëve nga Maqedonia i klasifikojnë si më poshtë:

Arsyet më të shpeshta të largimit nga Maqedonia

Rangu STUDENTËT PROFESORËT KOMPANITË
1 rrogat e ulëta rrogat e ulëta mungesa e stabilitetit ekonomik dhe pasiguria
2 mungesa e stabilitetit ekonomik dhe pasiguria mundësitë e limituara të angazhimit në fushën e tyre në të cilën janë specializuar mundësitë e pakta për zhvillimin e karrierës
3 mundësitë e pakta për zhvillimin e karrierës mungesa e stabilitetit ekonomik dhe pasiguria rrogat e ulëta
4 presionet politike largësia nga qendrat kërkimore me rëndësi dhe zhvillimi mundësitë e limituara të angazhimit në fushën e tyre në të cilën janë specializuar
5 mungesa e mjeteve financiare dhe mundësive për të filluar biznes privat mungesa e mjeteve financiare dhe mundësive për të filluar biznes privat

 

Një trend shqetësues është konstatuar edhe me studimin e fundit të Fondacionit “Fridrih Ebert”, i cili më shumë ka trajtuar shpërnguljen ose migracionin.

„Gjysma e të rinjve në Maqedoni duan të largohen jashtë vendit, ndërsa një e treta prej tyre as që mendon të kthehet përsëri në Maqedoni. Mungesa e perspektivës, pasiguria politike dhe partizimi i madh janë faktorët kryesor që demotivojnë të rinjtë të planifikojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni, ndërsa plotë 67% të të anketuarve ankohen për problemet financiare dhe nuk besojnë se pas mbarimit të studimeve do të gjejnë punë“.

Një ndikim negativ mbi tregun e fuqisë punëtore ka jo vetëm shpërngulja e kuadrove me arsim të lartë, por edhe shpërngulja e kuadrove të kualifikuara.

„Besoj se akoma më kritike është shpërngulja e individëve me profesione të caktuara, që nuk është shumë e nevojshme të jenë me arsim të lartë, siç janë montuesit pllakave, hidraulikët dhe montuesit e pllakave knauf, të cilët jashtë vendit gjejnë punë me lehtësi dhe gjithashtu për punën e tyre paguhen shumë më mirë se në Maqedoni. Besoj se me largimin e tyre tregu vendas mbetet me punëtorë pa aftësi konkrete dhe specifike, që për mendimin tim është mjaft problematike“, thotë profesori Petreski.

Pa nënshkrime – kush i evidenton personat që janë larguar përgjithmonë?

Në kohën kur Banka Botërore, Eurostat-i dhe Komnbegt e Bashkuara me ndihmën e analizave, hulumtimeve dhe studimeve bëjnë vlerësimin e numrit të personave të shpërngulur nga Maqedonia dhe të pasojave të shpërnguljes, sipas ekspertëve që merren me statistikën, në Maqeodni akoma nuk kemi kontrolle dhe vlerësime relevante të eksodit të shpërnguljes.

Të gjitha “licitacionet” me shifrat, që bëhen për përdorim të brendshëm, mund të vihen në pikëpyetje sepse operacioni statistikor më i rëndësishëm – regjistrimi i popullatës nuk është realizuar që në vitin 2002.

„Në Maqedoni po ndodh një lëvizje e madhe mekanike e popullatës, por regjistrohet edhe një proces shpërnguljeje që mund të ketë ndikim të madh mbi lëvizjet e përgjithshme ekonomike të vendit. Shifrat zbardhin se kemi të bëjmë me rritjen e numrit të popullatës me aftësi pune, por me këto të dhëna nuk është marrë parasysh numri i individëve të shpërngulur. Për shembull, nga fundi i vitit 2015 numri i popullatës aktive ka qenë në nivelin më të ulët, në raport me tre vitet e fundit, që mund të jetë një indikator i shpërnguljes. Sido që të jetë, të gjitha vlerësimet e këtij lloji dominohen nga fakti që Maqedonia mbi 13 vjet nuk ka regjistruar popullatën, që do të mundësonte vlerësime relevante“, thotë profesori universitar i statistikës, Dragan Tevdovski.

„Në mungesë të një regjistrimi dhe të ballafaquar me shpërnguljen e përditshme të popullatës, të cilën nuk e evidenton askush, unë nuk besoj se të dhënat lidhur me tregun e punës pasqyrojnë gjendjen reale“, thotë politikologu Sonja Stojadinoviq.

„Problemi ynë kryesor është regjistrimi i popullatës ose mosrealizimi i tij. Të gjitha shifrat që prezantohen, pa dallim të llojit të analizave, duhen marrë me rezervë. Regjistrimi është me rëndësi thelbësore për të fituar një pamje të qartë të gjendjes faktike. Nga ana tjetër vetë fakti që ka të bëj me uljen e numrit të popullatës aktive, ndër të tjera, mund të interpretohet edhe si një rezultat i trendit të shpërnguljes së popullatës me aftësi pune“, thotë Stojadinoviq.