Hulumtimet

Kompani pa punonjës për një vit kanë fituar 273 milionë euro

Çdo e pesta kompani në Maqedoni ka zero punonjës. Janë evidentuar gjithsej 11.579 firma të këtij lloji, që nuk prodhojnë asgjë dhe në nivel vjetor sigurojnë të ardhura në shumë prej 272,7 milionë euro dhe fitim që kap shumën e 18,6 milionë euro

Nga gjithsej 57.906 forma, të cilat në vitin 2014 kanë dorëzuar llogaritë e tyre vjetore në Regjistrin Qendror, plotë 11.579 prej tyre kanë pasur zero punonjës. Të gjitha bashkë, brenda një viti, kanë arkëtuar 272,7 milionë euro, që për shembull është një shumë e barabartë me të ardhurat e firmës së pestë më të madhe në Maqedoni, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike – ELEM, e cila ka 4.566 punonjës ose dy herë më shumë se të ardhurat e Telekomit të Maqedonisë, subjekt ky që ka angazhuar 1.048 punonjës.

Pronarët e kompanive pa punonjës në vitin 2014 kanë fituar gjithsej 18,6 milionë euro, zbardh analiza e të dhënave të Regjistrit Qendror.

Pjesa më e madhe e kompanive, që kanë vetëm administratorë dhe janë pa punonjës, janë regjistruar në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë, merren me aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike dhe ushtrojnë aktivitetin në industrinë e përpunimit.

Në bazën e Regjistrit Qendror pothuajse të gjitha firmat e këtij lloji janë regjistruar si kompani që merren me prodhim, por përveç administratorëve nuk kanë punonjës që mund të prodhojnë diçka.

Megjithëse sipas numrit të punonjësve këto firma janë mikro ndërmarrje, një pjesë prej tyre, duke vlerësuar sipas shumës së të ardhurave, janë firma relativisht të mëdha dhe renditen midis 200 firmave më të mëdha në Maqedoni.

Kompania më e madhe me zero punonjës në vitin 2014 ka qenë Shoqëria e prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve Vardar Metal Trejding, e cila ka arkëtuar 35,3 milionë euro. Pronar i kompanisë figuron Rijaltio Finans LTD, një kompani e cila sipas të dhënave të ueb faqes së saj merret me blerjen e kërkesave dhe ofron shërbime të tjera financiare, ndërsa selia e saj gjendet në Londër, Britania e Madhe.

Kjo kompani britanike figuron si pronare e një firme tjetër pa punonjës në Maqedoni, e cila sipas të ardhurave në shumë prej 17,3 milionë eurove është kompania e tretë më e madhe. Bëhet fjalë për Shoqërinë e prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve – Blek Si Metal Trejding.

Midis kompanive më të mëdha pa punonjës e dyta në listë është firma Kameni Most Komunikacii, e cila ka arkëtuar 25,1 milionë euro. Kjo kompani që ofron shërbime konsulente është formuar në vitin 2000 për të harmonizuar interesat e aksionarëve të ndryshëm të Telekomit të Maqedonisë, i cili në atë kohë funksiononte si Magjar Telekom, më saktësisht interesat e Fondit amerikan Soros Investment i miliarderit Xhorxh Soros dhe Kosmotelkos grek, subjekte këto që bashkë zotërojnë 51% të aksioneve të Telekomit të Maqedonisë. Pas një periudhe të caktuar Soros dhe Kosmotelko aksionet e tyre ia shitën subjektit Kameni Most Komunikacii dhe në këtë mënyrë kompania hungareze e telekomunikacionit Magjar Telekom u bë aksionari i vetëm dhe pronari i Kameni Most Komunikacii. Në këtë mënyrë ekzistimi i kompanisë konsulente u bë i panevojshëm dhe ajo kaloi në fazën e likuidimit. Megjithatë, vite më vonë kjo kompani mbetet në majën e listës së kompanive më të mëdha dhe më fitimprurëse.

Midis dhjetë firmave që janë pa punonjës dhe që arkëtojnë nga disa milionë euro gjendet edhe Ezpada, e cila me ushtrimin e aktivitetit të saj në fushën e tregtimit me energji elektrike në vitin 2014 regjistroi një xhiro prej 13 milionë euro; Danske Komoditis me të ardhura në shumë prej 11,5 milionë euro; Akspo Mk me të ardhura në shumë prej 6,5 milionë euro; HSE Mak Enerxhi me një xhiro në shumë prej 6,5 milionë euro; Alpik Energija me të ardhura në shumë prej 5 milionë euro dhe Toplifikacija e Shkupit me 4,2 milionë euro të siguruara në vitin 2014.

Me të ardhura në shumë prej 5,2 milionë euro midis firmave më të mëdha pa asnjë punonjës gjendet edhe firma Grinfruit nga Manastiri, e cila sipas sqarimeve të administratorot Koca Andonova, merret me eksportin e produkteve bujqësore. Në vitin 2014 eksporti i produkteve bujqësore kësaj kompanie i ka siguruar një rritje të të ardhurave në shumë prej 50%, krahasuar me vitin 2013.

Andonova sqaron se kjo firmë nuk ka punonjës sepse nuk ka nevojë për to.

„Ne nuk kemi punonjës sepse nuk kemi nevojë për to për të ushtruar biznesin. Ne blejmë produkte bujqësore në tregun vendas dhe i shesim në tregjet e huaja“, tha Andonova gjatë një bisede me telefon për nevojat e BIRN.

Ajo ka sqaruar se megjithëse firma e saj siguron të ardhura milionëshe pa pasur asnjë punonjës, vetë firma nuk ballafaqohet me kontrolle më të rrepta sepse funksionon sipas ligjit.

Firmat e Kamçevit, Kerimit dhe Pandeleskit midis firmave me fitime më të mëdha

Fitimin më të madh midis kompanive me zero punonjës, në shumë prej 1,3 milionë euro, në vitin 2014 e ka siguruar firma Timoh, e regjistruar si një shoqëri që ushtron aktivitetin e saj në fushën e prodhimit, tregtisë, hotelerisë dhe shërbimeve. Pronarë të kësaj kompanie janë Dejan dhe Snezhana Pandeleski, të njohur si pronarë të kompanisë Pelisterka. Fitimi i firmës Timoh brenda një viti është rritur plotë 177 herë.

Siç sqaron njëri nga pronarët e kësaj firme, Dejan Pandeleski, fitimi i saj është siguruar me dhënien me qira të pasurive të paluajtshme.

„Firma Timoh merret me dhënien me qira të pasurive të paluajtshme, më saktësisht ambienteve afariste. Megjithëse kjo firmë nuk ka punonjës, ajo ka administratorin e saj, i cili administron të njëjtën. Bëhet fjalë për 3 lokale që janë dhënë me qira, që janë kapitali im dhe i motrës sime, që do të thotë se të ardhurat mujore sigurohen me qiranë e lokaleve në fjalë. Firma Timoh nuk prodhon asgjë që ajo të ketë punonjës. Pra ajo është hapur me një qëllim të caktuar, të jap me qira pasurinë e paluajtshme. Vetë firma punon sipas ligjit“, thotë Pandeleski për BIRN.

Firma e dytë me fitim më të madh, e cila ka siguruar 1,03 milionë euro, është kompania Kamçev Konsalting, kompani kjo e themeluar në vitin 2008. Pronare e kompanisë është Ratka Kunoska Kamçeva, ndërsa vetë kompania administrohet nga Jordan Kamçev, i cili viteve të fundit është një nga biznesmenët vendas më të suksesshëm. Siç tregon edhe vetë emri i firmës, aktiviteti i saj kryesor ka të bëj me shërbimet konsulente. Nëse do të merret parasysh rritja e fitimit të kompanisë për 124 herë brenda një viti, mund të thuhet se edhe ky biznes ka arritur kulmin në vitin 2014.

E ëma e biznesmenit Jordan Kamçev, Ratka Kunoska Kamçeva, paraqitet edhe si pronare e një firme tjetër të kësaj kategorie. Bëhet fjalë për shoqërinë e tregtisë dhe shërbimeve Orka Fajnans, e cila sipas shumës së fitimit të siguruar në vitin 2014 ose mbi gjysmë milionë eurove, është pozicionuar në vendin e katërt

Megjithatë, të ardhurat e këtyre firmave nuk sigurohen me shërbimet konsulente, siç tregon emri i regjistruar në Regjistrin qendror, por siç tregon administratori Jordan Kamçev me dividendin e siguruar nga kompanitë e tjera të lidhura.

„Shoqëritë Kamçev Konsalting dhe Orka Fajnans bashkë janë pronare të shoqërisë aksionare Orka Holding. Ato sigurojnë të ardhura vetëm nga dividendi që ka të bëj me aksionet e Orka Holding. Për këtë arsye dy firmat në fjalë nuk kanë nevojë për punonjës. Për sa u përket kontrolleve, shoqëritë Kamçev Konsalting dhe Orka Fajnans u nënshtrohen kontrolleve të rregullta që zhvillohen në të gjitha shoqëritë e tjera, në mbështetje të rregullativës ligjore vendase“, thotë për BIRN biznesmeni Jordan Kamçev.

Midis dhjetë firmave me fitim më të madh, me një fitim që kap shumën e 462 mijë eurove, gjendet edhe Internet Group Investment, një nga tre kompanitë pronare të Grafiçki Centar, e cila njëkohësisht qëndron edhe pas ueb portalit Telegfar.mk. Pronare e kësaj kompanie është firma me të njëjtin emër nga Serbia, e cila në vendin fqinj mban portalin Telegraf.rs.

Administratore e firmës është Jana Stanisavleva, e cila njëkohësisht është administratore edhe e Media Print Maqedoni (MPM), bashkë me Srgjan Kerim (para daljes në pension muajin e kaluar).

Ajo gjithashtu paraqitet edhe si pronare dhe administratore e kompanisë Mireks Plus, e cila me një fitim që kap shumën e 333 mijë eurove është gjetur midis dhjetë firmave pa punonjës me fitim më të madh.

Midis dhjetë firmave pa punonjës dhe me fitim më të madh gjenden edhe kompanitë Aikol nga qyteti i Shtipit, me një fitim në shumë prej 535 mijë euro, i siguruar në vitin 2014, Toplifikacija e Shkupit me 475 mijë euro, kompania MA Trust, e cila paraqitet si pronare e Mak Autostar, përfaqësuesi gjeneral i Mercedes Benz për Maqedoninë, me një fitim në shumë prej 440 mijë euro, Delco Operativa me një fitim në shumë prej 370 mijë euro dhe kompania e ndërmjetësimit lidhur me pasuritë e paluajtshme Amari Red, pronare e të cilës është Snezhana Bllazheska, me një fitim në shumë prej 250 mijë euro. Kjo firmë paraqitet edhe si një nga pronarët e Dhomës maqedonase të ndërmjetësimit me shitblerjen e pasurive të paluajtshme, pranë Lidhjes së dhomave ekonomike.

Firma legale me kontroll të posaçëm për aktivitetet ilegale

Sipas ekspertëve, rregullativa ligjore nuk parasheh kufizime lidhur me numrin e punonjësve të firmave. Më saktësisht ai nuk i detyron kompanitë të angazhojnë të paktën një punonjës.

„Në aspektin ligjor vetë ligjet lejojnë hapjen e firmave pa punonjës. Megjithatë, firmat duhet të kenë administratorë, të cilët angazhohen me kontrata menaxhimi dhe jo sipas Ligjit të marrëdhënieve të punës. Kjo mundësi u lejua me legjislacionin përkatës me qëllim që një person të ketë të dejtë të jetë administrator i më shumë firmave. Në këtë kontekst mund të them se të shumta janë rastet kur shtetas të huaj vijnë në Maqedoni dhe hapin firma këtu, duke u paraqitur në cilësinë e administratorëve, por jo edhe të punonjësve të kompanive konkrete”, thotë Goran Koevski, profesori i të drejtës tregtare në Fakultetin juridik “Justiniani i Parë”.

Megjithatë, këshilltarët tatimor vlerësojnë se një pjesë e legjislacionit nuk lejon të ushtroni aktivitetin pa pasur punonjës. “Për shembull në tregtinë me pakicë, në rast se punoni me dy turne, për të respektuar Ligjin e marrëdhënieve të punës duhet të keni të paktën dy punonjës, njësoj si në sektorin e ndërtimit, për të respektuar Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës“, thotë Pavle Gacov, kryetari i Shoqatës së këshilltarëve tatimor.

Sipas ekspertëve, edhe në vendet e huaja regjistrohen firma pa punonjës që fitojnë miliona, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për firma simotra të korporatave të mëdha. Megjithatë, pikërisht funksionimi pa punonjës dhe fitimet që barazohen me ato të kompanive më të mëdha rezultojnë me dyshime se disa prej tyre merren me mashtrime, transaksione ilegale ose me fshehje tatimesh.

„Në rastet e këtyre firmave duhen kontrolluar të gjitha pagesat, sidomos ato që bëhen për shfrytëzimin e formave të caktuara të shërbimeve konsulente të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në vendet e huaja. Në rastet e tilla Drejtoria e të hyrave publike luan një rol shumë të rëndësishëm sepse edhe për pagimin e të ardhurave të kompanive të huaja duhet paguar një lloj tatimi brenda vendit. Kontrollet duhet të jenë më të rrepta, që të detektohen në një mënyrë më efikase të gjitha shpenzimet jofunksionale të firmave të këtij lloji dhe të mënjanohen dyshimet eventuale lidhur me transaksionet ilegale ose të dyshimta, që kanë për qëllim anashkalimin e detyrimit për të paguar tatimet ndaj shtetit“, thotë Gacov.

Në Drejtorinë e të hyrave publike sqarojnë se praktika tatimore zbardh se numri i punonjësve mund të jetë një indikator, por jo gjithmonë flet për veprimet tatimore me rrezik.

„Të dhënat lidhur me numrin e punonjësve, të analizuara në veçanti ose pa një analizë adekuate krahasuese me të dhënat dhe informatat e tjera relevante, nuk janë gjithmonë një kriter i mirëfilltë që flet për veprimet tatimore të rrezikshme sepse tatimpaguesit mund të angazhojnë firma të tjera për të realizuar një pjesë të punëve të fushëveprimit të tyre ose për punë ose çështje të caktuara ato mund të angazhojnë persona me kontrata në vepër“, thotë për BIRN Kiril Minoski, drejtori i Drejtorisë së të hyrave publike (DHP).

Ai gjithashtu ka sqaruar se numri i punonjësve, bashkë me kriteret e tjera, është një nga kriteret e rëndësishme për të vërtetuar pasivitetin e një tatimpaguesi, ndërsa “tatimpaguesit joaktiv u nënshtrohen rregullisht kontrolleve që zhvillohen në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Drejtorisë së të hyrave publike“.

Shteti humb të paktën 10 milionë euro

Sipas ekspertëve, një nga motivet kryesore për ekzistimin e firmave pa punonjës është ulja shpenzimeve të funksionimit.

„Firmat e këtij lloji nuk kanë shpenzime për punonjësit, të cilat në fakt janë shpenzimet më të mëdha të çdo kompanie, sidomos në rastet e kompanive që ushtrojnë aktivitetin në degët e punës-intensive“, vlerëson Gacov, kryetari i Lidhjes së këshilltarëve tatimor.

„Shteti duhet të pengojë ose të paktën të destimulojë funksionimin e firmave pa punonjës. Në rast se të gjitha firmat do të largonin nga puna punonjësit e tyre dhe do të funksiononin si firma me zero punonjës, të gjitha përpjekjet dhe politikat shtetërore të punësimit do të jenë të kota, ndërsa vetë shteti do të humbas elementin social. Në një rast të tillë hapja e biznesit do të jetë e pakuptimtë. Firmat e këtij lloji dëmtojnë tregun dhe konkurrencën“, thotë Gacov.

Nga ana tjetër shumica e administratorëve të firmave pa punonjës, që i kontaktuam për nevojat e BIRN, sqaruan se nuk kanë nevojë për punonjës, ndërsa një pjesë e tyre janë lidhur me firma të tjera që kanë angazhuar punëtorë.

„Shoqatat Kamçev Konsalting dhe Orka Fajnans janë pronare të përbashkët të shoqërisë Orka Holding, e cila me aksionet dhe pjesët e kapitalit që i zotëron në shoqëritë e tjera drejton mbi 3.700 punonjës. Për këtë arsye nuk ka vend të flitet për çfarë do lloj konkurrence jolojale“, sqaron Jordan Kamçev.

Përllogaritjet përkatëse zbardhin se shteti do të fitonte të paktën 10 milionë euro me kontributet sociale dhe tatimin personal të të ardhurave në rast se të 11.597 firmat pa punonjës do të angazhonin të paktën nga një punëtor, i cili do të merrte rrogë minimale. Në këtë mënyrë shteti do të arkëtonte 850 milionë euro në vit kontribute sociale për një punonjës dhe 60 milionë euro të tjera në formën e tatimit persona të fitimit.

Nëse secila nga firmat pa punonjës do të punësonte nga një person të papunë, shkalla e papunësisë do të ulej për 1,5 pikë të tjera procentuale ose nga 25,5% në 24%.

Sipas ekspertëve, shteti mund të destimulojë firmat pa punonjës me ndalimin e të drejtës së pjesëmarrjes në tenderët, dyfishimin e tatimit të fitimit dhe njohjen vetëm të shpenzimeve të shitjes dhe jo të shpenzimeve administrative për qëllimet e tatimit.

Në konferencën e punëdhënësve sqarojnë se në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut nuk duhen vënë në pikëpyetje ekzistimi, aktvendimi i themelimit, lidhja me subjektet e tjera dhe aktivitet ekonomike të firmave pa punonjës dhe nuk duhet spekuluar lidhur me përmbushjen e detyrimeve sociale dhe tatimore nga ana e këtyre firmave.

„Megjithatë mbetet e hapur dilema nëse firmat e këtij lloji shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe në këtë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë pa punëtorë, pa adresa të sakta dhe me seli që ndryshohen dhe nëse aktiviteti kryesor ka të bëj me biznesin ose me veprimet e dyshimta që zhvillohen me bizneset me të cilat merren vesh paraprakisht. Megjithëse këto firma kanë struktura pronësore dhe kanë regjistruar administratorë, ne mendojmë se ato duhet të kenë të paktën nga një punëtor”, thotë Mile Boshkov, kryetari i Konfederatës së punëdhënësve.

Sipas tij, firmat pa punonjës shkaktojnë kontroverse ekonomike në shumë aspekte dhe shfaqen një sërë paqartësish dhe dilemash lidhur me funksionimin e tyre real dhe konceptin e tyre.

Osman Kadriu, profesori universitar i të drejtës obligative, sqaron se duhet analizuar gjendja faktike dhe të bëhen ndryshime ligjore që nuk do të lejojnë konkurrencën jolojale dhe shpërdorimet.

„Në rastet e detektimit të problemeve ose dobësive të një sistemi, mund të bëhen ndryshime ligjore me të cilat do të përmirësohet gjendja faktike. Për sa u përket kompanive pa punonjës, do kisha thënë se duhet t’u nënshtrohen kontrolleve më të rrepta të institucioneve kompetente“, thotë Kadriu.