Hulumtimet

Gjysma e buxhetit harxhohet për ndihma sociale, varfëria pa përmirësime

Për pesë vite Qeveria dyfishoi numrin e përdoruesve që marrin ndihmë sociale. Njëkohësisht, janë duke u rritur shumat e Buxhetit që ndahen për transferta sociale. Për këtë qëllim vetëm gjatë këtij viti do të harxhohen pothuajse 1,5 miliardë euro

Përpjekja e një zonje që jeton jashtë vendit, e cila ka dashur të ndihmojë familjen e saj në Maqedoni, që kjo e fundit të legalizojë shtëpinë e ndërtuar pa leje, përfundoi me ndërprerjen e ndihmës sociale që i ndahej familjes së saj, anëtarë të të cilës janë dy të rritur të sëmurë që ballafaqohen me probleme ekzistenciale.

„Unë marr ndihmë sociale të vazhdueshme. Kur u miratua ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje deshëm të legalizojmë objektin e vogël në të cilin jetojmë. Meqenëse prindërit e mi nuk kanë të ardhura, ndërsa unë marr ndihmë sociale, paratë për legalizimin e objektit tonë i dërgoi nëpërmjet kompanive të specializuara për këtë qëllim, vajza jonë që punon jashtë vendit. Menjëherë pas pranimit të parave institucionet e ndërprenë ndihmën financiare që e merrja unë. E kishim patjetër të gjejmë një mënyrë për të legalizuar objektin në të cilin jetojmë, por duke bërë përpjekje për legalizimin e tij ne mbetëm pa ndihmën sociale“, thotë një banore e Shkupit, e cila është ndarë nga e bija për arsye ekzistenciale dhe nga ana tjetër duhet të kujdeset për dy prindërit e saj të sëmurë.

Banorja e Shkupit, që kërkoi të mbetet anonime për arsye se vazhdon të bëj përpjekje për të vërtetuar nëse institucionet i ndërprenë ndihmën sociale padrejtësisht, thotë se duhet të kthejë edhe paratë që i ka marrë në të kaluarën në formën e ndihmës sociale.

Në Ministrinë e punës dhe politikës sociale sqarojnë se “me Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mënyrën e vërtetimit të gjendjes së të ardhurave, pasurinë dhe të drejtat pronësore të familjes, caktimin e bartësit të të drejtës dhe dokumenteve të nevojshme për të fituar dhe shfrytëzuar të drejtën e ndihmës sociale, u implementua një ndryshim me të cilin u konstatua se paratë e pranuara me transfertat e shpejta, që kalojnë shumën e mbi 70.000 denarëve, do të konsiderohen si të ardhura gjatë procedurës së realizimit të së drejtës”.

Rregullat e reja filluan të zbatohen në fillim të vitit 2015, kur Qeveria me ndihmën e institucioneve kompetente filloi operacionin e kontrollimit të personave që marrin ndihmë sociale. Për një periudhë të shkurtër qindra shfrytëzues u fshinë nga listat përkatëse në Tetovë, Kumanovë, Kavadar, Shkup dhe qytete të tjera. Vetëm në Kumanovë, me fazën e parë të drejtën e ndihmës sociale ose ndihmave të tjera shtetërore monetare iu morr 500 shtetasve.

„Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, një numër i madh qytetarësh nga Kumanova i vërshuan zyrat tona dhe u ankuan për humbjen e të drejtës së ndihmës shtetërore. Dispozita ligjore e Ministrisë përkatëse filloi të zbatohet në janar të vitit 2015, por sipas të dhënave të qendrave të çështjeve sociale, vendimi përkatës ka veprim retroaktiv sepse filluan të ankohen edhe qytetarë që mbetën pa ndihmë sociale për shkak se pranuan para nga vendet e huaja gjatë viteve 2013 dhe 2014“, thotë Ashmed Elezovski, përfaqësues i Qendrës nacionale rome.

Ulja e numrit të përdoruesve të ndihmës sociale – reale ose artificiale?

Të dhënat zyrtare të Entit shtetëror të statistikës zbardhin se numri i përdoruesve të ndihmës sociale monetare nga viti 2010 deri në vitin 2015 pothuajse është përgjysmuar, ndërsa ulja më e madhe është regjistruar në fillim të vitit 2015, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore me të cilat u rreptësuan kriteret e marrjes së ndihmës shtetërore monetare.

Numri i përdoruesve të ndihmës sociale sipas viteve

socijalna

Pas ndryshimeve që ndodhën në kryesinë e Ministrisë së punës dhe politikës sociale, ministrja e re Frosina Tashevska Remenski, nga radhët e partisë LSDM, deklaroi se do të hap dosjen me emrin “përdorues të ndihmës sociale”, bashkë me aktpadinë që e ngriti kundër ish ministrit Dime Spasov nga radhët e partisë VMRO-DPMNE.

Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, 6.204 persona janë fshirë nga lista e përdoruesve të ndihmës sociale gjatë periudhës së viteve 2014-2015. Nga numri i përgjithshëm, 2.203 persona humbën të drejtën e ndihmës sociale si rezultat të parave që i kishin pranuar nga vendet e huaja. Jo vetëm që humbën ndihmën sociale, jo kategori u detyrua të kthejë të gjitha paratë e pranuara gjatë vitit 2014 ose të kthejë gjithsej 422.000 euro. Mesatarisht çdo përdorues duhet ë kthejë rreth 200 euro. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar.

Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, 6.204 persona janë fshirë nga lista e përdoruesve të ndihmës sociale gjatë periudhës së viteve 2014-2015

Ekspertët sqarojnë se ulja e numrit të përdoruesve të ndihmës sociale nuk është rezultat i përmirësimit real të statusit ekonomik të kas kategorie, por para së gjithash ka të bëj me masat administrative të Qeverisë. Sipas analistit Sllobodan Najdovski, problemi kryesor qëndron në kriteret e gabuara lidhur me vërtetimin e të drejtës së ndihmës sociale.

„Është e qartë se masat administrative janë rezultat i shfrytëzimit joracional të mjeteve të buxhetit, më saktësisht masat administrative përkatëse janë marrë për arsye se paratë që ndahen ndihma sociale nuk mjaftojnë. Qeveria kërkon mënyra për të ulur numrin e përdoruesve të ndihmës sociale. Në këtë kontekst, një pasuri e luajtshme ose e paluajtshme që nuk ka vlerë dhe që ka mbetur nga koha kur rasti social konkret ka siguruar mjete të caktuara financiare, mund të jetë arsye që ai të mos fitojë ndihmë sociale. Më saktësisht, kriteret e vërtetimit të të drejtës së ndihmës sociale janë të gabuara. Në Maqedoni shuma e ndihmës sociale caktohet në bazë të mjeteve që janë në dispozicion në buxhet dhe jo në bazë të nevojave të qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë sociale“, thotë Najdovski.

Përfaqësuesit e Qendrës nacionale rome, Qendër kjo që ndjek me kujdes bazën e ndërprerjes së ndihmës monetare, thonë se sipas analizave të tyre lidhur me ndërprerjen e ndihmave sociale ka shumë veprime alogjike.

„Kishte raste kur përdoruesit as që kishin fituar vendime dhe mbetën pa ndihmë sociale. Këto përdorues fituan vetëm dokumente me të cilat u detyruan të kthejnë të ardhurat e pranuara në formën e ndihmës sociale për dy vitet e kaluara. Midis tyre u gjetën përdorues të cilët me muaj nuk kishin marrë ndihmë sociale. Më saktësisht, bëhen manipulime me zbatimin e rregullativave ligjore. Qëllimi i fundit ishte të ulet sa më shumë numri i përdoruesve të ndihmës sociale. Ne përgatitëm një numër të madh ankesash, të cilat i drejtuam në Ministrinë përkatëse, por të gjitha u refuzuan me nënshkrimin e ish ministrit Dime Spasov, me arsyetimin se janë të pabazuara. Tani mbetet të padisim Ministrinë“, thotë Elezovski.

Për pesë vjet – 6,4 miliardë euro për ndihma sociale

Me uljen e numrit të përdoruesve të ndihmës sociale nga viti në vit është duke u rritur shuma e parave që ndahen për mbështetjen e qytetarëve me nevoja. Edhe në vitin 2016 shuma e përgjithshme e transfertave sociale u rrit krahasuar me vitin 2015 dhe arriti shumën rekorde prej 1,45 miliardë euro.

Transfertat sociale (në miliardë euro)

socijalni2

Shteti për pesë vjet në formën e „transfertave sociale“ ka paguar 6,42 miliardë euro ose çdo vit 40% deri në 45% të mjeteve të buxhetit janë shpenzuar për këtë qëllim.

Edhe në vitin 2016 shuma e përgjithshme e transfertave sociale u rrit krahasuar me vitin 2015 dhe arriti shumën rekorde prej 1,45 miliardë euro

Analizimi i rrjedhës së parave që ndahen në formën e ndihmës shtetërore zbardh se shumat që ndahen për këtë qëllim rriten në nivel vjetor, bashkë me shumat të cilat Qeveria nëpërmjet Ministrisë së punës dhe politikës sociale i paguan për fondet shtetërore dhe për nevojat e Agjencisë së punësimit.

Në këtë kontekst, vetëm gjatë pesë viteve të fundit, përfshirë edhe vitin 2016, për pagesat dhe të drejtat që kanë të bëjnë me ndihmën sociale (mbrojtja sociale, mbrojtja e fëmijëve, luftëtarët dhe invalidët e luftës, invalidët civilë dhe pagesat për mbrojtjen e refugjatëve) janë shpenzuar 566.726.859 euro. Vetëm gjatë këtij viti për pagesat dhe të drejtat që kanë të bëjnë me ndihmën sociale do të harxhohen 132 milionë euro, shumë kjo rekorde krahasuar me vitet e kaluara.

Një shumë rekorde prej rreth 422 milionë euro Ministria e punës dhe politikës sociale sivjet do të dredh edhe për nevojat e fondeve dhe Agjencisë së punësimit, në formën e transfertave sociale.

Shumat e transfertave rriten, shkalla e varfërisë mbetet e lartë

Një e pesta e popullatës vendase jeton në pragun e varfërisë

Në kohën kur shumat e transfertave sociale janë në rritje të vazhdueshme, të dhënat zbardhin se kategoritë e qytetarëve me nevoja jetojnë në një varfëri të madhe, e cila nuk përmirësohet.

Komisioni Evropian me raportin e fundit për Maqedoninë theksoi se edhe kundrejt politikave sociale qeveritare, varfëria mbetet një problem serioz për Maqedoninë. Sipas të ashtuquajturit indikatorë Laeken lidhur me varfërinë, të përgatitur sipas rregullativave evropiane nga ana e Entit shtetëror të statistikës, shkalla e varfërisë në vitin 2014 ka qenë 22,1%, që do të thotë se një e pesta e popullatës vendase ka jetuar në pragun e varfërisë.

Të dhënat zbardhin se transfertat sociale lehtësojnë shkallën e varfërisë së përdoruesve të ndihmave sociale monetare, por kjo shkallë edhe më tej mbetet e lartë.

Shkalla e varfërisë në Maqedoni

socijalni3

Shifrat përkatëse zbardhin se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2014, varfëria e përdoruesve të ndihmës sociale është ulur vetëm për 5,2 pikë procentuale.

„Për mendimin tim ulja e shkallës së varfërisë më shumë ka të bëj me sqarimet e caktuara metodologjike të mënyrave të vlerësimit të varfërisë dhe me rastet me të cilat bëhen përllogaritjet përkatëse sesa me uljen reale të shkallës së varfërisë. Ne kemi të dhëna statistikore që tregojnë se transfertat sociale, me përjashtim të pensioneve, nuk janë efektive. Po të merren parasysh transfertat, mund të themi se pensionet ndikojnë në uljen e shkallës së varfërisë, ndërsa transfertat e tjera nuk ndikojnë aspak në uljen e nivelit të varfërisë ose ndikimi i tyre është shumë i vogël“, thotë profesori universitar Maja Gerovska Mitev.

Pikërisht, gjatë viteve të kaluara qeveria disa herë me radhë rritu shumën e ndihmës sociale, por sipas analistëve rritja e shumës së ndihmës sociale ose shuma mujore që u jepet përdoruesve të ndihmës sociale nuk mund të plotësojë as nevojat e tyre elementare.

„Ndihma sociale u jepet personave që janë pa të ardhura dhe kjo kategori i takon shtresës më të ulët të shoqërisë që nuk ka mjete as për të mbuluar nevojat elementare. Duke u nisur nga shumat e rrogave që i marrin kategori të caktuara, mund të themi se në Maqedoni një numër i madh të punësuarish jetojnë nën pragun e varfërisë. Rrogat e një numri shumë të madh të punësuarish nuk kalojnë as gjysmën e shumës që është paraparë për shportën e konsumatorit, për produktet dhe nevojat elementare. Varfëria nuk mund të zgjidhet me ndihmë sociale, por me zhvillim ekonomik dhe me hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin real, që do të rezultojnë me rrije ekonomike dhe rroga më të larta. Maqedonia nuk ka një politikë sociale dhe politikat e saj janë afatshkurtra dhe përbëjnë një lloj shtypjeje të problemit të qytetarëve me nevoja. . Politikat e këtij lloji janë objekt manipulimi dhe shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë cikleve zgjedhore sepse rastet sociale manipulohen më lehtë“, thotë analisti Najdovski.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare sqarojnë se shumat që i fitojnë përdoruesit e ndihmës sociale janë më të ulëtat në rajon, ndërsa paratë që i fitojnë me transfertat e shpejta, që janë arsye për bllokimin e ndihmës sociale, zakonisht i shfrytëzojnë për mjekim dhe për të paguar borxhet.

„Ndihma sociale monetare në Maqedoni është më e ulëta në rajon dhe më gjerë. Kjo shumë është simbolike dhe nuk mund të ndihmojë përdoruesit e saj. Me këtë shumë, përdoruesi mundet vetëm të vdes dhe jo të jetojë. Kjo shumë nuk mund të ul shkallën e varfërisë. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e rasteve sociale që kanë pranuar para nga vendet e huaja, këto para i kanë përdorur për t’u mjekuar, për të shlyer borxhet ose për varrimin e të afërmve të tyre“, thotë Elezovski.

Hetimet që i paralajmëroi Ministria e punës dhe politikës sociale, e drejtuar nga ministrja e re Frosina Remenski, duhet të zbardhin nëse institucionet kanë ndërprerë ndihmën sociale të mijëra familjeve në mbështetje të rregullave dhe ligjeve përkatëse, veprim ky që la familjet përkatëse pa të ardhurat mujore dhe njëkohësisht i bëri borxhlinj të vetë shtetit sepse ato duhet të kthejnë paratë që vetë shteti ua ka dhënë në formën e ndihmës sociale.