Hulumtimet

Investitorët e huaj nuk i përmbushin premtimet e punësimit

Investitorët e huaj dy – tre viteve të ardhshme do të hapin rreth 30 mijë vende të reja pune, njofton Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke u bazuar në vlerësimet e Qeverisë. Megjithatë, hulumtimi i BIRN ka vërtetuar se kapitali i huaj i përmbush me shumë vështirësi premtimet lidhur me punësimet e reja, ndërsa rrogat që i japin kompanitë e huaja janë më të ulëta se rrogat e kompanive vendase

Sikur t’i kishin hapur të gjitha vendet e reja të punës, që i premtuan gjatë prerjes së shiritave të kuq, në fabrikat e investitorëve të huaj, në zonat e lira ekonomike, do të punonin rreth 4.000 persona. Megjithatë, të dhënat e Regjistrit Qendror zbardhin se realiteti nuk përputhet me premtimet. Deri në fund të vitit 2014 (periudhë për të cilën mund të gjenden të dhëna), në të gjitha fabrikat që kanë ushtruar aktivitetin e prodhimit në zonat zhvillimore teknologjike-industriale kanë punuar gjithsej 3.187 persona.

„Ne nuk dyshojmë se investitori amerikan Kemet Elektroniks do të investojë 25 milionë euro në fabrikën në Bunarxhik dhe se do të hap 500 vende pune gjatë viteve në vazhdim“, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski në qershor të vitit 2011, në ditën kur investitori amerikan hodhi gurëthemelin e fabrikës së prodhimit të kondensatorëve.

Megjithatë, të dhënat lidhur me numrin e punonjësve të kësaj kompanie, që mund të gjenden në Regjistrin Qendror, zbardhin se bindjet e kryeministrit lidhur me punësimin e 500 personave në Kemet Elektroniks kanë qenë joreale. Në fund të vitit 2014 në këtë fabrikë kanë punuar 243 persona ose më pak se gjysma e vendeve të reja pune që u premtuan gjatë hedhjes së gurëthemelit të fabrikës në Bunarxhik.

Analizat e të dhënave zbardhin se vetëm një nga kompanitë e huaja ka përmbushur premtimet lidhur me punësimet. Gjithashtu, duhet theksuar se asnjë nga kompanitë e huaja nuk ka hapur më shumë vende pune, krahasuar me vendet e punës të premtuara në fillim.

Në dy fabrikat e Kompanisë Xhonson Meti në Bunarxhik deri në fund të vitit 2014 kanë punuar gjithsej 534 persona ose mbi 100 punëtorë më pak se numri i vendeve të punës që u premtua në fillim të ushtrimit të aktivitetit, kur përfaqësuesit e kompanisë premtuan hapjen e 650 vendeve të reja të punës. Megjithatë, përgjegjësit e kësaj kompanie njoftojnë se për momentin është përmbushur qëllimi i caktuar në fillimin e ushtrimit të aktivitetit.

„Për momentin Xhonson Meti ka punësuar pak më shumë se 650 punonjës në Maqedoni. Deri më tani nuk jemi ballafaquar me pyetje institucionale të çfarëdo lloji dhe synojmë vazhdimin e investimeve tona në bashkësinë lokale“, tha Xhatin Takrar, përfaqësues i Kompanisë Xhonson Meti.

Në kompaninë amerikane Visteon Elektroniks, ish Xhonson Kontrolls, deri në fund të vitit 2014 kanë punuar 321 persona, megjithëse kjo kompani premtoi hapjen e të paktën 500 vendeve të reja të punës. Ndërkohë, kjo kompani njoftoi largimin nga Maqedonia deri në fund të këtij viti.

Në kompaninë italiane Tehnohoze në vitin 2014 anë punuar vetëm 33 persona, megjithëse kjo kompani premtoi punësimin e 170 personave.

Në kompaninë farmaceutike Prodis punojnë 72 persona, megjithëse përfaqësuesit e kësaj kompanie premtuan punësimin e të paktën 160 personave.

Më afër realizimit të premtimit ka arritur kompania belge e cila në Bunarxhik prodhon autobusë. Bëhet fjalë për kompaninë Van Hool, e cila ka angazhuar 485 punonjës, megjithëse në fillim premtoi 500 vende të reja pune.

Kompanie e cila pothuajse përmbushi premtimet është Xhonson Kontrols me fabrikën e saj në Shtip, në të cilën deri në vitin 2014 u punësuan 1.499 persona ose vetëm 1 person më pak, krahasuar me 1.500 punësimet që u premtuan në fillim.

Vitin e kaluar disa kompani të reja filluan ndërtimin e fabrikave në zonat zhvillimore teknologjike-industriale, por këto kompani nuk filluan prodhimin dhe si rezultat nuk kanë angazhuar punëtorë.

Kompania gjermane ODV Elektrik njoftoi nisjen e ndërtimit të fabrikës së prodhimit në zonën midis Strugës dhe Ohrit dhe premtoi se do të hap 1.000 vende pune. Në vitin 2014, kur është hapur kjo kompani, në pikën e prodhimit në objektin në Ohër kanë punuar 15 persona. Sipas njoftimeve të përfaqësuesve të kompanisë, për nevojat e prodhimit në fazën e provës ishte dashur të angazhohen rreth 100 punëtorë.

Një tjetër investitor, i cili në vitin 2014 filloi ndërtimin e reparteve prodhuese në zonën e lirë ekonomike në Kërçovë, është kompania amerikane Ki sejfti sistems (КSS). Përfaqësuesit e saj njoftuan se kompania kishte planifikuar të hapen 800 vende pune, por sipas të dhënave të disponueshme për vitin 2014, ajo nuk ka bërë asnjë punësim.

Kompania Dijatek nga Italia Veriore vitin e kaluar gjithashtu njoftoi një investim në shumë prej 10 milionë euro, për ndërtimin e reparteve të prodhimit dhe qendrës logjistike në Shkup dhe hapjen e 200 vendeve të reja të punës. Deri në fund të vitit 2014 kjo kompani nuk angazhoi asnjë punëtor.

Kompania gjermane Tehnikal Tekstajls në vitin 2014 nuk ka paraqitur asnjë punësim, ndërsa sipas informatave të mediave, të publikuara vitin e kaluar, për nevojat e kompanisë tashmë janë punësuar rreth 100 persona.

Për mendimin e ekonomistëve, pushteti duhet të kujdeset dhe të kontrollojë nëse kompanitë e huaja përmbushin premtimet e tyre sepse ato fitojnë ndihma financiare që sigurohen nga tatimpaguesit vendas.

„Institucionet kompetente kanë për detyrë të kontrollojnë nëse kompanitë e huaja, që gëzojnë statusin e investitorit preferencial në zonat e lira ekonomike, përmbushin detyrimet në aspektin e shumës së investimit ose numrit të vendeve të punës sepse në mbështetje të këtyre karakteristikave ato fitojnë subvencionet ose ndihmën e shtetit. Në rast se kompanitë e huaja nuk do të përmbushin detyrimet, ato duhen sanksionuar ose të paktën duhen kushtëzuar dhe të fitojnë ndihmën e shtetit pasi të vërtetohet se kanë përmbushur premtimet e dhëna në fillim“, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Ai ka shtuar se efekti i investimeve të huaja direkte mbi ekonominë vendase është negativ sepse këto kompani shkaktojnë shpenzime më të mëdha krahasuar me rezultatet që i ofrojnë, midis të cilave duhet theksuar edhe hapja e vendeve të reja të punës.

Kundër një kompanie që nuk ka përmbushur premtimin e punësimeve të reja është duke u zhvilluar një procedurë

FOTO: MIA

Megjithëse Agjencia e investimeve të huaja është duke zhvilluar një procedurë kundër një investitori të huaj sepse nuk ka hapur kaq vende pune sa ka premtuar, zyrtarët e kësaj Agjencie nuk zbardhin emrin e investitorit dhe gjobat që mund t’i paguaj ai.

„Për momentin vetëm një kompani që shfrytëzon zonat zhvillimore teknologjike – industriale akoma nuk ka përmbushur detyrimet e kontraktuara, që kanë të bëjnë me numrin e vendeve të punës. Para së gjithash, mospërmbushja e detyrimeve ka të bëj me gjendjen e vendeve që janë tregjet kryesore të eksportit dhe kundër kësaj kompanie tashmë ka filluar procedura e aktivizimit të sanksioneve të kontraktuara“, thuhet në përgjigjen drejtuar BIRN nga ana e Kliment Sheqerovski, i cili në momentin e zhvillimit të këtij hulumtimi ushtronte detyrën e ushtruesit të detyrës drejtor i Agjencisë së investimeve të huaja, i cili dha përgjigje pas kërkesës së dorëzuar në mbështetje të Ligjit për qasje në informatat me karakter publik.

Sheqerovski gjithashtu ka sqaruar se vazhdon procesi i kontrollimit të përmbushjes së detyrimeve të kontraktuara nga ana e kompanive që shfrytëzojnë zonat zhvillimore teknologjike-industriale, me të cilat Agjencia e investimeve të huaja ka lidhur kontrata dhe se në rastet e vërtetimit të shkeljes së detyrimeve Agjencia do të nis procedura për sanksionimin e subjekteve përkatëse në kuadër dhe në mbështetje të rregullave pozitive ligjore dhe dispozitave të parapara me kontratat përkatëse.

Duke filluar nga viti i kaluar, kontrata me kompanitë e huaja, përveç Agjencisë së investimeve të huaja, nënshkruajnë edhe Drejtoria e zonave zhvillimore teknologjike – industriale dhe ministri i investimeve të huaja.

„Ne si Drejtori filluam të nënshkruajmë kontrata me investitorët e huaj, që ushtrojnë aktivitetin në zonat e lira ekonomike, nga viti i kaluar dhe mund të them se investitorët me të cilët kemi nënshkruar kontrata respektojnë dinamikën lidhur me numrin e punësimeve në fabrikat e tyre. Megjithatë, kemi të bëjmë me kontrata të lidhura 12 muajve të kaluar dhe nuk mund të flas për kontratat e lidhura para vitit 2015“, thotë Viktor Mizo.

Pyetjet iu drejtuan edhe Ministrit të investimeve të huaja, z.Vele Samak, i cili ka nënshkruar disa kontrata me investitorë të huaj, por nuk morëm një përgjigje prej tij.

Megjithëse anashkalohen përgjigjet e pyetjeve konkrete, përfaqësuesit qeveritarë vazhdimisht deklarojnë se numri i përgjithshëm i punonjësve të angazhuar në zonat e lira ekonomike duhet të kalojë mbi 5.000.

Vlerësime të caktuara qeveritare rezulton të jenë akoma më optimiste. Në Raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) thuhet se „investitorët e huaj 2-3 viteve në vazhdim do të hapin rreth 30 mijë vende të reja pune“. Megjithëse ministrat e resorit ekonomik këto vlerësime i prezantuan në opinion si një lloj konfirmimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me efektet pozitive të investimeve të huaja, zyrtarët e institucionit financiar ndërkombëtar sqaruan se numri i punësimeve nuk është një vlerësim i tyre dhe se bëhet fjalë për vlerësime të institucioneve vendase, me të cilat janë njohur gjatë misionit të tyre në Maqedoni.

Dragan Tevdovski, përfaqësuesi i partisë LSDM, i cili është një nga kreatorët e programit politik të partisë, vlerëson se është më shumë se e qartë se pushteti është plotësisht jotransparent lidhur me investimet e huaja dhe se bën manipulime me numrin e punonjësve.

„Nga njëra anë, opinioni duhet të njoftohet me të gjitha shpenzimet që i bëjnë institucionet për tërheqjen dhe mbështetjen e kompanive të huaja që ushtrojnë aktivitetin në zonat e lira ekonomike dhe nga ana tjetër, institucionet duhet të sigurojnë informata të sakta lidhur me efektet e investimeve të huaja. Nuk lejohet të bëhen spekulime dhe të fryhen shifrat e punësimit që kanë të bëjnë me kompanitë e huaja nga ana e përfaqësuesve qeveritarë dhe njëkohësisht institucionet kompetente dhe para së gjithash Agjencia e investimeve të huaja, të mos i ofrojë opinionit të dhëna të sakta lidhur me numrin e tanishëm të punonjësve të angazhuar në kompanitë që ushtrojnë aktivitetin në zonat e lira ekonomike“, thotë Tevdovski për BIRN.

Një vend pune na kushton deri në 35.000 euro!?

Megjithëse ndihma shtetërore që lejohet nga institucionet vendase për investitorët e huaj që hapin fabrika nëpër zonat zhvillimore teknologjike – industriale mbetet një sekret për opinionin, përllogaritje të caktuara zbardhin se një vend pune në këto fabrika mund të na kushtojë deri në dhjetëra mijë euro, para këto të siguruara nga taksapaguesit.

Pas deklaratave të drejtorit ekzekutiv të kompanisë belge Van Hool, z.Filip Van Hool, të dhëna gjatë një interviste për nevojat e një medie belge, gjatë të cilës ai informoi se institucionet e Maqedonisë kanë subvencionuar aktivitetin e kompanisë së tij në Maqedoni me 17 milionë euro, përllogaritjet zbardhin se ndihma shtetërore për një vend pune në rastin konkret arrin deri në 35 mijë euro. Sa për krahasim, sipas një këshilltari të Agjencisë së investimeve të huaja të Serbisë, z. Aleksandar Miloradoviq, shuma mesatare e subvencioneve shtetërore që u jepen investitorëve të huaj arrin në 4.700 euro për një vend pune të ri, shumë kjo shumë më e ulët krahasuar me rastin e kompanisë Van Hool.

Megjithëse shuma që u mundësohet pjesës më të madhe të investitorëve mbetet një sekret, të gjithë ne e dimë se gjatë përpjekjeve për të sjellë investitorët në “parajsën e investimeve”, siç e quan Qeveria Maqedoninë, pushteti liron investitorët e huaj që ushtrojnë aktivitetin në zonat industriale nga detyrimi për të paguar tatimin e fitimit, tatimin personal të të ardhurave të rrogave të punonjësve, TVSH-në e importit të repromaterialeve dhe u mundëson lehtësime doganore. Qeveria këtyre kompanive u jep deri në 500 mijë euro për ndërtimin e objekteve, paguan një pjesë të rrogave të punëtorëve dhe u jep kompanive subvencione për shpenzimet e trajnimit dhe aftësimit të punëtorëve.

Për rregullimin e zonat zhvillimore teknologjike – industriale pushteti me Buxhetin e këtij viti ka ndarë nëntë milionë euro, ndërsa shuma që është ndarë nëntë viteve të fundit për këtë qëllim ka arritur në 65,5 milionë euro.

Profesori universitar Marjan Petreski thekson nevojën e ndryshimit të konceptit që zbatohet me investitorët e huaj.

„Fillimisht kemi të bëjmë me vënien e fokusit mbi tërheqjen e industrive që do të jenë në gjendje të lidhen mirë me industrinë vendase dhe në këtë fazë zhvillimi kemi të bëjmë me fabrika të industrive me teknologji të mesme. Ato do të jenë në gjendje më lehtë dhe më shpejtë të angazhojnë fuqinë tonë punëtore dhe me lidhjen e tyre me ekonominë vendase, largimi i tyre nga ekonomia vendase nuk do të jetë me leverdi për to. Edhe nëse do të vendosin të largohen, pjesëmarrja e firmave vendase në rrjetin e furnizimit do të jetë një kontribut i çmuar për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Së dyti, duhen mundësuar të dhëna plotësisht transparente lidhur me shpenzimet publike për nevojat e fabrikave të huaja, si për investimet direkte dhe për investimet indirekte dhe duhet hapur një debat i gjerë dhe të bëhen përllogaritje profesionale nëse fitimet potenciale i kalojnë shumat e shpenzimeve që mund të bëhen“, thotë Petreski.

Rroga mesatare në fabrikat e huaja është 325 euro

Vitin e kaluar rroga mesatare e punonjësve të angazhuar në zonat zhvillimore teknologjike – industriale ka qenë 325 euro. Kjo shumë mund të fitohet me pjesëtimin e shumës së rrogave neto që janë paguar, shumë kjo e publikuar me Raportin financiar lidhur me funksionimin e kompanive, me numrin e përgjithshëm të punonjësve.

Më saktësisht, shtatë kompanitë që ushtronin aktivitetin në zonat e lira ekonomike në vitin 2014 në formën e rrogave të 3.177 punëtorëve kanë paguar 12,4 milionë euro rroga neto.

Në Shoqatën e hulumtuesve të rinj (SHHR) sqarojnë se rroga mujore mesatare neto e punonjësve të kompanive të cilat në vitin 2014 kanë ushtruar aktivitetin e tyre në zonat e lira ekonomike ka arritur shumën e 19.981 denarëve, krahasuar me rrogën prej 22.696 denarë në vitin 2013, por theksojnë se në shumën e përgjithshme të rrogave janë përfshirë edhe rrogat e menaxherëve.

Rroga më e ulët mesatare neto në shumë prej 11.789 denarë është regjistruar në kompaninë Xhonson Kontrols, kompani kjo me numër më të madh punëtorësh, e cila është kompania e vetme që ka realizuar numrin e premtuar të punësimeve.

„Në vitin 2014 në Xhonson Kontrols në Shtip kanë punuar 1.499 persona që kanë marrë rrogë mesatare prej 11.789 denarë, ndërsa numri i punonjësve në vitin 2013 ka qenë 682 dhe ato kanë marrë rroga mesatare mujore neto në shumë prej 13.890 denarë“, thotë Sllavica Todorovska, përfaqësuese e Shoqatës së hulumtuesve të rinj.

Përfaqësuesit e kompanisë Xhonson Kontrols, duke anashkaluar pjesën që ka të bëj me rrogat e punonjësve, thonë se Maqedonia ofron kuadro me kualifikime të mira dhe arsim cilësor, si dhe zonat të lira industriale, me asistencë logjistike dhe administrative, duke theksuar se Xhonson Kontrols do të hap një kompani të re në Strumicë.

Të dhënat e raporteve financiare lidhur me punën e kompanive të huaja zbardhin se rroga më të larta marrin punëtorët e Xhonson Meti dhe Visteon Elektroniks, kompani kjo që njoftoi mbylljen e fabrikës në Maqedoni deri në fund të këtij viti. rroga mesatare që marrin punonjësit e këtyre dy kompanive të huaja ka qenë mbi 30.000 denarë, por edhe në këtë rast, në shumën e përgjithshme të rrogave janë përfshirë edhe rrogat e menaxherëve.

Punonjësit e Këshillit të investitorëve të huaj theksojnë se sipas analizës së tyre rrogat e punonjësve të angazhuar në zonat e lira ekonomike janë pak më të ulëta, krahasuar me rrogat e kompanive vendase, por krahasimi është bërë vetëm me sektorë me aktivitet të njëjtë. Rroga neto në nivel vendi, në industritë për të cilat janë bërë krahasime, ka qenë 17.555 denarë, ndërsa rroga neto në zonat e lira ekonomike ka qenë 16.143 denarë.

Megjithatë, këto të dhëna vërtetojnë tezën sipas të cilës megjithëse marrin subvencione nga ana e shtetit, investitorët e huaj japin rroga më të ulëta, krahasuar me rrogat e kompanive vendase që nuk ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonat e lira ekonomike dhe nuk fitojnë ndihmë shtetërore.

Gjatë periudhës 2013 dhe 2014 kompanitë e huaja që ushtrojnë aktivitetin në zonat zhvillimore teknologjike – industriale kanë siguruar të ardhura në shumë prej 1,8 miliardë euro dhe 96,5 milionë euro fitime.

Analiza e BIRN zbardh se pjesa më e madhe e të ardhurave dhe fitimit i takon kompanisë Xhonson Meti. Kjo kompani britanike, gjatë periudhës 2013 – 2014, ka siguruar të ardhura në shumë prej 1,5 miliardë euro, ndërsa të ardhurat e të gjitha kompanive të mbetura, që ushtrojnë aktivitetin në zonat e lira ekonomike, ka arritur shumën e 300 milionë eurove. Të njëjtën periudhë Xhonson Meti siguroi një fitim në shumë prej 85,8 milionë euro, ndërsa të gjithë kompanitë e tjera siguruan një fitim në shumë prej 10,7 milionë euro.