Prodhimi i kontrolluar i kanabisit: Foto: Rusty Blazenhoff / Foter
„Unë nuk dua të futem më në spital. Vaji i kanabisit dhe ushqimi i drejtë janë ilaçi im dhe do t’i praktikojë deri në fund të jetës sime. Vaji i kanabisit duhet legalizuar për qëllime mjekësore. Unë mendoj se atë duhet ta përdorin edhe njerëzit me shëndet të mirë dhe jo vetëm të sëmurët“, tha 30-vjeçari Daniel Zdravkov nga Radovishi, gjatë takimit të parë me të.
Ai është pothuajse i paralizuar si rezultat të tre sëmundjeve autoimune. Bëhet fjalë për sindromën e Behterit, kolitisin ulçëroz dhe poliartritisin.
Me Danielin u takuam në banjën “Car Samoil” në Strumicë, shërbimet e të cilës ai i paguan vet. Në një dhomë të vogël dhe në shoqërinë e mikut të tij më të mirë, ai bën përpjekje të shërohet dhe të ketë një jetë normale. Ai është lodhur nga programi i terapisë fizikale, të cilin e ka përgatitur vetë, por ka shumë shpresa se përsëri do të ketë një jetë normale.
Daniel Zdravkov tani është pothuajse i paralizuar si rezultat të tre sëmundjeve autoimune, megjithëse para tre vitesh ka qenë një djalë me shëndet të mirë / Foto: Profili i Facebook-ut i Daniel Zdravkovit |
Para tre vitesh Danieli ishte një djalë me shëndet të mirë dhe një futbollist, i cili bënte plane për të ardhmen e tij. Sëmundjet e shtrinë atë në krevat, por ai është një djalë me shumë shpresa. Na befasoi kur tha: “Jam i lumtur që u sëmura”. Kur ai pa se deklarata e tij na befasoi, vazhdoi me fjalët “Sëmundjet më hapën sytë. Tani unë e di çfarë është me rëndësi në jetën e njeriut. Unë e mbylla kapitullin me pyetjet e tipit – përse kjo më ndodh mua? Unë tani jam i fortë në aspektin psikik dhe garantojë se pas disa vitesh nuk do të ec, por do vrapojë”, tha Danieli.
Danieli filloi ta përdor vajin rastësisht dhe pasi kishte pirë shumë e shumë barna, por pa asnjë efekt. Efektet e vajit të kanabisit ai i ndjeu menjëherë. Dhimbjet dhe mpirja e trupit dhe e ekstremiteteve u lehtësuan, ndërsa atij iu kthyen gjumi dhe energjia. Pas disa muajsh Danieli filloi të çohet vetë nga krevati.
Paratë kanë qenë pengesa kryesore që ai të përdor vajin e kanabisit rregullisht. Ai e ka siguruar vajin nga Shqipëria, me çmim prej 1.800 deri në 2.600 euro në muaj, por pas një përdorimi disa muajsh familja e tij nuk kishte më të holla për të blerë vaj kanabisi. E ballafaquar me mungesën e parave, e ëma e tij Zuica gjeti zgjidhjen e duhur – ajo mësoi si përgatitet vaji dhe filloi ta prodhojë vetë në kushtet shtëpiake. Që nga fillimi ajo përdor kanabisin e egër, të cilin e mbledh përreth qytetit, ku rritet në mënyrë të pakontrolluar. Në këtë mënyrë u mundësua të vazhdohet terapia e Danielit.
Vëllai u burgos duke dashur të ndihmojë Danielin
Kanabis i bluar, i gatshëm për të prodhuar vajin e kanabisit / Foto: O. Çançareviç
„Rreth tre vite më parë, duke u kthyer nga një udhëtim, e gjeta gjysmë të gjallë. Atëherë e kuptova se terapia duhet ndërprerë dhe se duhen ndërruar ilaçet. Danieli kishte probleme me gjumin dhe zgjohej në çdo dhjetë minuta. Ai u dobësua shumë dhe kishte 46 kilogramë. Ai kishte nevojë brenda natës të shkonte 10 herë në tualet, por nuk ishte në gjendje të çohet në këmbë. Në fillim të vitit 2013 shokët e tij për herë të parë i sollën vaj kanabisi dhe ai menjëherë kishte përmirësime“ – sqaron e ëma e Danielit.
Familja e tij plotë një vit fshehte nga mjekët përdorimin e vajit të kanabisit dhe ndërprerjen e terapisë së Danielit. „Mjekët çuditeshin me rezltetet“, thotë Zuica.
Duke dashur ta ndihmojnë Danielin, ajo bashkë me vëllain e tij Petar, vendosën të mbjellin rreth njëzetë fidanë kanabis në shtëpinë e babait të tyre, që të jenë në gjendje të prodhojnë vaj kanabisi. Megjithatë, ky veprim i kushtoi shumë. Sot Petari është në burg dhe vuan dënimin me një vit heqje lirie.
E ëma e Danielit është decime se kanabisi duhet legalizuar për qëllime mjekësore.
Pacientët në gjendje më të rëndë janë pacientët më të shpeshtë
Maqedonia ka kanabis për eksport |
Kanabisi i egër që rritet në shumë pjesë të territorit të Maqedonisë është i shkëlqyer për prodhimin e vajit të kanabisit, kanë zbardhur rezultatet e analizave të zhvilluara me farën e këtij lloj kanabisi nga dy shkencëtarë. „Rezultatet ishin fenomenale. Përqindja e CBD e një bime është ideale për prodhimin e vajit të kanabisit. Ne analizat i zhvilluam në një lokacion në Shkup, të cilin nuk mundem dhe nuk guxoj ta tregojë“, thotë Filip Dostovski. |
„Ne e dimë se pacientët përdorin vajin e kanabisit, por ato zakonisht mohojnë përdorimin e tij“, thotë Dr. Milan Ristevski, Drejtori i klinikës së onkologjisë dhe radioterapisë.
Ai nuk është i sigurt se vaji mund të jap rezultate pozitive, por siç thotë ai, shpresa e njeriut nuk duhet vrarë.
„Problemin qëndron në faktin se për vajin e kanabisit janë zhvilluar pak hulumtime dhe studime gjithëpërfshirëse. Megjithatë, për mendimin tim, sa më shpejtë të mundësohet kontrolli, aq më mirë do të jetë. Ne sot nuk e dimë çfarë pinë pacientët, si e sigurojnë vajin dhe si e prodhojnë atë. Për këtë arsye unë personalisht mendoj se nevojitet të ketë kontroll sepse vetëm në një mënyrë të tillë ne do të dimë efektet e sakta të vajit të kanabisit në rastet e kurimit me të“, thotë Ristevski.
Numri i personave që vuajnë nga sëmundjet maligne në Maqedoni është rritje të vazhdueshme dhe për këtë arsye është e qartë se banorët vendas gjithnjë e më shumë përdorin masat alternative të mjekimit.
„Presim që numri i personave që vuajnë nga sëmundjet maligne sivjet të rritet për 10%, krahasuar me vitin 2003“, thotë Ristevski.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2013 në Maqedoni nga neoplazmat maligne kanë ndërruar jetë 3.640 persona. Krahasuar me vitin 2003 numri i të vdekurve nga neoplazmat maligne është rritur për 9,4% për arsye se në vitin 2003 u regjistruan 3.484 të vdekur nga sëmundjet maligne.
Për momentin në Maqedoni pikërisht personat që vuajnë nga neoplazmat maligne janë zakonisht pacientët që vendosin të bëjnë terapi me vajin e kanabisit dhe heqin dorë nga mjekësia dhe farmacia tradicionale.
Efektet e vajit të kanabisit në nivel ndërkombëtar nuk janë vërtetuar akoma. Në vendet e rajonit, siç janë Sllovenia dhe Kroacia, vaji i kanabisit tashmë është legalizuar për lloje të caktuara sëmundjesh. Në Slloveni u legalizua në vitin 2015, ndërsa Kroacia e legalizoi në mars të këtij viti.
Analizat kanë zbardhur se kanabisi ka efekte pozitive ndaj një sërë sëmundjesh, siç janë SIDA, kanceri, skleroza multiplekse, autizmi, aksioziteti dhe shumë sëmundje autoimune. Megjithatë, problemi qëndron në faktin që mjekësia dhe farmacia nuk i njohin këto rezultate. Megjithëse pas analizave dhe hulumtimeve përkatëse qëndrojnë emra të njohur në fushën e mjekësisë, siç është shkencëtari çek Lumir Hanush, i cili për momentin është angazhuar në Universiteti e Jerusalemit në Izrael për të analizuar efektet e përdorimit të vajit të kanabisit, rezultatet e këtij lloji akoma nuk pranohen zyrtarisht. Shkencëtari çek tashmë ka publikuar konstatimet e tij të deritanishme.
Rezultatet e tilla i vërteton edhe aktivisti civil Filip Dostovski. Ai gjatë periudhës së kaluar organizoi dy debate në Shkup lidhur me legalizimin e kanabisit, në të cilat mori pjesë pikërisht shkencëtaru Hanush, por edhe kanadezi Rik Simpson, aktivisti më i zëshëm i legalizimit të kanabisit në nivel ndërkombëtar.
„Është problem të vërtetohet efikasiteti i përdorimit të vajit të kanabisit. Pacienti që mjekohet me këtë vaj asnjëherë nuk kthehet në spital. Edhe sikur të kthehet dhe të tregojë terapinë që e përdor, nuk bëhet evidentim zyrtar i së njëjtës, të paktën jo në vendin tonë. Prandaj, ne nuk kemi të dhëna lidhur me shkallën e përdorimit dhe efikasitetin në rastet e mjekimit“, sqaron Dostovski, i cili mbështet hapur legalizimin e përdorimit të vajit të kanabisit për qëllime mjekësore.
„Problemi qëndron edhe tek fitimi. Barnat kompanive të mëdha u sigurojnë miliarda dollarë“, thotë Dostovski, duke sqaruar se një pjesë e madhe e pacientëve do të kishin hequr dorë nga barnat e shtrenjta, sidomos për sëmundjet e rënda dhe do të kishin kërkuar rrugëdaljen tek vaji i kanabisit, nëse do t’u tregohen rezultatet e analizave ose do t’u jepej mundësi për të zgjedhur.
Përdorimi i vajit të kanabisit në Maqedoni është një sekret publik. Qindra, ndoshta edhe mijëra persona, çdo ditë përdorin këtë vaj sepse vuajnë nga sëmundje të ndryshme të rënda. Dikush e blen, ndërsa dikush e prodhon vet. Çdokush që do mund të mësojë lehtë si mund të përgatitet vaji i kanabisit sepse mënyra e prodhimit mund të gjendet në internet dhe shpërndahet haptazi në rrjetet sociale dhe forumet e Internetit.
Për fat të keq, ato duhet të kenë kujdes dhe të mos shkelin ligjin, i cili parasheh dënime serioze dhe shumëvjeçare me heqje lirie. Sipas të dhënave zyrtare, Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani nuk ka konfiskuar vaj kanabisi. Kjo çështje për ministrinë përkatëse ka mbetur një sekret, megjithëse ky sekret është një fakt që njihet mirë.
Qeveria ndryshon qëndrimin njësoj si moti
Ndryshimet lidhur me çështjen e legalizimit të përdorimit të vajit të kanabisit për qëllime mjekësore ndodhën nga fundi i vitit të kaluar, kur Qeveria dhe Ministri i Shëndetësisë, z. Nikolla Todorov, me shumë pompë informuan se me një rritëm të përshpejtuar është duke u përgatitur ligji që do të rregullojë këtë çështje, duke njoftuar se ligji përkatës do të miratohet deri në fund të marsit të këtij viti.
FDA kundër, OBSH neutrale |
Drejtoria amerikane e ushqimit dhe barnave (FDA) nuk e ka lejuar përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, të paktën jo zyrtarisht dhe me ligj, megjithëse kanabisi lejohet në njëzetë e tre shtete të SHBA-ve. Sipas Institutit nacional amerikan të kancerit përdorimi i kanabisit mundëson rezultate pozitive. Ky institut merr për bazë analizat shkencore që janë zhvilluar me minjtë, të cilat kanë vërtetuar se substancat THC dhe CBD eliminojnë qelizat e tumorit. Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH) tani për tani mban një qëndrim neutral dhe flet për efektet pozitive dhe negative të përdorimit të kanabisit. |
„Me një përqindje prej 0,2 THC vaji nuk mund t’i ndihmojë askujt. Analizat e zhvilluara në një numër të madh shtetesh vërtetuan se për një mjekim të suksesshëm sasitë e THC dhe CBD, më saktësisht tetrahidrokanabioli dhe kanabidioli, duhet të jenë të paktën pesëdhjetë herë më të larta në vajin që do të blejnë ose përdorin pacientët. Vajrat që shiten jashtë vendit përmbajnë midis 10 dhe 32% THC ose CBD, varësisht sëmundjes për të cilën përdoren. Ky vaj nuk do t’i ndihmojë askujt, përveç politikanëve dhe përpjekjeve të tyre për të mbledhur vota“, është decid Dostovski.
Një banor i Shkupit, identitetin e të cilit nuk mund ta zbardhim, prodhon vaj kanabisi për nevojat e dhjetëra personave, banorë të qyteteve të ndryshme të Maqedonisë. Ato sigurojnë vetë kanabisin dhe ia sjellin banorit të Shkupit për ta përgatitur vajin. Ky i fundit një pjesë të vogël të vajit e mban për vete sepse ai vetë vuan nga kanceri.
Çfarë janë THC dhe CBD? |
THC dhe CBD janë dy përbërësit aktivë të kanabisit. Varësisht llojit të kanabisit, indika, sativa ose kanabisit industrial, që përdoret për prodhimin e tekstilit, dominon njëri nga komponentët. Tetrahidrokanabinoli ose THC është substanca psikoaktive kryesore e bimës kanabis. Funksioni kryesor i THC të kanabisit është të mbrojë bimën nga dëmtuesit, por edhe nga rrezatimet e dëmshme si rezultat të absorbimit të madh të rrezeve UV. Në trurin e njeriut lidhet me receptorët specifikë kanabidoidë, rrit oreksin dhe lehtëson mundimet. Kanabidioli ose CBD është një nga 85 përbërësit aktivë të bimës së kanabisit. CBD është një nga fitokabinoidet kryesore të bimës së kanabisit dhe arrin në 40% të ekstraktit të tij. Vlerësohet se ka përdorim më të madh mjekësor, krahasuar me THC. Kanabidioli gjendet në bazën evropiane të të dhënave të përbërësve të kozmetikës dhe përdoret si një antioksidues për mbrojtjen dhe hidratimin e lëkurës. Vaji në të cilin dominon CBD ka veprim qetësues ndërsa ai me prani më të madhe THC ka një efekt të kundërt dhe pacientit i jep energji. |
„I lashë onkologët të besojnë në çudi“
Dyzetë e dy vjeçari Igor Dimitrovski nga Shkupi vuan nga kanceri i gjëndrave limfatike. Ai nuk është i pari i familjes së tij që vuan nga kanceri. I ati ndërroi jetë nga kanceri i pankreasit, megjithëse bëri përpjekje për të shpëtuar nga kanceri me përdorimin e vajit të kanabisit.
„Kanceri kishte filluar në një fazë më të zhvilluar. Është pothuajse e pamundur të shpëtohet nga ky lloj kanceri. U përpoqa me vajin e kanabisit, por ishte shumë vonë. Im at ndërroi shumë shpejtë, por deri në momentin e fundit nuk kishte dhimbje. U nda nga ne me dinjitet“, thotë Igori.
Edhe vetë Igori vuan nga një lloj i radhë kanceri reversibil ose kancer që mund të shfaqet përsëri. Ai ka bërë përpjekje me kimioterapi për të cilën sqaron se për pak do ta vriste.
„Kanceri nga i cili vuaj është një nga më të rrezikshmit sepse nuk mund të eliminohet plotësisht. Unë në fillim u mjekova në mënyrë tradicionale, me rrezatim dhe kimioterapi. Ky tretman më bëri dëm. Isha pothuajse i vdekur dhe ndihesha më keq se para fillimit me rrezatimin. Për këtë arsye fillova të përdor vajin e kanabisit dhe si model mora metodën e Rik Simpsonit“, sqaron Igori.
Vajin që e përdorte ai e siguroi nga Sllovenia, ndërsa rezultatet ishin të shkëlqyera. Vetëm pas disa muajsh ai ishte në gjendje të funksionojnë pa probleme, të punojë dhe të jetojë si gjithë të tjetër. Pas një përdorimi që zgjati një vit e gjysmë, biopsia tregoi se trupi i tij u pastrua nga qelizat e kancerit.
„Biopsinë e bëra në Shkup. Ekipi i mjekëve nuk mund ta besonte. Kuptohet se unë nuk ua tregova mënyrën e mjekimit dhe i lashë të besojnë në çuditë“, thotë Igori.
Në Maqedoni së shpejti do të legalizohet përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore, por mbetet mendimi se arsyet e legalizimit janë një lloj miksi i dëshirës për të siguruar fitime dhe populizmit, ndërsa mungon qëllimi i vërtetë për të ndihmuar personat që kanë nevojë për ndihmë.