Hulumtimet

Shpërngulja e të rinjve me pasoja fatale për pensionistët e rinj

Shumë faktorë rreziku për arkën e pensionistëve, asnjë zgjidhje

Gjatë Vitit të ri për pensionet do të shpenzohen 833 milionë euro. Në këtë shumë është përfshirë edhe rritja prej 5 për qind e pensioneve, që është paraparë për të njëjtin vit. Sipas të dhënave të buxhetit të vitit 2017, me shumën në fjalë duhen paguar pensionet e 312.857 pensionistëve. Me vetë faktin që Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore nuk ka mjete të mjaftueshme, nga buxheti do t’i transferohen më shumë se gjysma e mjeteve të nevojshme, më saktësisht do t’i transferohen 452,5 milionë euro. Shumën të cilën Fondi e fiton nga buxheti është duke u rritur nga viti në vit.

Transfertat e buxhetit për Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore

Transfertat e buxhetit për Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore
Burimi: Buxhetet e RM

Varësia e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore nga buxheti qendror është duke u rritur paralelisht  me rritjen e numrit të pensionistëve dhe me rritjen e pensioneve.

Numri i pensionistëve

Numri i pensionistëve

Pas një sërë analizash dhe paralajmërimesh të faktorëve relevant vendas dhe raporte të organizatave ndërkombëtare relevante, dy pyetje mbetën të hapura. Deri kur do të jetë në gjendje Buxheti të ndihmojë Fondin dhe a do të ketë mjete për pensione për pensionistët e rinj.

Në pritje të zgjidhjeve të problemit, krijohet përshtypja se për momentin të gjithë janë dakord se gjendja e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore është alarmuese dhe se fondi nuk mund vetëekzistojë, qoftë edhe për një periudhë afatshkurtër.

„Kemi të bëjmë me një varësi serioze të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore nga buxheti qendror. Shpenzimet janë në rritje të vazhdueshme. Pjesa më e madhe e tyre janë rritur me masa populliste“, thotë Zorica Apostollovska, ish drejtore e Agjencisë së supervizionit të sigurimit pensional me financimit kapital. (MAPAS).

Rritja e deficitit të fondit të pensioneve vë në pikëpyetje likuiditetin e arkës së fondit. Për mendimin e ish ministrit të financave Trajko Sllaveski, trendi i rritjes së shumës së mjeteve të buxhetit qendror për nevojat e Fondit të sigurimeve penisonale dhe invalidore duhet të ndalojë.

„Varësia e Fondit të sigurimeve penisonale dhe invalidore nga transfertat e buxhetit qendror është shqetësuese. Për një periudhë afatshkurtër duhet të ndalojë trendi i rritjes së shumës së mjeteve që nevojiten për mbulimin e mjeteve që i mungojnë fondit“, thotë Sllaveski.

Vendet e punës me subvencionime bëjnë presion mbi Fondin

Me raportin e saj të fundit edhe Banka botërore paralajmëroi se fondi i pensioneve gjendet në rrezik dhe se në pikëpyetje gjendet stabiliteti i fondit në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Në këtë kontekst problemin e gjejnë në vendet e reja të punës që subvencionohen nga ana e qeverisë, të cilat de facto nënkupton më pak të ardhura në arkën e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore. Sipas analizës së Bankës botërore, plotë 89 për qind të vendeve të reja të punës janë hapur me stimulime fiskale, që do të thotë se punëdhënësi është liruar nga detyrimi për të paguar kontribute dhe taksa të ngjashme.

„Viteve të fundit përqindja që e fiton fondi nga buxheti qendror arrin rreth 46 për qind. Kjo përqindje nënkupton një varësi të madhe të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore nga transfertat e buxhetit qendror, që për një periudhë afatmesme dhe afatgjate patjetër që bën presion ndaj vetë sistemit, sidomos duke ditur që një nga postulatet e tij është ai i solidaritetit të gjeneratave. Më saktësisht, nuk duhet të merret nga gjeneratat e ardhshme për të pasur përfitime gjeneratat e sotme“, tha Bojan Shimbov, përfaqësues i Bankës botërore.

Shpërngulja e të rinjve rrezikon stabilitetin e Fondit të pensioneve

Për mendimin e një pjese të ekonomistëve, një rrezik plotësues për Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore, i cili do të bëj presion mbi arkën e Fondit, është shpërngulja e të rinjve me aftësi pune, kategori kjo me rëndësi për mbushjen e arkës së Fondit. Sipas të dhënave të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit (OECD), vitin e kaluar nga Maqedonia u larguan rreth 20 mijë, shifër kjo rekorde e të shpërngulurve gjatë 15 viteve të fundit. Sipas të dhënave të kësaj organizate, numri i përgjithshëm i të shpërngulurve nga Maqedonia kalon mbi 600 mijë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë individë me aftësi pune.

„Është e saktë se shpërngulja do të reflektohet negativisht mbi stabilitetin e financave të pensioneve sepse është duke u shpërngulur popullata e re me aftësi pune, që ndikon raporti “i punësuar-pensionist” të ulet gjithnjë e më shumë. Zhvillimet e tilla rrezikojnë stabilitetin korrent të fondit sepse nuk ka një rritje proporcionale midis shumës së pensioneve dhe shumës kumulative të rrogave nga e cila paguhen pensionet. Në një periudhë afatgjate ndikimi ka rrezik më të vogël sepse në të ardhmen personat që janë shpërngulur nuk do të kenë kërkesa ndaj fondit“, thotë profesori universitar Marjan Petreski.

Znj. Apostollka vlerëson se gjendja me shpërnguljen dhe struktura demografike edhe në një afat të gjatë do të ndikojnë negativisht mbi stabilitetin e fondit të pensioneve. Me çdo rritje të numrit të të shpërngulurve ulet numri i personave që paguajnë kontribute, me të cilat financohet pagimi i pensioneve.

„Kjo gjendje është shqetësuese edhe në një periudhë afatgjate sepse do të ndikojë edhe në uljen e mëtejshme të raportit midis të siguruarve (ato që paguajnë kontribute) dhe pensionistëve (ato që marrin pension). Në këtë kontekst mund të arrijmë në konkluzionin se përveç faktorit demografik të plakjes së popullatës dhe gjendjes ekonomike të vendit, si një faktor i ri rreziku që do të ndikojë mbi stabilitetin financiar afatgjatë të sistemit të pensioneve paraqitet edhe numri i madh i të rinjve që shpërngulen, të cilët në fakt janë fuqia e re punëtore. Megjithatë, për fat të keq, kjo kategori nuk do të aktivizohet në Maqedoni“, thotë Apostollska.

Numri i pensionistëve do të rritet, ndërsa numri i të siguruarve do të ulet

Sipas përllogaritjeve të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore, për 1,8 të siguruar ka 1 pensionist, raport ky i cili në mënyrë objektive duhet të aktivizojë alarmin për një stabilitet afatgjatë të fondit, që të mundësohet pagimi i rregullt i pensioneve

Një nga faktorët kryesorë me ndikim mbi stabilitetin e fondit të pensioneve është struktura demografike e popullatës. Raportet aktuare të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore zbardhin se për një periudhë afatgjate Maqedonia do të bëhet vend i të moshuarve. Sipas parashikimeve përkatëse, viteve në vazhdim do të vazhdojë të rritet numri i pensionistëve , por do të ulet numri i të siguruarve, kategori kjo me rëndësi për të ardhurat e fondit. Sipas pritjeve, raporti midis popullatës mbi 65 vjeçe dhe popullatës me aftësi pune (18-64 vjet) të rritet nga 19,45%, përqindje kjo që regjistrohet sot, deri në 49,74% në vitin 2060 dhe të vazhdojë të ulet deri në 42,28% në vitin 2080. Kjo nënkupton se për një periudhë afatgjate rreth gjysma e popullatës mbi 18 vjet do të bëhen të moshuar.

„Lëvizjet demografike të këtij lloji në sistemin e pensioneve shkaktojnë rritjen e numrit të pensionistëve dhe shfrytëzimin e pensioneve për një kohë më të gjatë dhe nga ana tjetër ulje të numrit të të siguruarve. Projektimet aktuare, të përpiluara gjatë përgatitjes së reformës së sistemit të pensioneve, zbardhën se mund të pritet që këto faktorë të kenë ndikim të madh negativ mbi aftësinë e pagimit të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore në një periudhë afatgjate, që do të thotë se pa reforma sistemi do të funksionojë me një deficit të madh, i cili do të vazhdojë të rritet me shpejtësi“, thuhet në raportin e fundit të MAPAS.

Në MAPAS sqarojnë se si rezultat të parashikimeve të këtij lloji është realizuar një reformë rrënjësore e sigurimit pensional dhe invalidor, më saktësisht është implementuar sistemi i pensioneve me tre shtylla, me mënyrë të kombinuar financimi të pensioneve të ardhshme dhe me diversifikim të rreziqeve demografike dhe ekonomike, me qëllim që të sigurohen pensione të sigurta për gjeneratat e sotme dhe gjeneratat e ardhshme, si dhe stabilitet financiar afatgjatë të sistemit të pensioneve.

Ja si ka lëvizur numri i pensionistëve dhe numri i punonjësve:

Numri i pensionistëve dhe numri i punonjësve

Megjithëse janë realizuar reforma konkrete, shqetëson raporti midis personave që marrin pension dhe atyre që mbushin arkën e fondit. Sipas përllogaritjeve të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore të Maqedonisë, për 1,8 të siguruar ka 1 pensionist, raport ky i cili në fakt duhet të aktivizojë alarmin e stabilitetit afatgjatë të fondit, që të mundësohet pagimi i rregullt i pensioneve. Sipas ekspertëve, shkaqet e këtij problemi duhen kërkuar pikërisht në reformën me të cilën u hapën fondet private të pensioneve – të cilat janë fonde obligatore për të siguruarit e rinj.

„Problemet kanë qenë të pranishme edhe viteve të para pas pavarësimit dhe gjatë periudhës së tranzicionit dhe vazhdimit drejt ekonomisë së tregut, por ato u rritën me reformën e pensioneve ose me implementimin e shtyllës së dytë, fondeve private të pensioneve, drejt të cilave janë orientuar një e treta e normës së kontributeve për të siguruarit. Në rrethana të tilla, një numër i madh të siguruarish, që ishte dashur të mbeten në fondin e shtetit, u bënë anëtarë të fondeve të shoqërive private të pensioneve. Gjatë dhjetë viteve të kaluara, shuma mesatare e pensionit regjistroi një rritje të madhe, si një nga masat e Qeverisë. Kuptohet që rritja e pensioneve u reflektua edhe mbi fondin e pensioneve“, thotë Sllaveski.

„Deficiti regjistroi një rritje të madhe me implementimin e sistemit të pensioneve me tre shtylla, kështu që deficiti është një dukuri negative e reformës në fjalë, për të cilën arritëm konsensus politik për ta pranuar. Megjithatë, problem është rritja e deficitit të madh me rritjen e vazhdueshme të pensioneve, rritje kjo që kalon shumën e rritjes ekonomik, si dhe shpenzimet plotësuese, siç janë banjat dhe dërgimi i pensionistëve për skijim. Në rrethana të tilla deficiti bëhet gjithnjë e më problematik dhe gjithnjë e më shumë paraqet barë për gjeneratat e reja“, thotë Petreski.

Një pjesë e ekonomistëve paralajmëron se nëse nuk do të përgatiten zgjidhje emergjente, do të rrezikohet jo vetëm pagesa e pensioneve të ardhshme, por pa pensione mund të mbeten edhe pensionistët e sotëm.

„Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore të Maqedonisë është mjaft i ngarkuar me shpenzime të cilat e bëjnë atë jostabil. Pensionistët gëzojnë edhe përfitime të ndryshme. Të mos keqkuptohemi, unë nuk kam asgjë kundër, por gjithmonë duhen bërë vlerësime të sakta, me qëllim që të mos i jepet më shumë një gjenerate, ndërsa gjenerata e ardhshme të mos ketë mjete për të marrë pensione ose për të marrë pension të mjaftueshëm sipas meritave ose angazhimit gjatë kohës kur pensionistët kanë qenë aktivë. Ideatori i politikës nuk duhet ta marr parasysh vetëm politikën ditore, por duhet të mendojë edhe për të ardhmen dhe të bëj një lloj balance midis gjeneratave të sotme dhe të ardhshme të pensionistëve“, thotë Apostollska.

Një pjesë e pensionistëve nuk frikësohen për pensionet e tyre dhe as për pensionet e gjeneratave të reja. Ato thonë se u besojnë institucioneve.

„Nuk kam frikë. Vite me radhë flitet se Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore të Maqedonisë është në gjendje të rëndë dhe se do të dështojë, por ja, të gjithë ne jetojmë dhe marrim pensione. Për problematikën në fjalë në Maqedoni interesohen miliona individë sepse kemi rreth 300 mijë pensionistë, ndërsa çdo komunë paguan punonjës për të njëjtën problematikë. Unë nuk jam dakord se gjendja është përkeqësuar 5-6 viteve të fundit sepse pensionistëve u janë mundësuar përfitime të caktuara”, tha para pak kohësh Dragi Argirovski, kryetari i Lidhjes së pensionistëve të Maqedonisë.

Në Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore të Maqedonisë shprehin bindjen se stabiliteti i fondit nuk është vënë në pikëpyetje.

„Nuk ka asnjë lloj problemi me funksionimin e fondit në një periudhë afatmesme. Nuk ka asnjë lloj dileme jo vetëm për një periudhë afatmesme, por as për një periudhë afatshkurtër. Qytetarët nuk ka nevojë të frikësohen për pensionet e tyre për arsye se shteti gjithmonë do të gjejë mënyrë dhe do të marrë masa dhe aktivitete për të përmirësuar funksionimin e fondit“, tha Trajko Prençevski, punonjës i Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore të Maqedonisë.

Si mbushet arka e fondit?

Për sa i përket mënyrës së mbushjes së arkës së fondit, 59,9% janë mjete monetare që i siguron vetë fondi, 37,7% janë mjete që sigurohen nga buxheti qendror dhe 1,8% janë mjete të tjera. Të dhënat zyrtare zbardhin një rritje të të ardhurave që i siguron vetë fondi (kontributet e rrogave, stazhi i privilegjuar, kontributet e individëve që ushtrojnë aktivitete dhe personat e punësuar tek këto individë dhe nga bujqit individë dhe Agjencia e punësimit), por paralelisht rriten edhe shumat e transfertave të buxhetit qendror për nevojat e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore.

Mjetet e buxhetit për nevojat e Fondit të pensioneve

Enti shtetëror i revizionit me raportin e fundit lidhur me funksionimin e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore konstatoi një rritje të shumës së të ardhurave, por pesë viteve të fundit paralelisht rritet edhe varësia e fondit nga buxheti i Republikës së Maqedonisë, për pagimin e pensioneve pa vonesë. Revizioni ka konstatuar se fondi nuk mund të funksionojë normalisht pa transfertat e buxhetit, me të cilat mbulohet deficiti i fondit, transferta këtë që regjistrojnë rritje nga viti në vit.

„Megjithëse me kontributet e rrogës në vitin 2015 u siguruan më shumë mjete ose 7.8 për qind më shumë në raport me vitin 2014, shuma e përgjithshme  mjeteve të siguruara nuk mundëson një funksionim të papenguar të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore dhe për këtë arsye në buxhetin e shtetit në vazhdimësi parashihen mjete për mbulimin e deficitit, me ndihmën e transfertave nga buxheti qendror. Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore gjatë vitit 2015 për të paguar pensionet pa vonesa ose brenda afateve ligjore çdo muaj ka marrë hua nga buxheti qendror, mjete këto që i ka kthyer me mjetet e llogarisë në të cilën derdhen kontributet e sigurimeve pensionale dhe invalidore“, thuhet në raportin e Entit shtetëror të revizionit.

Reforma emergjente për të shpëtuar Fondin e pensioneve

Ekspertët theksojnë se nevojiten reforma emergjente, që të mos vihet në pikëpyetje pagimi i pensioneve dhe të forcohet stabiliteti i Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore. Apostollska shprehet se duhet gjetur mënyrë për rritjen e të ardhurave të fondit, ndërsa një pjesë e masave të realizuara viteve të kaluara kanë ndikuar në uljen e të ardhurave të fondit.

„U ul norma e kontributeve dhe kjo ulje pati një ndikim drastik në uljen e të ardhurave të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore, duke e bërë fondin të varur nga buxheti i shtetit. Deficiti i fondit të pensioneve është i madh, shumat e transfertave të shtetit janë të mëdha, ndërsa të ardhurat e fondit janë të ulëta. Të ardhurat dhe shpenzimet tashmë kanë një disproporcion të madh, duke dominuar shpenzimet. Për sa u përket reformave që nevojiten, duhen zhvilluar analiza dhe hulumtime, me të cilat do tlë shohim si vepron bota, rajoni, vendet evropiane. Reformat zakonisht lidhen me moshën e pensionimit, përqindjen e caktimit të pensionit. Është e qartë se ka ardhur koha për reformimin e Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore“, sqaron Apostollska.

Profesori universitar Petreski zgjidhjen e gjen në disa pika.

„Pikë së pari, deficiti strukturor që u formua me reformën dhe implementimin e sistemit pensional me tre shtylla nuk mund të zgjidhet tani, por me kalimin e kohës, kur nuk do të ketë më përdorues që kanë dhënë kontribut për të dy shtyllat. Për zgjidhjen e pjesës së mbetur të deficitit zgjidhja është e thjeshtë, duhet ndalur rritja e vazhdueshme e shpenzimeve lidhur me pensionet dhe të njëjtat të nivelizohen maksimum me rritjen ekonomike. Duke marrë parasysh rritjet e shumta të viteve të fundit, kam frikë se në një moment do të detyrohemi të shkurtojmë rritjet e pensioneve ose të rrisim shumën e kontributeve pensionale dhe invalidore ose të marrim të dy masat bashkë“, thotë Petreski.

Sipas vlerësimeve të një pjese të ekspertëve, për të anuluar minusin e tanishëm të arkës së Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore me sigurimin e mjeteve që vijnë nga sigurimi pensional, duhet të bëhen punësime të reja.

„Gjatë periudhës së recesionit të madh (2007-2009) një serë vendesh, të cilat kishin realizuar reformat me implementimin e shtyllës së dytë (fondet private të pensioneve), u kthyen mjaft mbrapa, nacionalizuan fondet përkatëse të pensioneve, ulën normën e kontributeve , ndaluan pagesat e kontributeve në fondet private të pensioneve për disa vite me radhë, e kështu me radhë. Maqedonia nuk realizoi asnjë nga këto masa, megjithëse që nga fillimi një pjesë e madhe e kontributeve, që kalon shumat e vendeve të tjera, ndahet për fondet private të pensioneve. Në një periudhë afatgjate do të ndihmonte ujla e shkallës së papunësisë ose rritja e numrit të të punësuarve dhe kujdesi më i madh me rritjen e pensioneve, për shembull rritja e pensioneve të harmonizohet me rritjen e shpenzimeve të jetës, një praktikë kjo që zbatohet rregullisht në vendet e huaja dhe jo me rritjen e rrogave“, sqaron ish ministri i financave Trajko Sllaveski.

Fakti që Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore ka probleme me likuiditetin u vërtetua me detyrimet financiare që i kishte ndaj fondeve private të pensionave, që paguhen në llogaritë e pensionistëve të ardhshëm. Ky borxh u kthye pas publikimit të informatave përkatëse, por mungoi llogaridhënia lidhur me mënyrën e grumbullimit të borxhit.

Në kohën kur Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore ka probleme me likuiditetin, qeveria shpreh bindjen se pensionistët do të vazhdojnë të marrin pensione me kohë, bashkë me rritjen prej 5për qind. Megjithatë, sipas ekspertëve, stabiliteti i Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore për një periudhë afatmesme dhe ndoshta për një periudhë afatgjate do të ballafaqohet me shumë sfida.