Hulumtimet

Shumë padi penale për zgjedhjet, pak të dënuar

Statistikat e periudhës së viteve 2008-2015 zbardhin se për veprat kriminale lidhur me zgjedhjet janë ngritur mbi 800 padi penale, 165 aktakuza dhe janë shqiptuar 131 aktgjykime, por për këto vepra penale dënime me heqje lirie kanë vuajtur vetëm rreth dyzetë individë. Ky trend kryesisht ka të bëj me partizimin e institucioneve dhe me amnistimet e Presidentit Gjorge Ivanov

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Në çdo gjashtë persona të dyshuar për vepra penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, një prej tyre është dënuar nga gjykatat e shkallës së parë, ndërsa një në tre persona (ose person i 18-të nga të dyshuarit) ka vuajtur dënim me heqje lirie, zbardh një hulumtim i zhvilluar për nevojat e BIRN. Shifrat në fjalë kanë të bëjnë me periudhën e viteve 2008-2015 ose përfshirë zgjedhjet e fundit që u mbajtën në vitin 2014.

Sipas të dhënave të siguruara nga Prokuroria Publike, brenda periudhës në fjalë kundër 818 personave janë ngritur padi penale. Prokuroria ka ngritur aktakuza kundër 165 persona që janë përfshirë në veprat penale lidhur me zgjedhjet. Po të njëjtën periudhë për të njëjtat vepra penale janë dënuar 131 persona.

Prokuroria Publike nuk siguroi të dhëna lidhur me të dënuarit që kanë vuajtur dënimet e shqiptuara, por hulumtimi ynë zbardhi se burg kanë vuajtur dhjetëra të akuzuar, megjithëse për veprat penale lidhur me zgjedhjet janë dyshuar qindra persona, që do të thotë se gjatë zhvillimit të procedurës një pjesë e madhe e të akuzuarve lirohen nga akuzat ose mbeten në arrati.

Pjesa më e madhe e padive penale është ngritur në vitin 2008, kur në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare të përkohshme, që ishin edhe zgjedhjet më të përgjakura.

Manipulimet e zgjedhjeve 

graf1zatvor
Burimi: Prokuroria Publike e RM

Megjithëse aktgjykimet e para lidhur me veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimeve janë regjistruar që në vitin 2008, dënimet kanë filluar të ekzekutohen në vitin 2010, kur janë burgosur 6 persona.

Persona të dënuar për manipulimin e zgjedhjeve

graf2zatvor
Burimi: Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve – Raportet vjetore

„Titaniku“ është epilogu i dramës së filluar që në vitin 2008

„Titanik“ është quajtur hetimi i parë i Prokurorisë Publike Speciale (PPS). Ekipi i Prokurores Katica Janeva filloi të analizojë “bombat” duke hetuar keqpërdorimet për qëllimet e zgjedhjeve. Në “anijen” e Prokurorisë Publike Speciale u gjetën dy ish ministra (Gordana Jankulovska dhe Mile Janakievski), Kiril Bozhinovski, Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë dhe tre punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kiro Todorovski, Nadica Velevska dhe Munir Pepiq. Hetime nisën edhe kundër Edmond Themelkos, Kryetarit të Komunës së Pustecit, Republika e Shqipërisë dhe kundër Kosta Mitrovskit, punonjës i administratës shtetërore dhe kryetari i Komisionit zgjedhor komunal në Komunën e Qendrës. Trendi i manipulimit të zgjedhjeve, në historinë më të re të vendit, regjistrohet që në vitin 2008.

Ekipi i Prokurores Katica Janeva filloi të analizojë bombat duke hetuar keqpërdorimet lidhur me zgjedhjet / Foto: AIM

Ekipi i Prokurores Katica Janeva filloi të analizojë bombat duke hetuar keqpërdorimet lidhur me zgjedhjet / Foto: AIM

Më një qershor 2008 u zhvilluan zgjedhjet e gjashta parlamentare në Republikën e Maqedonisë, që ishin zgjedhjet e para të përkohshme. Ditën e zgjedhjeve u regjistruan disa incidente të rënda, ndërsa në Haraçinë, gjatë një përplasjeje me policinë, gjeti vdekjen një person. Në Çair, në afërsi të një vendvotimi, në oborrin e shkollës fillore “7 Marsi”, shkollë kjo që sot mban emrin “Adem Jashari”, u plagosën shtatë aktivistë partiakë dhe votues. Dy nga viktimat u plagosën me plumbat e një grupi të armatosur shumëanëtarësh, gjatë një incidenti me të cilin u shenjëstruan kundërshtarët. Gjatë incidentit në fjalë u plagos rëndë Beqir Asani, një anëtar i vjetër i partisë BDI dhe funksionar partiak lokal në Çair.

Gjatë këtij incidenti pesë votues morën lëndime trupore, katër prej tyre u plagosën me armë zjarri, ndërsa një femër u plagos gjatë rrëzimit, kur ka kërkuar vend për t’u fshehur nga plumbat. Lëndime të rënda mori edhe një pensioniste – votuese, e cila u plagos në njërën këmbë, iu thye njëra këmbë në pjesën e poshtme dhe gjuri i njërës dorë, kur u rrëzua pasi u qëllua me një plumb në pikën e votimit.

BIRN kontaktoi me të afërmit e disa votuesve të lënduar dhe që të gjithë vërtetuan se shpenzimet e mjekimit u mbuluan vetë. Bëhet fjalë për persona në moshë, të paktën dy nga të cilët kanë vdekur, por pa fituar dëmshpërblim. Gruaja që morri lëndime më të rënda gjatë incidentit në fjalë ka mbetur me hendikep si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara me plumbin me të cilin u qëllua në njërën këmbë.

Presidenti Gjorge Ivanov edhe atëherë ka qenë zemërgjerë

Në vitin 2009 Prokuroria Publike e Shkupit ka ngritur aktakuzë kundër tre persona, ndërsa procesi gjyqësor kundër tyre ka vazhduar pothuajse tre vjet. Aktgjykimi u shqiptua më 28 Maj 2012, por të dënuarit nuk i vuajtën dënimet e shqiptuara ose dënimet me nga 7,5 vjet heqje lirie.

Të dhënat e Gjykatës Penale të Shkupit zbardhin se tre të akuzuarit janë në arrati. Në rastin konkret,

i akuzuari i parë është Bushat Hasani. Në vitin 2008 ai ka qenë i dyshuar, ndërsa një vit më vonë Prokuroria Publike e ka paditur për përfshirje në incidentet zgjedhore, por në prill të vitit 2011 ai u amnistua nga Presidenti Gjorge Ivanov.

Pas incidentit në Çair, Hasani nuk u arrestua për incidentin në fjalë dhe policia atij i gjeti një pistoletë në automjetin privat dhe për këtë arsye e arrestoi dhe kundër tij ngriti një padi penale për armëmbajtje pa leje. Gjatë kohës së procedimit të incidenteve zgjedhore, Hasani dënohet me gjashtë muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje. Ai ndërkohë kërkoi amnisti nga Presidenti Gjorge Ivanov dhe u amnistua, megjithëse të njëjtën kohë kundër tij u ngrit një aktakuzë për një vepër penale lidhur me zgjedhjet, vepër kjo për të cilën janë paraparë të paktën pesë vjet heqje lirie. Presidenti gjatë periudhës në fjalë nuk ka pasur të drejtë të amnistoj personat e dënuar për vepra penale lidhur me zgjedhjet. Megjithatë, ai amnistoi Hasanin për një tjetër vepër, ndërsa këtë informatë e vërtetoi edhe kabineti i Presidentit.

Një vit pas amnistimit Hasani u dënua me shtatë vjet e gjashtë muaj heqje lirie. Këtë dënim ai nuk e ka vuajtur sepse bashkë me dy të dënuar të tjerë gjendet në arrati. Ky moment ka ndikuar që të plagosurit gjatë incidentit në fjalë të mos fitojnë dëmshpërblim me procedurën gjyqësore që u ngrit lidhur me lëndimet e shkaktuara më një qershor të vitit 2008.

Rasti në fjalë është mbyllur dhe me aktgjykimin e formës së prerë është evidentuar se të dënuarit bashkë me disa persona të tjerë të panjohur kanë marrë pjesë në incidentin zgjedhor. Deri më sot nuk u vërtetua identiteti i pjesëmarrësve të tjerë në incident, ndërsa sipas Gjykatës, tre nga të dënuarit kanë pasur lidhje me partinë politike PDSH. Ndërkaq, dy nga të dëmtuarit kanë qenë anëtarë të partisë BDI. Po sipas të dhënave zyrtare, të dënuarit ditën e incidentit kanë përdorur automjete të institucioneve shtetërore ose ndërmarrjeve publike.

Zgjedhjet dhe „bombat“

Një nga të dyshuarit e rastit “Titaniku” është Kosta Mitrovski, Kryetari i Komisionit Zgjedhor Komunal të Komunës së Qendrës. Opozita me “bombat” e akuzoi atë se ka dashur të vjedh ekstraktet e listës zgjedhore me qëllim që votuesit e Komunës së Qendrës që nuk kishin dalë në votime të bindeshin të votonin për kandidatin e partisë VMRO-DPMNE, i cili ishte në disavantazh me Kryetarin e sotëm të Komunës në fjalë, Andrej Zhernovski. Me regjistrimet audio të “bombave” u zbardh se Mitrovski arriti të nxjerr fletëvotime që kanë qenë jashtë thasëve, ndërsa me këtë rast Janakieski ka kërkuar të shkojë menjëherë tek ai bashkë me fletëvotimet.

Pas zbardhjes së këtij regjistrimi audio më datën 10 mars 2015, opozita brenda Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kërkoi shkarkimin e Kryetarit të Komisionit Zgjedhor Komunal të Komunës së Qendrës, por shumica e anëtarëve të Komisionit vendosi që Kosta Mitrevski të mbetet Kryetar i Komisionit Zgjedhor përkatës, që i mundësoi atij të mbetet në detyrë edhe për referendumin lidhur me pamjen e Qendrës tregtare të qytetit.

Policia përfshihet në krimin e zgjedhjeve

MBVRO-VMRO është shkurtesa të cilën sipas opozitës e shqipton ish ministrja Gordana Jankulovska, që ka të bëj me mënyrën e përshkrimit të funksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë ciklit zgjedhor të vitit 2013. Gjithashtu, “bombat” zbardhën edhe shumë detaje të tjera që zbulojnë pjesëmarrjen e policisë ose kryeshefëve në manipulimin e zgjedhjeve.

Proçesverbale të korrigjuara në zgjedhjet lokale në Çair

Komisioni Zgjedhor Komunal i Komunës së Çairit në zgjedhjet lokale të vitit 2013 shpalli fituesin që në rrethin e parë të zgjedhjeve. Ndërkaq, krahasimi i proçesverbalëve të monitoruesve partiakë me rezultatet të cilat në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve i dorëzoi Komisioni Komunal i Zgjedhjeve i Çairit zbardh një diferencë që mund të kontestojë legjitimitetin e kryetarit të zgjedhur. Me krahasimin e proçesverbalëve të monitoruesve dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve brenda Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u vërtetua se procesverbalet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve janë korrigjuar ose kandidatit të parë, Izet Mexhitit, i janë shtuar vota, të cilat i janë fshirë rivalëve të tij. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rastin në fjalë e denoncoi në Prokurorinë Publike të Shkupit, shkarkoi Komisionin, sekretar i të cilit ishte Ismet Guri (sot një nga të dyshuarit e Prokurorisë Publike Speciale) dhe emëroi anëtarë të rinj të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Prokuroria Publike për rastin në fjalë nisi hetime dhe ngriti një aktakuzë, por ai nuk ka siguruar informata lidhur me shqiptimin e një aktgjykimi për rastin konkret.

Me një material audio dëgjohet se si ish ministri Mile Janakieski dhe ish shefi i Policisë së Strumicës, Marjan Nakovski, bisedojnë lidhur me lëshimin me procedurë të shpejtë të 300 letërnjoftimeve të reja. Ligji parasheh mundësinë që një votues të pajiset me kartë identiteti me procedurë të shpejtë ose brenda një dite për të realizuar të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe ligj dhe për të votuar, por parashtrohet pyetja nëse mund të pajisen me karta identiteti 300 persona brenda një dite?

Pas zgjedhjeve lokale dhe pas ndërrimit të drejtorit të Byrosë së sigurisë publike brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, Marjan Nakovski nga Policia e Strumicës transferohet në Byronë e sigurisë publike, në detyrën e ndihmësdrejtorit të Policisë kriminalistike. Në këtë detyrë ai ishte në kohën kur u publikuan “bombat” dhe të njëjtën detyrë vazhdon ta ushtrojë edhe sot.

Ish kryeshefi i Policisë së Kumanovës, Lubomir Gjurçevski, thotë se sipas informatave që i ka siguruar ai, viteve të fundit regjistrohet një pjesëmarrje më e theksuar e funksionarëve të lartë policorë dhe policëve në aktivitetet që janë shumë të ngjashme me përkufizimet e veprave penale lidhur me z6gjedhjet.

– Raste të tilla ka pasur edhe më herrët, por përdorimi i tillë i policisë ose kryeshefëve policorë për qëllimet zgjedhore partiake vjen në shprehje në vitin 2011 sepse të njëjtin vit u regjistrua një diferencë shumë e vogël midis pushtetit dhe opozitës. Në kujtesë lidhur me zgjedhjet e vitit 2011 më ka mbetur edhe rasti kur inspektorë pa uniformë dhe me automjete civile të Policisë kriminalistike transferonin votues nëpër vendvotimet në lagjen e Shutkës, thotë Gjurçevski për BIRN.

Sipas tij, për aktivitetet e këtij lloji fajtori duhet kërkuar në partizimin e policisë, ndërsa policët janë përdorur edhe gjatë aktiviteteve partiake parazgjedhore, kur kanë kërcënuar biznesmenët ose bujqit për t’i detyruar ato të votojnë për partinë në pushtet.

Gjoba të koordinuara për taksistët

Një nga rastet zgjedhore më pak të trajtuara lidhur me “bombat” e opozitës është ai kur zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski kërkon nga ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankulovska të sanksionojë ose të urdhërojë policët të bëjnë kontrolle teknike të automjeteve të caktuara dhe t’u shqiptojnë gjoba shoferëve të një kompanie transporti konkrete në Kumanovë ditën e zgjedhjeve. Sqarimi i Peshevskit lidhur me kërkesën e tij ka qenë se ato bëjnë transport për nevojat e opozitës.

Një bashkëbisedues i BIRN, i cili është pronar i një kompanie transporti, sqaron se vitin 2014, pikërisht në Kumanovë, shoferët e tij brenda një intervali kohor më të shkurtër se dy orë u gjobitën me dhjetëra gjoba për shkelje në komunikacion.

– Për shkak të numrit të madh të automjeteve të kompanisë sime, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve vendosi që për 150.000,00 denarë ujë të bëj transportin e materialit zgjedhor dhe anëtarëve të këshillave zgjedhorë deri në vendvotimet. Ditën e zgjedhjeve, herët në mëngjes, ne përmbushëm detyrimin tonë, por pas orës dhjetë filluan të telefonojnë shoferët duke raportuar për gjobat e shqiptuara nga policia. Ato u gjobitën për dritat e gërvishtura, shenjat e fikura të taksive dhe për mungesë dritash. Brenda një policia taksistët e mi i gjobiti me 42 gjoba, ndërsa një pjesë e tyre u gjobitën nga dy-tre herë. Për këtë arsye unë i telefonova shefit të Policisë së Kumanovës për t’u informuar dhe ai mu përgjigj me fjalët: “Ju bëni transport vetëm për një parti, kjo është arsyeja”, sqaron për BIRN pronari i Kompanisë “Deluks”.

Heshtje për padinë lidhur me zgjedhjet presidenciale

Përveç veprave penale, me Kodin Zgjedhor janë paraparë edhe një serë kundërvajtjesh që sanksionohen me gjoba që arrijnë deri në pesë mijë euro. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ngriti një iniciativë për nisjen e një procedure kundërvajtjeje kundër politikanit më të njohur, Presidentit Gjorge Ivanov, më saktësisht kundër organizatorit të fushatës së tij zgjedhore lidhur me kandidaturën e dytë për president.

Fletëvotimet e falsifikuara pa epilog prokurorie

Në vitin 2013, në katër kuti të ndryshme votimi në Strugë u gjet nga një fletë votimi e tepërt. Sipas të dhënave zyrtare këto fletëvotime kanë qenë me cilësi të lartë skanimi dhe të printuara me ngjyrë. Këto fletëvotime janë falsifikuar për t’u votuar në emër të një personi me shëndet të dobët. Falsifikatori për këtë qëllim kishte përgatitur katër kopje të fletës së votimit, të cilat më vonë u hodhën në kutitë e votimit në interes të partive të ndryshme. Prokuroria e Strugës për rastin në fjalë nisi një procedurë, por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk është i informuar lidhur me mbylljen e hetimeve.

Më 14 Mars 2014 Presidenti Gjorge Ivanov raportoi lidhur me aktivitetet e tij presidenciale gjatë mandatit të parë. Partia LSDM me këtë rast vlerësoi se Ivanovi kishte filluar parakohë fushatën e tij dhe propozoi nisjen e një procedure kundërvajtjeje. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të nis një iniciativë për ngritjen e një procedure kundërvajtjeje sipas nenit 179-b të Kodit Zgjedhor, i cili parasheh gjobë në shumë prej 3.000,00 deri në 5.000,00 euro në vlerën e denarit, për subjektin juridik që nuk do të respektojë afatin e fillimit dhe mbylljes së fushatës zgjedhore (neni 69-а paragrafi (2)).“

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që atëherë kishin dyshime lidhur me gjetjen e subjektit juridik që do të paguante gjobën lidhur me shkeljen e Ivanovit, por iniciativa në fjalë u ngrit dhe nuk mori një epilog. Lidhur me rastin konkret një pjesë e mediave raportoi se iniciativa është hedhur poshtë, ndërsa pyetjes së BIRN nuk iu përgjigj as kabineti i Presidentit. Përgjegjësit e kabinetit të Presidentit na drejtuan të kërkojmë përgjigje në gjykatën kompetente.

„Veprat penale kundër zgjedhjeve janë të njëjta me terrorizmin“

Kreu 16 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë është titulluar “Veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimeve”. Kreu në fjalë, duke filluar nga neni 158 e deri në nenin 165-v (gjithsej 11 nene të kodit përkatës) rregullon veprat penale zgjedhore dhe gjobat e parapara me këto vepra. Veprat penale lidhur me zgjedhjet në Kodin Penal gjenden menjëherë pas kreut lidhur me veprat penale kundër lirive dhe të drejtave të qytetarit, që në fakt thekson rëndësinë e tyre në aspektin e mbrojtjes së të drejtës qytetare elementare ose lirisë për zgjedhjen e pushtetit.

Akademiku Vlado Kambovski vlerëson se shkelja e legjislacionit zgjedhor dhe penal nuk dallohet aspak nga veprat e tjera të rënda penale, siç është terrorizmi.

– Pa legjislacion zgjedhor dhe zgjedhje të rregullta dhe legjitime që shprehin vullnetin e popullit ju në fakt nuk keni shtet (demokratik dhe ligjor), por një shtet të improvizuar ose një grup individësh që vijnë në pushtet dhe caktojnë dhe zbatojnë rregulla detyrimore, njësoj si çdo organizim tjetër të dhunshëm. Në një situatë të tillë nuk mund të bëhen dallime me veprat e tjera të rënda penale, siç është terrorizmi, vepra këto që supozojnë ekzistimin e një rendi legal dhe legjitim të caktuar me ligj nga një pushtet i zgjedhur në mënyrë legjitime dhe vepra të kryera si një përjashtim nga rregulli. Në rastet e marrjes së pushtetit me keqpërdorimin e të drejtës zgjedhore dhe shkeljen e ndalesave ligjore, fshihet dallimi përkatës midis të drejtës (pushtetit legjitim) dhe mungesës së të drejtës (çfarëdo lloj forme krimi), thotë ish kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademiku Vllado Kambovski, i cili është pro reformës që parasheh që Maqedonia të ketë një njësi të vetme zgjedhore me lista të hapura.

Boshkovski dhe Agim Krasniqi

Nëse do të bëhet një rezyme lidhur me emrat e personave që kanë vuajtur dënim me heqje lirie për veprat penale lidhur me zgjedhjet, do të fitohen vetëm dy emra të njohur ose ato të Lube Beshkovskit dhe Agim Krasniqit, megjithëse për Agim Krasniqin nuk u vërtetua synimi i kryerjes së veprës penale. Banuesi i Kondovës u arrestua ditën e zgjedhjeve, në vitin 2008, me armë të fshehura brenda automjetit me të cilin sipas policisë ai ishte drejtuar në disa vendvotime. Ai në fund u dënua për armëmbajtje pa leje dhe formimin e një organizate kriminale.

Ndërkaq, Boshkovski u arrestua me rastin “Fushata” dhe u dënua për veprën “Shpërdorim mjetesh për financimin e fushatës zgjedhore” (neni 165-а i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë), lidhur me zgjedhjet e vitit 2011. Ai vuajti pesë vjet dënim me burg, megjithëse gjatë gjithë kohës përsëriti qëndrimin se është viktimë e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Boshkovski gjithashtu është politikani i vetëm maqedonas ose funksionari partiak i vetëm që është akuzuar dhe dënuar për keqpërdorimin e mjeteve financiare për nevojat e fushatës zgjedhore në Shkup, ku gjenden selitë e partive më të mëdha. Megjithëse ka pasur dyshime të shumta dhe të njëjtat në raste të caktuara janë konstatuar edhe nga ana e Entit shtetëror të revizionit, përveç Lube Boshkovskit askush nuk ka dhënë përgjigje lidhur me mënyrën e sigurimit të mjeteve të partive për nevojat e zgjedhjeve.