Hulumtimet

Shumë pak gjinekologë, zgjidhja duket e largët

Në kohën kur regjistrohet një rritje dramatike e shkallës së mortalitetit si rezultat të kancerit të qafës së mitrës dhe rritje të mortalitetit të foshnjave dhe nënave, gjysma e komunave vendase janë pa gjinekologë personal

Demir Kapija është një nga 45 komunat vendase pa gjinekologë personal. Në shtëpinë e shëndetit të këtij qyteti, që i ngjan një ambulance lokale në Shkup, ne takuam znj.Bllaga Llazova. Kjo zonjë e moshës së mesme dukej sikur mezi kishte pritur të rrëfehet mbi problemin për të cilin më parë nuk e kishte pyetur.

„Jam në hall të madh kur më duhet të shkoj për vizitë tek gjinekologu. Më duhet të kaloj 30 kilometra dhe të shkoj në Kavadar. Atje e paguaj kontrollin, ndërsa në rastet emergjente më duhet të shkoj me taksi dhe të paguaj 500 denarë“, thotë Bllaga.

Jam në hall të madh kur më duhet të shkoj për vizitë tek gjinekologu. Më duhet të kaloj 30 kilometra dhe të shkoj në Kavadar, thotë Bllaga Llazova, e cila ankohet se detyrohet të udhëtojë nga qyteti i Demir Kapisë në Kavadar, për t’u kontrolluar në shtëpinë e shëndetit të këtij qyteti / Foto: Bojana Simonoviq

Jam në hall të madh kur më duhet të shkoj për vizitë tek gjinekologu. Më duhet të kaloj 30 kilometra dhe të shkoj në Kavadar, thotë Bllaga Llazova, e cila ankohet se detyrohet të udhëtojë nga qyteti i Demir Kapisë në Kavadar, për t’u kontrolluar në shtëpinë e shëndetit të këtij qyteti / Foto: Bojana Simonoviq

Situata është e ngjashme edhe në Dojran. Gjatë bisedave me femrat e kësaj qyteze fitohet përshtypja se ato janë të vetëdijshme për problemin, por duket sikur e kanë pranuar të njëjtin. Njëzet e nëntë vjeçarja me emrin Sllavica, të cilës i ka vdekur bashkëshorti, sqaroi se për një kontroll gjinekologjik udhëton deri në Gjevgjeli.

„Shkoj vetëm me autobus, nuk jam në gjendje të paguaj taksi“, tha Sllavica.

„detyrohemi të gjejmë vetë zgjidhje“, tha Lizbet Duraki nga lagjja e Shuto Orizarit, një tjetër komunë e Shkupit që nuk ka gjinekolog. Ajo për kontroll gjinekologjik shkon në Çair dhe paguan shërbimin e ofruar.

Përvojat e këtyre femrave i vërtetojnë edhe të dhënat zyrtare. Mbi gjysma e 80 komunave vendase ose 45 prej tyre janë pa gjinekologë personal, ndërsa 24 nga komunat kanë gjinekolog, por numri i tyre nuk mjafton për të mbuluar nevojat e femrave që jetojnë në këto komuna. Më saktësisht shëndeti reproduktiv e femrës mungon ose është i pjesshëm në 56 për qind të komunave vendase.

Mbrojtja shëndetësore primare, e cila është thelbësore për parandalimin e sëmundjeve, siç është kanceri i qafës së mitrës, deri para pak kohësh për Ministrinë e shëndetësisë nuk ishte një prioritet.

Të pyetur nga BIRN lidhur me masat që janë duke u ndërmarrë për rritjen e numrit të gjinekologëve, zyrtarët e Ministrisë së shëndetësisë sqaruan se deri më tani prioritet ka qenë rritja e numrit të mjekëve nëpër klinikat dhe spitalet dhe se tani janë duke u ndërmarrë masa për rritjen e numrit të gjinekologëve.

Ministria e shëndetësisë në korrik njofto se do të publikojë shpalljen e tretë për specializime private me bashkëfinancim, me të cilat do të përpiqet të sigurojë 47 gjinekologë të rinj personal që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Sipas vlerësimeve të kësaj ministrie, me këtë shpallje do të rritet për 34 për qind numri i përgjithshëm i gjinekologëve personal që veprojnë në mbarë vendin.

Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se kandidatëve të zgjedhur do t’u mbulojë 90% të shpenzimeve të specializimit, ndërsa pas kompletimit të tyre mjekëve u garantohen kontrata me Fondin e sigurimeve shëndetësore të Maqedonisë dhe të ardhura të sigurta në shumë prej 1.000 pikë, ekuivalente me 1.000 pacientë, për një periudhë trevjeçare.

Në këtë mënyrë mjekët do të stimulohen të shkojnë në komunat me numër të vogël pacientësh, që konsiderohen si komuna joatraktive, krahasuar me qytetet më të mëdha. Për momentin është duke vazhduar procedura e testimit dhe selektimit të kandidatëve që kanë aplikuar dhe pas kompletimit të kësaj procedure do të publikohet lista e kandidatëve të zgjedhur.

alb

 

 

Rritet numri i të vdekurve nga kanceri dhe norma e mortalitetit të foshnjave

Në kohën kur Ministria e shëndetësisë hap konkurse dhe bën përpjekje për zgjidhjen e problemit, mungesa e mbrojtjes së shëndetit reproduktiv të femrës lë pasoja të rënda.

Të dhënat statistikore zbardhin se në Maqedoni është duke u rritur numri i femrave që vuajnë nga kanceri i qafës së mitrës dhe njëkohësisht është duke u rritur norma e mortalitetit të foshnjave.

Të dhënat statistikore të sektorit joqeveritar, të publikuara në një konferencë për shtyp nga ana e organizatave civile “Shoqata e emancipimit, solidaritetit dhe barazisë së femrave” – ESE, “Qendra e zhvillimit demokratik dhe iniciativave” – QZHDI, “KHAM” dhe “Qendra rome e resurseve” – QRS, zbardhin se shkalla e mortalitetit të femrave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës është rritur nga 1,5 raste në 100.000 femra në vitin 2011, në 4,1 raste në vitin 2014.

Sa për krahasim, norma e mortalitetit të femrave që vuajnë nga kanceri i qafës së mitrës në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat sigurojnë skrining për zbulimin e kancerit në fazën fillestare, është 1,2 raste në 100.000 femra.

Megjithëse Maqedonia nuk ka një regjistër zyrtar me emrat e të prekurve nga kanceri, organizatat joqeveritare alarmojnë edhe lidhur me rritjen e numrit të femrave të prekura nga kanceri i gjirit.

Sipas të dhënave të Agjencisë ndërkombëtare të analizimit të kancerit, Globokan, në vitin 2012 në Maqedoni janë zbuluar 1.152 raste të reja të kancerit të gjirit, ndërsa 431 pacientë kanë gjetur vdekjen brenda një viti.

Dr.Borjan Pavllovski i angazhuar në organizatën civile ESE: Në Maqedoni nuk kemi një strategji për mbrojtje shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve

Sipas të dhënave të shoqatës civile “Borka”, që merret me luftimin e kancerit, të dhëna këto të publikuara para publikimit të hulumtimit të “Globkan”, në Maqedoni çdo vit regjistrohen 650 deri në 750 raste të reja të femrave të prekura nga kanceri. Dr.Mirjana Babamova, koordinatore e Shoqatës “Borka”, sqaron se kjo shoqatë nuk mund të ketë të dhëna të sakta sepse në Maqedoni nuk kemi një regjistër zyrtar, ndërsa në shoqatën ku ajo vepron si koordinatore nuk paraqiten të gjitha femrat që preken nga kanceri.

Për sa i përket mortalitetit të foshnjave, sipas të dhënave zyrtare të Entit shtetëror të statistikës, i njëjti shënon rritje. Në vitin 2011 në Maqedoni kanë vdekur 172 foshnja, ndërsa në vitin 2015 numri i foshnjave të vdekura është rritur në 198.

Bëhet fjalë për periudhë gjatë të cilës Ministria e shëndetësisë ka realizuar strategjinë e mbrojtjes shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve. Siç është paraparë me strategjinë, ajo promovon një qasje multidisiplinare dhe të integruar të kujdesit për nënat dhe foshnjat. Për shembull, strategjia parasheh pesë vizita të shërbimit të patronazhit gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pesë vizita pas lindjes së foshnjës.

Megjithatë realiteti është më i ndryshëm, thotë për BIRN mjeku Borjan Pavllovski, i angazhuar në Shoqatën e emancipimit, solidaritetit dhe barazisë së femrave – ESE.

„Gjatë periudhës së shtatzënisë nuk bëhet asnjë vizitë, ndërsa pas lindjes bëhen maksimum dy vizita“, thotë Pavllovski, duke theksuar problemin me familjet e varfra rome, të cilat nuk vizitohen fare, si rezultat të kushteve të rënda në të cilat jetojnë ato.

Akoma më alarmuese janë të dhënat lidhur me komunat që nuk kanë gjinekologë personal.

Shoqatat civile alarmojnë, gjinekologët shpërngulen

Sipas të dhënave të Fondit të sigurimeve shëndetësore të Maqedonisë, me Fondin kanë lidhur kontrata 138 gjinekologë personal. Zyrtarët e Fondit sqarojnë se këtyre gjinekologëve mesatarisht u paguhen kapitacione mujore në shumë prej 200.000 denarë. Bëhet fjalë për një shumë që është caktuar nga institucionet vendase ose për shumën prej 50 denarë për një pacient, të cilën gjinekologu personal e fiton çdo muaj. Përveç shumës së kapitacionit, gjinekologët personal fitojnë edhe mjete plotësuese me Programin e sëmundjeve maligne, për skrining me test PAP për femrat në një moshë të caktuar.

Për këtë qëllim Ministria e shëndetësisë në nivel vjetër ndan 9.650.000 denarë. Nga kjo shumë për gjinekologët personal janë paraparë 7 milionë denarë (çdo gjinekolog fiton nga 30 denarë për një ftesë për kontroll gjinekologjik dhe nga 200 denarë për një femër të kontrolluar, të cilës do t’i bëhet testi PAP).

13 organizata joqeveritare me një peticion bëjnë përpjekje për të vetëdijesuar opinionin lidhur me seriozitetin e problemit të mungesës së gjinekologëve dhe të bëjnë ndryshime. Këto organizata në ueb faqen www.change.org janë duke mbledhur nënshkrime me moton – Femrat kanë të drejtën e mbrojtjes shëndetësore gjinekologjike falas, të kapshme dhe cilësore!

Sipas të dhënave të Ministrisë së shëndetësisë, duke filluar nga viti 2012 e deri në qershor të këtij viti për skrining lidhur me zbulimin e kancerit të qafës së mitrës janë ftuar 190.000 femra, ndërsa për kontroll janë paraqitur 54% prej tyre.

Skriningu bëhet në çdo tre vjet, që do të thotë se çdo femër e moshës 24 – 60 vjeçe në çdo tre vjet mund të bëj nga një test PAP falas. Vitin e parë u kontrolluan femrat e moshës 24 – 35 vjeçe, vitin e dytë ato të moshës 36 – 47 vjeçe dhe vitin e tretë femrat e moshës 48 – 60 vjeçe, ndërsa pas këtij trevjeçari përsëriten në çdo tre vjet po të njëjtat grup-mosha.

Megjithatë gjinekologët nuk janë të kënaqur. Për mendimin e tyre shuma dhe mënyra e shpërndarjes së kapitacionit janë ofenduese dhe destimuluese. Duke sqaruar qëndrimin e tyre, ato sqarojnë se për dallim nga 50 denarët që i fiton gjinekologu për një pacient, mjeku personal për një pacient mbi 65 vjet ose pediatri për një fëmijë deri në moshën tre vjeçe fitojnë kapitacion në shumë prej 200 denarë.

„Ne jemi specialistë, nuk jemi mjekë të përgjithshëm. Unë të kisha dashur edhe sot do isha mjek e përgjithshëm. Jam munduar pesë vjet për të qenë gjinekolog, por nuk jam munduar të punoj me kushtet në të cilat punoj sot“, thotë për BIRN mjeku Dushko Filipovski, kryetari i Shoqatës së gjinekologëve personal.

Dr.Dushko Filipovski, kryetari i Shoqatës së gjinekologëve personal: „Shteti nënçmon shëndetin gjinekologjik të femrës“

„Shteti nënçmon shëndetin gjinekologjik të femrës, por edhe neve si gjinekologë dhe prandaj dhe si rezultat të kushteve të rënda të punës një numër i madh gjinekologësh shkojnë të punojnë jashtë vendit“, thotë Filipovski.

Për mendimin e tij, masa e specializimeve me bashkëfinancim e Ministrisë së shëndetësisë është e mirë, por e vonuar.

„Ky është riplanifikimi i parë që bëhet për gjinekologët personal, megjithëse ne vite me radhë kemi folur se do të mbërrijmë në këtë derexhe, në komuna të caktuara të mos kemi gjinekologë personal. Ndërkaq, ne që kemi mbetur jemi shumë të ngarkuar me punë. Që gjinekologët e rinj të fillojnë me punë duhet të kalojnë pesë vjet. Çfarë do të ndodh gjatë kësaj periudhe dhe sa gjinekologë do të pensionohen nuk e di, por e di që në pension do të dalin më shumë gjinekologë sepse shumica prej nesh jemi mbi moshën 50 – 60 vjeçe 50 – 60 vjeçe“, thotë Dushko Filipovski.

Kemi më shumë reklama për politika shëndetësore sesa politika shëndetësore

Një përllogaritje e buxhetit ose mjeteve që do të shpenzohen për 47 gjinekologët e rinj zbardh se me angazhimin e tyre Ministria e shëndetësisë do të shpenzojë 28 milionë denarë në nivel vjetor ose 84 milionë denarë për tre vjet.

Më saktësisht, një mijë pikë, si një ekuivalent për një mijë pacientë, nënkuptojnë një kapitacion në shumë prej 50 denarë për një pacient ose 50 mijë denarë në muaj për një gjinekolog. Në nivel vjetor bëhet fjalë për 600 mijë denarë për një gjinekolog ose 28 milionë denarë për 47 gjinekologët e rinj.

Kjo shumë është pak më e madhe se shuma të cilën Ministria e shëndetësisë dhe qeveria e harxhuan për reklama në vitin 2011, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Të njëjtin vit për informimin e opinionit me “reformat në fushën e shëndetësisë, mundësitë për mbrojtje shëndetësore më të mirë, pajisjet e reja mjekësore, procesin e rekonstruksionit, meremetimit dhe ndërtimit të spitaleve dhe institucioneve shëndetësore publike dhe konceptin e ri të protokolleve dhe lëvizjes së pacientëve në sistemin e shëndetësisë publike” u harxhuan mbi 26 milionë denarë.

Ndërkaq, vetëm në vitin 2013 qeveria për fushatën e promovimit të “politikave qeveritare në sistemin e shëndetësisë” shpenzoi mbi 50 milionë denarë. Me fjalë të tjera, Ministria e shëndetësisë dhe qeveria për dy vjet, vite kur u mbajtën zgjedhje, vetëm për reklama shpenzuan një shumë pak më të vogël se shuma që nevojitet për zgjidhjen për të cilën vet Ministria e shëndetësisë thotë se është një zgjidhje sistematike dhe zgjidhja e vetme me të cilën mund të tejkalohet problemi i kujdesit të dobët për shëndetin reproduktiv të femrës në pjesën më të madhe të komunave vendase.

Qeveria vetëm në vitin 2013 për promovimin e “politikave qeveritare në sistemin e shëndetësisë” shpenzoi mbi 50 milionë denarë.

Me shpenzimin e mjeteve të shumta për reklamim u shkurtuan mjetet e parapara për Programin e mbrojtjes shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve, program ky që ka për qëllim avancimin e shëndetit reproduktiv të femrës dhe shëndetit të fëmijëve. Vitin zgjedhor 2011 u përgjysmua Programi i mbrojtjes shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve.

20milioni

10milioni

Në janar të vitit 2011 ose para zgjedhjeve për programin në fjalë u parapanë 20 milion denarë, por në shtator të të njëjtit vit kjo shumë u përgjysmua ose u shkurtua në dhjetë milionë denarë. Që atëherë e deri më sot për të njëjtin program parashihen buxhete të përafërta. Sivjet shuma e buxhetit është zvogëluar minimalisht dhe për Programin e mbrojtjes shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve janë paraparë 9,5 milionë denarë.