Hulumtimet

E vërteta e shëndetësisë së burgjeve u mbyt në kovë

Qindra të burgosur janë lëmë pa kujdes mjekësor dhe barna, ndërsa ato që kanë mundësi të mjekohen ankohen për shërbimet që i fitojnë. Njëkohësisht ka ankesa të ndryshme për raste vdekjesh, si rezultat të trajtimit mjekësor të vonuar. Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve nuk e di numrin e saktë ose nuk do të numërojë të vdekurit brenda burgjeve vendase dhe gjithashtu manipulon me numrin e kuadrove të nevojshme mjekësore

Një i dënuar në burgun e Kumanovës për pak do kishte mbetur pa këmbë, pas një qëndrimi disa ditësh me këmbë të thyer në qeli, pa u kontrolluar nga mjeku. Megjithëse ka pasur dhimbje, atij i është dashur të pres mjekun të kthehet në punë sepse ai nuk ka ardhur përditë në punë. Mjeku i burgut pas kontrollit ka konstatuar ënjtje si rezultat të një frakture dhe ka udhëzuar të burgosurin për mjekim në spital. Megjithëse ishte dashur të dërgohet me urgjencë në spital, mjekët i kanë thënë të burgosurit se duhet të pres edhe disa ditë sepse të gjitha automjetet e burgut kanë qenë të zëna.

Si rezultat të dhimbjeve të forta, i dënuari me inicialet I.M. ka vendosur të kërkojë ndihmën e Avokatit të Popullit, zyra e të cilit ka intervenuar që i burgosuri të dërgohet në spital. Pas këtij intervenimi, me automjetin e parë që u lirua, i dënuari u dërgua në spital, ku për shkak të frakturës mjekët i vendosën allçi (gjips).

Në fund këmba e këtij të burgosuri shpëtoi, por parashtrohet pyetja sa të dënuar të tjerë kanë mbetur qelive të burgjeve dhe nuk kanë mundur të shkojnë në spital sepse nuk kanë mundur të kontaktojnë me Avokatin e Popullit?

Me këtë rast ne vendosëm të zbulojmë sa të burgosur dhe të paraburgosur në nivel vjetor vdesin pas kangjellave dhe si është mbrojtja shëndetësore e të dënuarve?

Administrata me shifra të ndryshme për të vdekurit

Në burgun e Idrizovës krevatet e prishur janë luks sepse shumë të burgosur flenë në dysheme / Foto: Një i dënuar

Në burgun e Idrizovës krevatet e prishur janë luks sepse shumë të burgosur flenë në dysheme / Foto: Një i dënuar

Në Drejtorinë e ekzekutimit të sanksioneve u përgjigjën se kanë të dhëna për periudhën e viteve 2008-2016, sipas të cilave gjatë periudhës në fjalë kanë vdekur 71 persona. Me këtë shifër nuk janë përfshirë rastet e fundit, siç ishte ai i fundjavës së kaluar, kur rrugës për në spital ndërroi jetë një tjetër i burgosur.

Në vitin 2008 kanë vdekur tetë persona. Shtatë prej tyre kishin vdekje natyrale, ndërsa i teti u vetëvra. Në vitin 2009 u regjistruan dy vetëvrasje, ndërsa në vitin 2010 u regjistruan nëntë të vdekur ose tre vetëvrasje dhe gjashtë vdekje natyrale. Në vitin 2011 u evidentuan 10 të vdekur, nëntë vdekje natyrale dhe një vetëvrasje. Dy viteve në vazhdim, 2012 dhe 2013, burgjeve u regjistruan 18 vdekje ose nga nëntë vdekje në vit. Me përjashtim të një rasti kur një i burgosur u vetëvra, të dënuarit e tjerë patën vdekje natyrale. Në vitin 2014 u regjistruan 10 të vdekur, që të gjithë me vdekje natyrale,ndërsa 2015-a u mbyll me 11 vdekje. Të njëjtin vit dy të burgosur u vetëvranë, ndërsa të tjerët patën vdekje natyrale. Sivjet burgjeve janë regjistruar tre vdekje.

Asnjëri nga të dënuarit nuk ka humbur jetën si rezultat të torturës së ushtruar nga punonjësit e burgjeve, rrahjeve me të dënuarit e tjerë ose trajtimit joadekuat ose të vonuar mjekësor, por të gjithë ato kanë pasur “vdekje natyrale”, megjithëse një pjesë e të dënuarve kanë qenë të moshës 20-30 vjeçe. Një pjesë e tyre kanë gjetur vdekjen me vetëvrasje.
Megjithatë, krahasimi i të dhënave lidhur me numrin e të vdekurve dhe atyre që janë publikuar me raportet vjetore të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve hap dilema të reja dhe shkakton dyshime. Megjithëse përgjigjet dhe raportet që i fituam janë të një institucioni dhe mbajnë firmën e drejtores Lidija Gavrillovska, të njëjtat nuk përputhen në aspektin e numrit të të vdekurve dhe arsyeve të vdekjes.
Sipas raporteve, krahas vdekjeve natyrale dhe vetëvrasjeve, paraqitet një kategori e re – e quajtur “fatkeqësi”. Po sipas këtyre të dhënave, që janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së drejtësisë, në vitin 2014 kanë vdekur 13 të burgosur, 12 nga të cilët kanë pasur vdekje natyrale, ndërsa i dënuari tjetër humbi jetën gjatë një fatkeqësie. Ndërkaq, sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan 10 vdekje. Shifrat nuk përputhen as për vitin 2013 sepse sipas të dhënave të raportit kanë vdekur gjithsej 12 të dënuar, 7 nga të cilët anë pasur vdekje natyrale, tre humbën jetën gjatë fatkeqësive të ndryshme, ndërsa dy të dënuar u vetëvranë. Sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan vetëm nëntë vdekje. Sipas raportit të vitit 2012, të njëjtin vit kanë vdekur vetëm tetë të dënuar, gjashtë nga të cilët patën vdekje natyrale, njëri gjeti vdekjen gjatë një fatkeqësie, ndërsa i teti u vetëvra. Sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan nëntë vdekje!? Ndërkaq, në raportet e tjera vjetore, për arsye të panjohura, Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve nuk ka shënuar numrin e të dënuarve që kanë vdekur në burg.
Loja me numrin e të dënuarve të vdekur shkakton dyshime lidhur besueshmërinë e të dhënave. Në këtë kontekst parashtrohet pyetja si është e mundur një institucion të dalë me të dhëna të ndryshme, që duhet të jenë zyrtare dhe të sakta? Për të sqaruar këtë pyetje ne kërkuam një shpjegim nga Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve, por deri në publikimi e këtij teksti nuk morëm një të tillë.
Të dhëna të sakta gjithashtu nuk ka as Komiteti i Helsinkit i të drejtave të njeriut sepse, siç sqaroi drejtorja e këtij komiteti, Uranija Pirovska, të dhënat zyrtare fshihen edhe nga ky institucion. Në rrethana të tilla krijohet përshtypja se janë me vend dyshimet e familjeve të të dënuarve, të cilat nuk i besojnë përgjigjes së Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve lidhur me mënyrën e vdekjes së të afërmve të tyre. Për këtë arsye ato kërkojnë të vërtetën, për të cilën vlerësojnë se fshihet prej tyre.

Panda Georgieva: Djalin tim e vranë në burg!

Të vërtetën me muaj e kërkon edhe familja Georgievi nga Negotina, e cila më 3 shtator të vitit 2015, në burgun e Idrizovës, humbi djalin 24 vjeç. Anëtarët e kësaj familjeje nuk besojnë se djali i tyre gjeti vdekjen si rezultat të një helmimi me barna të ndryshme, siç u evidentua me raportin zyrtar.

„Djalin tim e vranë në burg dhe e kanë patjetër të më tregojnë kush dhe përse e vrau. Dyshimet u theksuan akoma më shumë pasi gjetëm një letër në një nga librat e tij. Në këtë letër ai kishte shkruar se e kanë rrahur“, thotë Panda Georgieva, e ëma e Dalibor Georgievit.

Ajo thekson se djali i saj në qafë kishte shenja mbytjeje, fakt ky të cilin e ka dokumentuar me fotografi. Georgieva gjithashtu thekson se ajo akoma nuk e ka të qartë përse tre ditë para vdekjes së djalit nuk e lejuan të vizitonte djalin.
„Unë shkova për vizitë, por nuk më lejuan të futem brenda. Ndoshta nuk kanë dashur të shikoj se si e kanë rrahur. Ne jemi të bindur se djali im është vrarë“, thotë Panda Georgieva.
Faktin që Dalibori brenda burgut ka qenë viktimë e një torture e vërtetojnë edhe vetë të dënuarit, të cilët akuzojnë se ai është rrahur dhe nuk i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. Nga ana tjetër, drejtori Zhivko Pejkovski ka demantuar këto qëndrime.
„Raporti i Mjekësisë ligjore vërtetoi se ai ka gjetur vdekjen si rezultat të helmimit me më shumë lloje të ndryshme barnash. Nuk ka vend për dyshime“, thotë Pejkovski.
Dalibor Georgiev kaloi në burg katër muaj e gjysmë. Ai u dënua me pesë vjet heqje lirie për pedofili. Sipas të dhënave të aktgjykimit, ai i kishte treguar materiale pornografike një të miture, të cilën e kishte ngacmuar seksualisht. Ndërkaq, e ëma e tij shpreh bindjen se i gjitha puna ka qenë një sajesë.
Në një mënyrë të ngjashme, në rrethana mjaft të dyshimta, brenda burgjeve ndodhën edhe disa vdekje të tjera. Në vitin 2008 në mbarë vendin, por edhe në vendet e tjera, u përhap lajmi lidhur me vdekjen e gazetarit Vllado Tanevski, i cili sipas raportit zyrtar u mbyt në një kovë me ujë, që për ekspertët është një gjë e pamundur. Po në burgun e Tetovës, në vitin 2011, jo në një kovë me ujë, por me një qese najloni, u mbyt 56-vjeçarja Suzana Bozhinovska, e cila kishte kaluar në paraburgim vetëm dy muaj. Me këtë rast, e bija e saj deklaroi se e ëma është vrarë sepse ajo i kishte treguar se janë duke i përgatitur diçka. Dyshime lidhur me vdekjen e Suzana Bozhinovskës kishte edhe avokati Zvonko Davidoviq, i cili ishte angazhuar për mbrojtjen e saj.
„Nuk është për t’u besuar. Nuk ka mundur të vetëvritet me një qese të vendosur në kokë“, tha atëherë avokati Zvonko Davidoviq, i cili ndërkohë ka deklaruar se rasti i klientes së tij nuk është zgjidhur akoma.
Si një vdekje shumë e dyshimtë u vlerësua edhe ajo e Nikolla Nikoliqit, pronarit të firmës „Fikom“, i cili vitin e kaluar u gjet i varur në qelinë e burgut.
Në kangjellat e burgut vitin e kaluar gjeti vdekjen edhe Zoran Kostadinovski (49 vjeç), i akuzuar me rastin „Spiuni“. Kostadinovski u paraburgos, megjithëse paraprakisht ishte operuar nga tumori i trurit. Pas tre muajve të kaluar në qeli, si rezultat të gjendjes shëndetësore tepër të rënduar, atij masa e paraburgimit iu zëvendësua me arrest shtëpie. Megjithatë, një vit më vonë ai ndërroi jetë. Sipas deklaratave të personave që e kanë njohur, mjekët i kishin thënë Kostadinovskit se i kanë mbetur edhe 10 vite për të jetuar, por sipas tyre kushtet e rënda brenda burgut e bënë të veten.

Të burgosurit në vend të mjekëve për turnin e tretë!?

zatvor-mala-22

Foto: Një i dënuar

Me ndihmën e rrëfimeve të ish të dënuarve, por edhe atyre që vazhdojnë të vuajnë dënimet, ne u përpoqëm të sigurojmë një pamje brenda ambulancave të burgjeve. Ajo e burgut më të madh, atë të Idrizovës, u ngjaka ambulancave të fshatrave ose lagjeve periferike, me një tavolinë pune, një karrige për mjekun, stetoskop, aparat për matjen e shtypjes së gjakut dhe dy-tre shtretër. Për sa u përket pajisjeve më të sofistikuara, ambulancat e këtij lloji kanë EKG. Për sa u përket medikamenteve, ato kanë nga pak aspirina dhe kafetin, si dhe barnat më të kërkuara, siç janë heleks dhe diazepami.

Sipas bashkëbiseduesve tanë, kjo është pamja më e mirë që mund të shihet brenda një ambulance burgu, për arsye se ka ditë kur mungojnë mjekët, nuk ka barna dhe brenda tyre “dominon” papastërtia.
Për të fituar të drejtën e kontrollit mjekësor të dënuarit fillimisht duhet ta njoftojnë rojën dhe të regjistrohen në listën përkatëse. Pas regjistrimit kontrolli zakonisht u mundësohet të nesërmen. Megjithatë, është roja i burgut ai që vendos nëse i dënuari vërtet ka nevojë të vizitojë mjekun sepse ka mundësi që sëmundja ose dhimbja “t’i kalojë vetvetiu”!
Sipas të dhënave të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, në burgun e Idrizovës janë punësuar vetëm tre mjekë. Në ambulancë pas orës 18 nuk ka njeri.
„Duhet të lutesh të jesh mirë dhe të mos kesh nevojë për mjek në mbrëmje. Po pate nevojë për mjek në mbrëmje, në dispozicion ke disa të dënuar që janë trajnuar për të ofruar ndihmë emergjente. Në fakt këto pacientë angazhohen për turnin e tretë“, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili doli në liri para disa muajsh.
Ai kujtohet për një rast, kur bashkë me shokët e dhomës gjatë orëve të vona të mbrëmjes kanë bërtitur me zë të lartë për të alarmuar rojën e burgut.
„Në shumë raste vlerësojnë se i dënuari është duke manipuluar dhe nuk e çojnë për mjekim, por shpeshherë vërtetohet se kanë vlerësuar gabimisht“, thotë ish i dënuari, i cili vuajti dënimin në burgun e Idrizovës.
Sipas drejtorit Zhivko Pejkovski, ambulanca e burgut funksionon mjaft mirë. Siç thotë ai, në nivel vjetor për mbrojtje mjekësore nga buxheti i përgjithshëm i burgut ndajnë rreth 35 milionë denarë, që sipas tij është një shumë e mjaftueshme për të mbuluar kontrollet dhe për të siguruar medikamentet e nevojshme.
Në burgun hetues të Shkupit, i njohur si burgu i Shutkës, të duhen akoma më shumë privilegje për të fituar të drejtën e kontrollit mjekësor. Në këtë burg në dispozicion janë dy mjekë dhe një stomatolog, ndërsa në rast nevoje angazhohet edhe një psikiatër nga burgu i Idrizovës.
Në Drejtorinë e ekzekutimit të sanksioneve sqaruan se nga një mjek është angazhuar në burgjet e Manastirit, Shtipit dhe Tetovës, si dhe në Entin edukativo-korrektiv në Tetovë, i cili është në fazën e rekonstruksionit. Ndërkaq, pa kujdesin e mjekut janë lënë qindra të dënuar që vuajnë dënimet në burgjet e Kumanovës, Kriva Pallankës, Strugës, Strumicës, Gjevgjelisë, Prilepit dhe Ohrit, megjithëse sipas Ligjit të ri të ekzekutimit të sanksioneve një gjë e tillë nuk lejohet.
Neni 124, paragrafi 1, parasheh si në vazhdim: „Institucionet kanë për detyrë të angazhojnë mjek, i cili do të kujdeset për gjendjen shëndetësore të të dënuarve”, ndërsa me paragrafin 4 është paraparë se shpenzimet e mbrojtjes shëndetësore të të dënuarve do të mbulohen me mjetet e buxhetit të shtetit.
Me ambulancën luksoze, televizorin dhe krevatet e pastër mund të lavdërohet administrata e burgut të Shtipit. Megjithatë, sipas të burgosurve, në vend të të sëmurëve ambulancën e këtij burgu e përdorin individët me privilegje, për të cilat besohet se paguajnë shumë.
„Atje është pastër dhe ka kushte njerëzore. Bëhet fjalë për dy dhoma me nga dy shtretër. Pra nuk banojnë nga tetë persona, siç është rasti me qelitë, që u mundëson të dënuarve të gjejnë qetësinë e nevojshme dhe të shikojnë televizorin. Ndërkaq të sëmurët i shëtisin nëpër repartet e tjera, ndërsa për barnat as që duhet diskutuar, nuk mund të gjesh as hapa kundër kokëdhimbjes. Na sugjerojnë të blejmë vetë“, thotë një i dënuar që vazhdon të vuajë dënimin e shqiptuar.
Ai gjithashtu akuzon se ka pasur raste kur të dënuarit kanë vdekur sepse nuk u është ofruar me kohë ndihma e nevojshme. Megjithatë, për këto raste nuk ka një konfirmim zyrtar.
„Një nga të burgosurit, Toni, vuante nga diabeti dhe humbi ndjenjat. U rrëzua përtokë, por nuk deshën ta çojnë për ta mjekuar, duke thënë se ai është duke manipuluar. U ngritëm të gjithë në këmbë dhe kërkuam ta ndihmojnë. Pas reagimit tonë të ashpër e çuan në spital. Të nesërmen ne morëm vesh se ai kishte ndërruar jetë. Ta kishin çuar me kohë do kishte shpëtuar“, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ne për ta dëgjuar edhe anën tjetër ne kërkuam të bisedojmë me drejtorin e burgut, por punonjësit na thanë se ai është i zënë.
Për dhimbjet e dhëmbëve burgu angazhon një stomatolog privat, i cili viziton burgun çdo të mërkurë. Siç sqarojnë, procedura është gjithmonë e njëjtë. Nuk ka rregullim dhëmbësh, atë gjithmonë hiqen.

Lidhje në vend të mjekimit

Banja e burgut më të madh të vendit. Në këtë banjë lahen edhe enët / Foto: Një i dënuar

Banja e burgut më të madh të vendit. Në këtë banjë lahen edhe enët / Foto: Një i dënuar

Rrëfimet e të dënuarve zbardhin në burgjet shpesh përdoren edhe masat e mjekimit “alternativ”, në vend të masave të parapara me ligj. Për shembull, sipas rregullave, që janë përfshirë edhe me raportin zyrtar të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, për vitin 2009, në rastet e dyshimeve lidhur me ekzistimin e mundësisë për vetëlëndim ose vetëvrasje, të dënuarit do të akomodohen në ambientet me monitorim ose mbikëqyrje 24 orëshe, ndërsa psikiatri do të caktojë terapinë e këtyre pacientëve. Sipas praktikës të cilën e kanë konstatuar përfaqësuesit e Komitetit evropian të parandalimit të torturës, në një nga burgjet vendase “mjekimi” duket plotësisht më ndryshe.

Me raportin e fundit vërehet se një i dënuar, i cili ka qenë i varur nga droga dhe la tentuar të bëj vetëvrasje, në vend që të trajtohet me ndihmën e shpejtë, ai është mbyllur në dhomë izolimi me 5 metra katrore. Për gjashtë ditë me radhë ai është mbajtur me duar dhe këmbë të lidhura, ndërsa prangat i janë hequr vetëm për të bërë nevojat fiziologjike. Ndërkaq një tjetër i burgosur është caktuar për ta monitoruar dhe për t’u kujdesur për të. Më saktësisht ai ka pasur për detyrë ta ushqejë dhe ta ndihmojë për të urinuar në një shishe plastike (sipas të gjitha gjasave këtë trajtim e konsiderojnë si monitorim 24 orësh). Ky i burgosur, në vend të shtratit dhe dyshekut, ka fjetur në dysheme.
„Është plotësisht e papranueshme pacientët të lidhen ose lidhja e tyre të përdoret si një masë mbrojtëse, për arsye se ky lloj trajtimi mund të konsiderohet si një trajtim çnjerëzor dhe nënvlerësues“, thuhet në raportin e fundit të Komitetit evropian të parandalimit të torturës.
Viktimë e torturës në burgun e Idrizovës, zyrtarisht dhe në bazë të një aktgjykimi, është Zuher Ibraimov, një banor i Shkupit. Pas 13 vitesh të kaluara në burg, ai doli në liri pa një nga veshkat dhe shpretkë, organe këto që iu hoqën si rezultat të lëndimeve të rënda. Atë në vitin 2013 e rrahu rëndë një nga policët e burgut.
Me shëndet të rënduar mjaftë Ibramovi pas rrahjes u kthye përsëri në qeli dhe u la pa kujdesin e duhur mjekësor dhe pa medikamentet e nevojshme, ndërsa polici që e rrahu u dënua me gjashtë muaj heqje lirie. Ibraimovi doli në liri në qershor të vitit 2014, por siç ka sqaruar ai, akoma nuk i ka marrë paratë që iu mundësuan në formë dëmshpërblimi sepse ai mbeti me invaliditet të përjetshëm.
„Kaluan tre vite, por unlë akoma nuk e kam marrë dëmshpërblimin, megjithëse nuk kam me se të jetoj. Kam gjashtë fëmijë, ndërsa pres të shtatin“, thotë Ibraimovi.

Memeti: burgjet janë pa sigurim shëndetësor!

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, pikërisht sistemi shëndetësor jofunksional ka detyruar një numër të madh të dënuarish të parashtrojnë ankesa

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, pikërisht sistemi shëndetësor jofunksional ka detyruar një numër të madh të dënuarish të parashtrojnë ankesa

Drejtorja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, alarmon se përveç mungesës së medikamenteve të dënuarit me sëmundje kronike dhe ato që vuajnë nga hepatiti B dhe C nuk ushqehen drejtë.

„Ushqimin që e fitojnë në fakt është tmerr dhe për këtë arsye familjet e tyre detyrohen t’u dërgojnë ushqime të gatuara në shtëpi“, thotë Pirovska.
Lidhur me kushtet e rënda dhe sistemin jofunksional të sigurimit shëndetësor vazhdimisht reagon edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti. Sipas tij, as që mund të flitet për sistem shëndetësi në burgjet sepse nuk ka një të tillë.
„Gjendja është alarmuese sepse sistemi i shëndetësisë është i keq, jofunksional dhe jashtë çdo logjike. Nuk lejohet që në kushte të tilla të mos angazhohet një mjek dhe të një herë në javë të dërgohet në burg mjek që bën kontrolle grupore“, thotë Memeti.
Ai gjithashtu sqaron se deri në dhjetor të vitit 2013sigurimi shëndetësor ka qenë nën kompetencat e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, por me ndryshimet e ligjit, institucionet publike u detyruan që brenda 30 ditësh të transferojnë punonjësit dhe të menaxhojnë shëndetësinë. Megjithatë, këto institucione nuk kanë ndërmarrë asgjë dhe për këtë arsye ky segment tani gjendet jashtë sistemit, më saktësisht mjekët angazhohen me kontrata në vepër, ndërsa shpenzimet e angazhimit të tyre i mbulojnë burgjet.
Memeti gjithashtu sqaron se pikërisht sistemi shëndetësor jofunksional ka detyruar një numër të madh të dënuarisht të parashtrojnë ankesa.
– Një i dënuar ose i paraburgosur mund të kërkojë të dërgohet për kontroll specialistik të organeve vitale, si për shembull për të kontrolluar veshkat sepse mund të ndjejë që diçka nuk është në rregull me to, por mjeku do të kërkojë prej tij të vërtetojë se më herët ka pasur probleme me veshkat sepse i dënuari mund të mos fitojë lejen e gjyqtarit ose drejtorit. Kemi të bëjmë me një sjellje monstruoze. Ku gjendet etika mjekësore? Kemi pasur raste të vdesin të dënuarit sepse nuk janë dërguar me kohë për mjekim. Vjet një i dënuar gjeti vdekjen nga infarkti, tha Memeti.

Në vend që të rritet, numri i mjekëve në ulje

Megjithëse vazhdimisht jepen rekomandime për forcimin e sigurimit shëndetësor të burgjeve, statistika zbardh se numri i punonjësve të burgjeve është duke u zvogëluar vazhdimisht. Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve sqaroi se në këtë sektor janë plotësuar 17 vende pune, nëntë mjekë dhe tetë punonjës mjekësor, ndërsa sipas sistematizimit duhen hapur 30 vende pune.

Ndërkaq, në vitin 2014 u punësuan 21 persona, në vitin 2013 në burg u punësuan 22 persona, ndërsa në vitin 2012 u angazhuan 24 punonjës. Më keq se sot ka qenë në vitin 2011, vit ky kur në sektorin përkatës u angazhuan vetëm 14 punonjës. Në vitin 2010 u angazhua një numër rekord punonjësish ose gjithsej 27, por të njëjtin vit ishte dashur të angazhohen 78 punonjës.

Mbetet e paqartë se si ka konstatuar Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve se sot nevojiten vetëm 30 punonjës, ndërsa në vitin 2010 ishte dashur të angazhohen plotë 78 mjekë dhe kuadro mjekësore, në kohën kur numri i të dënuarve dhe të paraburgosurve sot është shumë më i madh, krahasuar me gjashtë vite më parë. Më saktësisht, në fund të vitit 2010nëpër burgje ka pasur 2.157 të dënuar dhe 330 të paraburgosur, ndërsa sot burgjeve ka 3.271 të dënuar dhe 387 persona që vuajnë masë paraburgimi.

Me Strategjinë e mbrojtjes shëndetësore të viteve 2012-2014, e përgatitur nga drejtoria përkatëse, është paraparë se në vitin 2012 në sektorin e mbrojtjes shëndetësore janë punësuar 22 punonjës, ndërsa me sistematizimin ishte paraparë të funksiononin 124 vende pune, 36 nga të cilat në burgun e Idrizovës. Diferenca e numrave 30 dhe 124 është enorme.

Krijohet përshtypja se qëndrimet dhe përgjigjet e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve ndryshojnë qëllimit dhe subjektit për të cilin janë paraparë. Dilema e vetme është nëse të vërtetën e kanë mbytur në kovë me ujë ose e kanë mbytur me qese.

Pas publikimit të tekstit mbërriti përgjigjja e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve:

Dallimet e të dhënave janë një gabim teknik

Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve me përgjigjen që e dërgoi sot sqaroi se dallimet që i konstatuam me krahasimin e të dhënave zyrtare lidhur me mortalitetin e të burgosurve me të dhënat e publikuara me raportet zyrtare vjetore kanë ndodhur si rezultat të gabimeve teknike.

„Pas kontrollimit të lëndës u konstatua se gjatë evidentimit të të dhënave lidhur me mortalitetin brenda burgjeve vendase gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014 ka ndodhur një gabim teknik. Ne kërkojmë ndjesë për gabimin dhe ju njoftojmë se të dhënat statistikore relevante janë publikuar me raportet vjetore të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, lidhur me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve ndëshkuese-korrektive dhe edukativo-korrektive në Republikën e Maqedonisë, që janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së drejtësisë“,sqaruan zyrtarët e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve.

Për sa i përket pyetjes përse në vitin 2012, me sistematizimin përkatës, drejtoria kishte paraparë angazhimin e 124 personave në sektorin e shëndetësisë për nevojat e burgjeve dhe përse sivjet është paraparë të angazhohen vetëm 30 punonjës, zyrtarët e drejtorisë përkatëse sqaruan se “kështu është paraparë me rregulloret e reja”

„Lidhur me çështjen e dallimit të numrit të vendeve të sistematizuara të punës në Sektorin e mbrojtjes shëndetësore në burgjet, më saktësisht siç thoni ju numri i vendeve të sistematizuara të punës në sektorin përkatës në vitin 2012 ka qenë 124, ndërsa në vitin 2016 ky numër ka qenë 30, Ju njoftojmë se në vitin 2016 janë miratuar Rregullore të reja për sistematizimin e vendeve të punës në burgjet dhe entet korrektive“,sqaruan zyrtarët e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve.