Hulumtimet

Policë me diploma false ka – askush nuk e di sa

Vetëm sivjet u zbuluan katër punonjës policie me diploma të falsifikuara, tre nga të cilët ushtrojnë poste drejtuese

Dhjetë viteve të fundit dy institucionet me rëndësi shumë të madhe – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Gjykata Penale më e madhe në Maqedoni, Gjykata Themelore Shkupi 1, nuk kanë të dhëna të sistematizuara lidhur me diplomat e falsifikuara që janë zbuluar dhe proceduar, që janë mbajtur nga punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky konkluzion mund të fitohet me ndihmën e një hulumtimi të BIRN, që u realizua pas zbulimit të një rasti disa muaj më parë në Kumanovë, nga ana e Policisë.

Individët e përfshirë në rastin konkret kanë mbaruar shkollë të lartë në Kosovë dhe më vonë janë regjistruar në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, ku referenti i çështjeve studentore, në mënyrë kundërligjore, i ka regjistruar në librat e studentëve të diplomuar dhe u ka ndihmuar të fitojnë titullin e profesorit.

Më saktësisht, kjo ka të bëj me dy punonjës policie në poste drejtuese, të angazhuar në policinë e Kumanovës, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Rasti në fjalë u zbulua gjatë kohës kur ministri Oliver Spasovski u angazhua për herë të parë në këtë detyrë, kur drejtuesit dhe inspektorët e dyshuar u suspenduan nga puna, megjithëse diplomat e tyre ishin falsifikuar para 11 vitesh.

Dy nga tre policët me diploma false, njëri ish shef i Sektorit të burimeve të fshehura të informatave dhe tjetri inspektor kryesor i sektorit në fjalë, u dënuan me gjashtë muaj dënim me kusht , një tjetër person ballafaqohet me aktakuzën e ngritur kundër tij, ndërsa ish referenti i çështjeve studentore, i cili u ka ndihmuar të pajisen me diploma në mënyrë kundërligjore, është në arrati. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe për veprën e falsifikimit të dokumenteve.

„Lënda kundër dy personave në fjalë është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit për të vazhduar procedimi i saj. Prokurori Publik i angazhuar për rastin konkret ka kërkuar të dhëna plotësuese dhe është duke marrë të gjitha masat e nevojshme për kompletimin e rastit, që do të rezultojë me marrjen e një vendimi adekuat nga ana e Prokurorisë“, sqaruan në Prokurorinë Publike të Shkupit për nevojat e BIRN.

Sipas të dhënave që i siguruam ne, në dosjen me diplomat e falsifikuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkohë është hapur edhe një rast tjetër. Sipas këtyre të dhënave, zëvendësshefi i Njësitit Policor “Alfa” që nga viti 2002 ka ushtruar detyrën me një diplomë të falsifikuar të arsimit të mesëm.

Fakulteti Pedagogjik -„burimi“ i diplomave false

Rasti i diplomave të falsifikuara alarmoi shërbimet e Fakultetit Pedagogjik në Shkup. Në zyrën e dekanit, në kohën kur ne siguronim informatat e nevojshme për përgatitjen e këtij teksti, u shkëmbyem me policë që gjithashtu siguronin informata. Lidhur me rastin në fjalë në Fakultetin Pedagogjik është formuar një Komision që zhvillon hetime interne.

Gjykata merr gjykime, por nuk ka statistika lidhur me diplomat

Nga fillimi i vitit deri në shtator të këtij viti, lidhur me veprën e falsifikimit të dokumenteve, vepër kjo e paraparë me nenin 378 të Kodit Penal, në Gjykatën Themelore Shkupi 1 janë kompletuar 51 raste që janë zhvilluar për veprën penale në fjalë. Në këtë kontest, në 43 raste janë shqiptuar dënime dhe masë alternative – dënim me kusht, një rast u mbyll me shqiptimin e një dënimi dhe gjobë, 5 raste të tjera u mbyllën me shqiptimin e dënimeve me heqje lirie, ndërsa në dy raste të akuzuarit janë liruar nga akuzat kundër tyre, zbardhin të dhënat që i fituam nga Gjykata Themelore Shkupi 1.
Për veprën penale të Përdorimit të në dokumenti me përmbajtje të rremë, vepër kjo e paraparë me nenin 380 të Kodit Penal, gjatë vitit 2016 ose nga fillimi i vitit deri në fillim të tetorit Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup ka kompletuar një rast me të cilin akuzat konkrete janë hedhur poshtë.
Për sa i përket vitit 2015, Gjykata Penale ka kompletuar 92 raste që janë proceduar lidhur me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Sipas të dhënave të Gjykatës, 72 raste janë mbyllur me shqiptimin e dënimeve dhe masës alternative dënim me kusht, 17 raste të tjera u mbyllën me shqiptimin e dënimeve me heqje lirie, 2 raste të tjera u mbyllën me shqiptimin e dënimeve dhe gjobave, ndërsa në një rast u shqiptua masa e dëbimit nga Maqedonia të një shtetasi të huaj. Për veprën penale të Përdorimit të dokumenteve me përmbajtje të rremë, vitin e kaluar Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup ka kompletuar 21 raste dhe në të gjitha rastet janë shqiptuar dënime me kusht.
Megjithatë, duhet theksuar se rastet në fjalë dhe aktgjykimet e shqiptuara nuk kanë të bëjnë vetëm me falsifikimin e diplomave dhe se gjykata nuk mban statistika të veçanta lidhur me falsifikimin e diplomave.

Zyrtarët e Fakultetit Pedagogjik sqaruan se tek ish referenti, 50-vjeçari me inicialet Z.K., u zbuluan 16 dosje të dyshimta për të cilat është njoftuar edhe Policia Financiare. Sipas të dhënave policore, falsifikatori i dyshuar – referenti, përveç shefаve të policisë, diplomë false i ka përgatitur edhe një mësuesi, i cili ka zëvendësuar një mësues tjetër të Shkollës “Naim Frashëri” në Kumanovë. Kundër mësuesit në fjalë gjithashtu është ngritur një padi penale.

Fakulteti ka kontrolluar të gjitha vërtetimet e lëshuara nga vitit 2008 e deri më sot, duke konstatuar se 206 prej tyre janë të dyshimta. Ndërkaq për 30 vërtetime është konstatuar se janë të falsifikuara.

„Për të gjitha dosjet me parregullsi, në aspektin e pagesave dhe lëndëve mësimore dhe provimeve, janë zhvilluar procedura për tërheqjen e vërtetimeve dhe diplomave të lëshuara. Më saktësisht, bëhet fjalë për rreth 30 raste ose dosje“, sqaruan zyrtarët e Fakultetit Pedagogjik.

Referenti i dyshuar u largua nga detyra dhe Fakulteti në vitin 2011, si rezultat të mosparaqitjes në punë. Zyrtarët e Fakultetit Pedagogjik gjithashtu sqaruan se hetimet kundër Z.K. dhe një tjetër ish punonjës i Fakultetit, të cilit i është shqiptuar një dënim me heqje lirie, janë nisur në bazë të informatave që i siguroi fakulteti për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nuk ka dyshime se katër punonjësit e policisë kanë pasur nevojë për diplomat e falsifikuara për t’u ngritur në karrierë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas Dekretit mbi mënyrën dhe fitimin e gradave dhe shenjat e gradave të punonjësve të policisë, punonjësit e policisë duhet të jenë me arsim të lartë për të fituar gradën „inspektor i ri“ e deri në gradën „këshilltar kryesor i policisë“.

Ne provuam të bisedojmë edhe me punonjësit e dyshuar të policisë dhe arritëm të bisedojmë vetëm me njërin prej tyre.

„Si e siguruat numrin tim? Nuk dua të komentojë asgjë“, ishte përgjigjja e shkurtër e punonjësit të Policisë me të cilin kontaktuam lidhur me rastin e falsifikimit.

Me diplomë falso të shkollës së mesme – zëvendësshef i „Alfave“

Sipas informatave tona edhe zëvendësshefi i „Alfave“, Sasho Milloshevski, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme me një diplomë të falsifikuar të arsimit të mesëm. Ai ndërkohë ka regjistruar studimet e magjistraturës.

Ai, gjatë një deklarate dhënë për nevojat e BIRN, mohoi se diploma e tij është false.

„Nuk është e saktë se kam diplomë të falsifikuar. Pse merreni ju me diplomën time?“, tha Milloshevski gjatë një bisede me telefon.

Fakulteti Pedagogjik në Shkup  ka kontrolluar të gjitha vërtetimet e lëshuara nga vitit 2008 e deri më sot, duke konstatuar se 206 prej tyre janë të dyshimta. Ndërkaq për 30 vërtetime është konstatuar se janë të falsifikuara.

Lidhur me diplomën e Milloshevskit, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme konfirmuan se është duke u zhvilluar një procedurë hetimore.

„Sektori i kontrollit të brendshëm, hetimeve kriminalistike dhe standardeve profesionale, ka konstatuar se një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili është objekt i interesit tuaj, ka dorëzuar diplomë jovalide të arsimit të mesëm. Sektori në fjalë me gjendjen e konstatuar dhe provat përkatëse ka njoftuar shërbimin juridik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu, Sektori i kontrollit të brendshëm, hetimeve kriminalistike dhe standardeve profesionale ka njoftuar edhe Inspektoratin shtetëror të arsimit për ta njohur atë me rastin konkret, që ai të veprojë në mbështetje të kompetencave të tij. Shërbimet policore qendrore, në mbështetje të raportit të dorëzuar nga ana e Kontrollit të brendshëm, kanë dorëzuar një kërkesë pranë shërbimit juridik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilën është kërkuar nisja e një procedure me të cilën kontrata e punës me personin përkatës do të shpallet e pavlefshme“, sqaruan në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në mbështetje të kërkesës së Shërbimit juridik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me ndihmën e Avokatit të Shtetit, pranë Gjykatës Themelore Shkupi II – Shkup është ngritur një procedurë në kuadër të të cilës me një aktpadi kërkohet që kontrata e punës me personin përkatës të shpallet e pavlefshme.

„Pas realizimit të procedurës përkatëse, Gjykata Themelore Shkupi II – Shkup shqiptoi një aktgjykim me të cilin vërtetoi se kontrata e punësimit është e pavlefshme dhe nuk shkakton veprime ligjor“, sqaruan zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka të dhëna të sakta për Ministrinë e Punëve të Brendshme!?

Ministria e Punëve të Brendshme dhjetë viteve të fundit zbuloi 67 raste të falsifikimit të diplomave universitare. Midis rasteve të fundit që u bënë publike u gjet edhe ai i një inspektori të krimeve të përgjithshme, i angazhuar në MPB, i cili akuzohet për falsifikimin e katër dëftesave të Qendrës shkollore të autokomunikacionit “Boro Petrushevski” dhe diplomës me të cilën vërtetohet marrja e provimit të fundit që mundëson të drejtën e titullit teknik komunikacioni.

Ivanov amnistoi një doktore me diplomë false

Policia para tre vitesh zbuloi një punëtori brenda të cilës janë falsifikuar diploma, që ka funksionuar në shtëpinë e një banori të fshatit Tearcë, i cili ka falsifikuar diplomat dhe vërtetimet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, të cilat më vonë ua ka shitur individëve të ndryshëm në Itali. Të njëjtin vit u zbulua edhe rasti i falsifikimit të diplomës të një doktoreshe nga Kavadarci, e cila u dënua me 11 muaj heqje lirie. Ajo më vonë u gjet në listën e personave të amnistuar nga ana e Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov.

Në vitin 2006 u zbuluan 18 raste, një vit më vonë u zbuluan 22 raste të tjera, në vitin 2008 u zbuluan 8 raste të reja, 7 raste u zbuluan në vitin 2009, një vit më vonë u zbulua një rast, gjatë viteve 2012 dhe 2013 u zbuluan nga 2 raste, 6 raste të reja u zbuluan në vitin 2014, ndërsa në vitet 2011 dhe 2015 nuk janë zbuluar raste të diplomave universitare të falsifikuara.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme sqaruan se nuk kanë të dhëna lidhur me numrin e diplomave të falsifikuara nga ana e punonjësve të vetë Ministrisë!? Zyrtarët e Sektorit të zbulimit kriminalistik dhe analizave pranë MPB-së sqaruan se nuk mbahen evidenca lidhur me emrat e fakulteteve diplomat e të cilëve falsifikohen dhe as të dhëna lidhur me numrin e diplomave të huaja të falsifikuara.

Për dallim nga gjendja momentale dhe mungesës së të dhënave të sakta lidhur me numrin e diplomave të falsifikuara nga ana e punonjësve policorë gjatë dhjetë viteve të fundit, në vitin 2006 MPB u ballafaqua me një skandal lidhur me diplomat e falsifikuara, më saktësisht gjatë kohës kur kjo ministri drejtohej nga Qeveria e kryesuar nga partia LSDM dhe në rastin konkret  u zbulua se 115 persona tentuan të mbajnë vendet e punës me diploma false, të blera në Bullgari, Shqipëri dhe Kosovë. Sipas të dhënave përkatëse, janë zbuluar diploma të falsifikuara të arsimit të mesëm dhe arsimit sipëror.

Sipas profesorit universitar Vladimir Pivovarov, falsifikimi i diplomave është një dukuri masive edhe në shoqërinë e sotme, e cila e ka pranuar këtë dukuri si diçka më morale dhe më normale.

„Mungesa e njohurive të kuadrove të shpërndara nëpër institucionet dhe që ushtrojnë detyra drejtuese ndikoi që vendi të jetë në këtë gjendje dhe nga ana tjetër, korrupsioni për to është një gjë normale sepse ato kanë siguruar diplomat me ryshfet dhe vetë pranojnë ryshfetin sepse në një mënyrë të tillë funksionon mendja e tyre. Unë vlerësoj se një kontroll i detajuar dhe profesional dhe sipas të gjitha parimeve kriminalistike do të na çonte në një situatë turpi dhe do të zbardhte se jemi shtet me më shumë diploma të falsifikuara sesa diploma legale“, vlerëson Pivovarov.

Të gjithë individët me të cilët biseduam ne janë dakord se gjendja do të ishte e tmerrshme edhe sikur gjysma e vlerësimeve të profesorit Pivovarov të jenë të sakta.